Nga Fatjon Rupi – Nuk e kishte menduar se një uniformë arbitri futbolli dhe një birbil në dorë do t’ia ndryshonin jetën. Shumë madje. Emanuela Rustës, mësueses-arbitre nga Elbasani, e graduar edhe me stemën e FIFA-s, i duhet të kujdeset shumë edhe për detajet më të vogla, sepse e di shumë mirë se me imazhin e saj duhet të përçojë te njerëzit shembullin e korrektësisë.
Në një rrëfim për Gazeta Si, Emanuela tregon për vështirësitë e rrugës që ka zgjedhur, por edhe për kënaqësitë që i fal profesioni i të vënit drejtësi në një fushë të blertë, në ndeshje femrash dhe meshkujsh.

“Po ta marr që nga fillimi i arbitrimit, jeta ime ka ndryshuar shumë, – e nis Rusta rrëfimin e saj për Gazeta Si. – Më përpara kam qenë një person i thjeshtë, nëse mund ta quaj kështu, me jetën time të kontrolluar vetëm nga unë, ndërsa tani është ndryshe. Duhet të kem 100-fish kujdes në çdo gjë që bëj, sepse të njohin shumë dhe normalisht shembulli që jep duhet të jetë i saktë. Mundohesh të mos gabosh dhe kjo të privon deri diku nga disa gjëra. Presin shumë nga ti dhe nuk është mirë, nëse bën diçka të gabuar, në thonjëza”.
Si i ka kaluar Emanuela vështirësitë e fillimit, kur dihet që jetojmë një shoqëri, ku nuk mungojnë paragjykimet? “Në fakt, – shprehet arbitrja e FIFA-s, kam pasur fatin të mos jem e paragjykuar në fillim, përkundrazi shihej si diçka pozitive prania e një femre në fushë, duke arbitruar. Eeagimet ishin shumë pozitive. Asnjëherë nuk nuk e kam pasur frikën se “obobo, çfarë do të mendojnë të tjerët. E kanë parë me sy pozitiv”.

Sigurisht, në aspektin professional ka pasur vështirësi, duke qenë pionere në arbitrimin e femrave. “Po, fillimi ishte i vështirë, normalisht. Nuk dija shumë rregulla të futbollit, sepse vija nga një fushë tjetër, nga basketbolli, që ndryshon shumë. Me përpjekje, me këshillat e arbitrave të kolegjiumit të Elbasanit, që më ndiqnin në çdo ndeshje, arrita të mësohem. Me marrjen e stemës është bërë edhe më e vështirë, sepse çdo gabim peshon më shumë se kur je një arbitre e thjeshtë”, – pohon më tej Emanuela, e cila aspiron të bëhet pedagoge në Universitetin e Sporteve.
Dy vitet e fundit Rusta ka arbitruar me asistentë të ndryshëm, me vajza dhe dje, dhe këtë e sheh si plus në anën profesionale: “Kam ndërruar shumë asistentë, thuajse çdo javë. Kjo është diçka e mirë, sepse kur mësohesh vetëm me dy asistentë, e ke të vështirë pastaj kur ata ndërrohen. Janë edhe dy asistente me stemën e FIFA-s dhe bashkë gjykojmë ndeshjet jashtë. Edhe këtu gjykojmë, jemi shtuar dhe ndoshta këtë vit mund të bëhet edhe një treshe e dytë femrash.

Periudhën e fundit nuk kam gjykuar ndeshje femrash, më shumë kam gjykuar meshkujt. Është rritur edhe futbolli i femrave, por te meshkujt luhet më shpejt, ka më shumë energji. Nuk mund të them se mbetet prapa futbolli i femrave dhe kjo vlen edhe për arbitrimin e femrave. Tani po e shohin se nuk ka asgjë të vështirë që të gjykosh në futboll dhe e duan më shumë këtë profesion”.
A e bezdisin kamera dhe fotot në faqet rozë?
Emanuela ka qenë dy herë pjesë e arbitrave që kanë gjyakuar derbin, edhe pse jo kryesore. Dhe shpesh ka qenë ajo në fikusin e kamerës dhe jo loja në fushë. A e bezdis ky fakt? “Kam gjykuar dy herë në derbi, i dyti ishte pa tifozë dhe nuk e kam ndjerë fare pjesën që kamera ishte e fokusuar tek unë.
Nuk e dija që do të ishte kështu, sepse isha aty për profesionin tim. Në media nuk fakt nuk është folur shumë për profesionin tim, por gjithsesi promovim është edhe ajo, nga një anë ose një tjetër. Detyra ime është të fokusem te ndeshja dhe të jem e saktë 100%.

Fotot në faqet rozë? Tani kam zgjedhur të jem “off” nga rrjetet sociale dhe çdo gjë tjetër, madje edhe për intervista, sepse deri diku më është bërë kompleks kjo pjesa e të dalit gjithmonë-gjithmonë. Mund të flasin për ne arbitrat, nuk e marrin nga pjesa e profesionit, por flasin për anë të tjera, që ne shkojmë në plazh. Dhe është normale që kur shkon në plazh të jesh me bikini, nuk ke si del me uniformën e arbitrimit”, thotë Rusta duke qeshur.
Krahasimi me ndeshjet jashtë dhe batutat ngacmuese
Arbitrja elbasanase ka gjykuar disa ndeshje jashtë vendit dhe e pranon se është ndjerë më komode: “Po, ka ndryshim kur gjykon jashtë vendit dhe është një “Po” e madhe. Jashtë rriten me kulturën e sportit. Ata e dinë si duhet t’i drejtohen dikujt. Ndërsa ne si shoqëri, pa dashur të ofendoj askënd, jemi problematikë në mënyrën e sjelljes.
Nuk dimë që edhe kur kemi të drejtë, si ta kërkojmë atë, si t’i drejtohemi një personi, qoftë edhe një arbitri në fushë. Kur t’i gabon, jashtë kanë një mënyrë tjetër sjelljeje, te ne nuk e kontrollojnë dot veten. Pas ndeshjes të thonë “shiko, unë isha me nerva’.

Ndjesë? Pas ndeshjes ka gjithmonë trajnerë që kërkojnë ndjesë. Personalisht, nuk e kam problem t’i them lojtarit që kam bërë një gabim, sepse ashtu e kam parë, është më njerëzore. Nuk ka pasur incidente, në futboll ka problematika, por jo deri në atë pikë.
Ne mundohemi të mos jemi protagonistë të një sjellje jo të duhur. Batuta nga tribunat ka, ne e kemi atë vesin që nuk na rri goja. Nuk e di pse njerëzit nuk më shohin dot si arbitre. Më thonë: ‘ç’punë ke ti të bëhesh arbitre, bëj ndonjë gjë tjetër’. Megjithatë, deri diku me figurën time janë mësuar dhe po ambientohen”.
Ëndrra për të hyrë në histori me derbin
“Puna e FSHF-së është shumë e madhe me ne arbitret femra, – vazhdon më tej Emanuela, duke vënë theksin gjithmonë te profesioni. – Po na japin shumë mbështetje. Sa herë që ka seminare, ne jemi gjithmonë aty, nuk ka më ndarje meshkuj-femra, edhe te seminaret e VAR-it. Po besojnë te ne, fakti që çdo javë kam ndeshje meshkujsh e tregon këtë. Mund të na japin edhe ndeshje në Superiore, siç ka ndodhur më parë. Thjesht atë që meritojmë.

Planet për të ardhmen shkojnë larg, por për momentin jam pjesë e arbitrimit. Për një periudhë të caktuar, deri kur ta shoh të përshtatshme, më pas do të jem sërish pjesë, mbase si vëzhguese. Dua shumë të gjykoj njëherë derbin e kryeqytetit si kryesore, të jem e para femër në histori dhe tani jam duke pritur.
Të jem e sinqertë, në fillim nuk e dija si funksiononte. Enea Jorgji më tha që të afrohesha, pasi merresha me sport dhe duke e filluar, e kuptova si ishte bota e futbollit pak e pak, për të arritur deri këtu ku jam sot. Ne arbitrat mërzitemi shumë, kur gabojmë pa dashje. Pas ndeshjes shohim që nuk është ashtu si e kemi gjykuar në fushë, e përjetojmë pak keq, por i tillë është ky profesion, nuk mund t’i shmangim gabimet sado që mundohemi, është një vendim që e marrim shumë shpejt në fushë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



