Ana e errët

Pastrimi i parave, Shqipëria në “kategori” me vendet afrikane

Gjetjet e Departamentit Amerikan të Shtetit, që tha në fillim të këtij muaji se përgjatë vitit të kaluar Shqipëria nuk ka bërë progres në luftën kundër pastrimit të parave të pista, janë pasqyruar edhe nga Departamenti i Thesarit.

FinCen, Rrjeti i Hetimit të Krimit Financiar, një zyrë brenda ombrellës së Departamentit të Thesarit që merret me studimin dhe më pas klasifikimin e vendeve të ndryshme sipas performancës në luftën kundër parave të pista dhe financimin e terrorizmit, për 2020 e ka lënë Shqipërinë në vendnumëro.

Kjo do të thotë se Shqipëria do të vijojë të qëndrojë në listën e vendeve nën vëzhgim të përforcuar, ashtu si vitin e kaluar. Në këtë kategori janë edhe vende si Jemeni, Pakistani, Kamboxhia, Gana, Siria, Zimbabve, Maroku, Burkina Faso dhe Uganda.

Në shkurt të 2020, Task Forca kundër pastrimit të parave (FATF) e përfshiu Shqipërinë në listën gri, bashkë 18 vende të tjera që konsiderohen me hapësira të qënësishme hartimi dhe zbatimi të ligjit kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

FinCen ngarkon Qeverinë shqiptare me një sërë detyrash për të bërë progres kundër këtij fenomeni, që nis me një analizë të hollësishme për të kuptuar më mirë përmasat e pastrimit të parave në vend.

Detyra e dytë lidhet me forcimin e bashkëpunimit me vendet dhe agjencitë ligjzbatuese partnere perëndimore, duke përmirësuar sidomos mekanizmat e denoncimit dhe raportimit të rasteve të dyshuara/

Së treti kërkohet ngritja e një mekanizmi efikas për të identifikuar dhe parandaluar hyrjen e parave të krimit në ekonomi dhe “legalizimin” e tyre.

Së katërti kërkohet ndërtimi dhe përditësimi i një sistemi të saktë se kush zotëron çfarë.

Së pesti kërkohet përmirësim i cilësisë së hetimeve në këtë fushë, duke siguruar burimet njerëzore dhe financiare të nevojshme për organin e akuzës.

Në fund, kërkohet përmirësimi i sistemit të përmbarimit në këtë sektor, që do të thotë zbatimi i vendimeve të sekuestrimit ndaj pronave për të cilat ka një vendim se janë financuar nga paratë e krimit të organizuar.

Sipas këtij vlerësimi të FinCen, operacioni i bujshëm OFL, që nisi në fillim të 2020 përmes një akti normativ të Qeverisë nuk ka dhënë asnjë rezultat në luftën kundër pastrimit të parave. FinCen thotë se përpjekjet për të luftuar këtë fenomen morën një goditje nga situata e krijuar për shkak të pandemisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë