Politike

Vuçiç kujton (gjoja) spastrimin etnik të serbëve, Majko: Mos bëj Gavrilo Principin

Ish-Kryeministri dhe ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko e cilëson si joserioze dhe diplomaci Instagrami foton provokuese të Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, ku shfaqen ngjyrat e flamurit serb mbi hartën e Kosovës.

Majko thotë se me këtë veprim, Aleksandër Vuçiç dëshmon se i pëlqen papajtueshmëria, se po shkel deklaratën e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në shtator duke mos respektuar procesin e paqes në rajon.

“Republika e Serbisë nënshkroi një deklaratë në zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë për të respektuar procesin e paqes rajonale. Diplomacia e fotove në instagram zhvlerëson seriozitetin e shtetit serb në mardhëniet ndërkombëtare.

Majko mendon se Vuçiç nuk po e vendos Serbinë vetëm përballë shqiptarëve, por përballë NATO-s.

“Sovraniteti i Republikës së Kosovë garantohet nga NATO dhe jo nga Instagrami. Kjo është arsye e mjaftueshme që Presidenti serb t’u ofrojë shtetasve të vet një të ardhme të cilën mund ta përballojnë”, thotë ai.

Vuçiçin e krahason me Gavrilo Princip, serbin që ekzekutoi Princin Ferdinand një shekull më parë, e që u bë shkak i nisjes së Luftës së Parë Botërore.

“Roli i Gavrilo Principit në kohën e integrimit europian nuk mirëkuptohet. Serbia duhet të mos kapitullojë përballë pamundësive të saj! As në Instagram”, mbyll reagimin e tij ministri i Diasporës.

Majko reagoi përmes rrjeteve sociale. Po duke shfrytëzuar këto mjete komunikimi, një ditë më parë, Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç postoi foton provokuese pas ceremonive të përkujtimit të asaj që Beogradi e cilëson si “Masakra ndaj serbëve në Kosovë”.

Bëhet fjalë për ngjarjet e 17-18 marsit të vitit 2004, kur nga përleshjet me motive etnike mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë mbetën të vrarë 19 persona dhe u lënduan 900 të tjerë. Viktimat ishin 11 shqiptarë dhe 8 serbë. Për Serbinë, këto ngjarje nuk ishin rastësore, por pjesë e një plani për spastrimin etnik të serbëve nga Kosova.

“Serbia sot nuk është e dobët, por as kërcënon dhe as harron. Serbia nuk do të lejojë një 17 mars që të ndodhë sërish. Ne kujtojmë dhe mësojmë nga humbjet. Ne e dimë se çfarë ndodhi dhe ne e quajmë atë me emrin e saj të vërtetë – masakër”, shkroi Vuçiç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë