Kryeministri Edi Rama do të udhëtojë sot drejt Parisit për tu takuar me presidentin francez Emmanuel Macron, për herë të parë pas gati dy vitesh.
Edhe pse qeveria shqiptare nuk ka publikuar ende një agjendë zyrtare, faqja zyrtare e presidencës franceze thotë se dy liderët e do të kenë një takim zyrtar në orën 13:20, për të drekuar më pas së bashku në pallatin Elysee.
Kjo është vizita e dytë e kryeministrit Edi Rama në Elysee pasi Macron mori detyrën dhe vjen ndërkohë që Bashkimi Europian përgatitet për mbajtjen e një samiti për Ballkanin Perëndimor ku pritet të diskutohet edhe për mbajtjen e një konferencës së parë ndërqeveritare mes BE-së, Tiranës dhe Shkupit.
Siç mëson Gazeta Si, takimi do të mbahet më 19 prill dhe ministrat e jashtëm të vendeve anëtare pritet të diskutojnë mbi të ardhmen e rajonit dhe procesin e integrimit. Ky takim vjen pak ditë para zgjedhjeve të 25 prillit në Shqipëri, dhe siç theksojnë burimet, ministrat e vendeve anëtare do të bëjnë një rishikim edhe të plotësimit të kushteve të vendosura ndaj vendit tonë, edhe pse Komisioni Europian ka këmbëngulur se Shqipëria i ka përmbushur detyrat.
Edhe pse nuk është ende e qartë nëse ftesa e presidentit Macron ndaj kryeministrit Edi Rama ka të bëje me disktutimet e ardhshme në BE mbi integrimin e rajonit, negociatat dhe metodologjia e re e prezantuar nga Franca për zgjerimin e unionit pritet të jenë çështjet kryesore në tryezë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.