A. është një burrë rreth të 50-ve. Ai është divorcuar nga bashkëshortja disa vite më parë. Ishte pikërisht ajo periudha kur mësoi se ishte prekur nga HIV. “Mund të them se edhe ky fakt ndikoi në ndarjen tonë. Ime shoqe u tremb për vdekje dhe nuk e duronte dot faktin që unë mund të isha sëmurë. Për më tepër, kjo shtoi i vuri vulën dyshimeve të saj për besnikërinë time”, – tregon ai, ndërkohë që këmbëngul të ruajë anonimitetin.
Ndërsa pohon se në Shqipëri ka një stigmë të madhe për të prekurit me HIV, ai beson, se numri i të prekurve me HIV në vendin tonë është shumë herë më i madh nga ai që raportohet, pasi, për shkak të stigmës, shumë persona e kanë ende të vështirë të testohen e në disa raste refuzojnë edhe marrjen e medikamenteve.

Nga ana tjetër, situata e pandemisë e ka bërë edhe më të vështirë gjendjen ku ndodhen të sëmurët me HIV në Shqipëri.
Në muajt e parë të pandemisë së COVID-19 gjatë vitit 2020 u raportuan vështirësi në aksesin e personave hiv-positivë në shëndetësi dhe në marrjen e trajtimit mjekësor, ndërkohë që ngjan se këto vështirësi vazhdojnë të jenë ende të prekshme për këta të sëmurë.
Më të prekurit, burrat dhe komuniteti LGBTI
Sipas të dhënave zyrtare nga raporte të lidhura me shëndetin dhe të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik, rastet e infektimit me HIV në Shqipëri po pësojnë rritje, ndërsa ata që po infektohen më tepër janë burra..
27 pacientë kanë vdekur në vitin 2018 dhe 24 në 2019 për shkak të HIV, ndërkohë që shumë më tepër kanë ndryshuar shpesh planet e tyre të trajtimit dhe të tjerë kanë refuzuar të hyjnë në trajtim nga frika e stigmës dhe pasojave.
Është për t’u vërejtur se Shqipëria deri në vitin 2017 mbetej një vend me prevalencë të ulët të infeksionit HIV (0,03 përqind), porse është shqetësues trendi në rritje i infektimeve.

Në një kohë kur në botë funksionojnë mekanizma të suksesshëm të parandalimit të HIV, si Profilaksia e Para-Ekspozimit (PrEP) dhe Profilaksia Pas Ekspozimit (PEP) dhe ndërkohë që shumë vende Evropiane shënojnë ulje të raste të infeksioneve të reja me HIV, si kurrë më parë, Shqipëria, një vend kandidat për anëtarësim në BE, raporton një situatë shqetësuese të shërbimeve të ndërprera vazhdimisht, të planeve joefikase të trajtimit dhe mekanizmit të prokurimit, si dhe mungesë të transparencës dhe komunikimit nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Mekanizmi Koordinues i Vendit.
Anëtarët e Emergency Response Albania në Shqipëri, Aleanca kundër Diskriminimit LGBT dhe Shoqata Shqiptare e Personave që Jetojnë me HIV/AIDS raportojnë një situatë shqetësuese dhe pesimiste përsa i përket të prekurve me HIV në vendin tonë.
Për vite me radhë, Shqipëria nuk blen dhe importon në kohën e duhur ilaçet e nevojshme antiretrovirale, të cilat duhet të jenë të vazhdueshme dhe të pandërprera. Si të tillë, pacientët me HIV janë të detyruar, gjatë aksioneve, të ndryshojnë shpesh skemat e tyre të trajtimit, pasojat e të cilave mund të jenë shkatërruese për shëndetin e tyre.

“Edhe pse organizatat e shoqërisë civile kanë ngritur vazhdimisht ndërgjegjësimin dhe kanë advokuar kundër këtij problemi, situata përsëritet çdo vit. Për t’i bërë gjërat edhe më keq, Shqipërisë shpesh gjatë vitit i mungojnë kompletet e testimit për CD4, ngarkesat virale dhe rezistenca ndaj virusit, duke i detyruar pacientët të bëjnë teste të tilla në klinika private me kosto shumë të larta për shumicën.”, – vërejnë përfaqësues të këtyre shoqatave.
Përveç kësaj, organizatat lokale raportojnë mungesë totale të aktiviteteve ndërgjegjësuese nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, madje edhe më pak me personat MSM (Meshkuj që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj).
“Si rezultat, paragjykimet dhe stigmatizimi ndaj HIV mbetet shumë i lartë në mesin e komunitetit LGBTI dhe pjesës tjetër të shoqërisë, duke shtyrë shumë njerëz të mos testohen ose të refuzojnë trajtimin, duke çuar shpesh në komplikime serioze shëndetësore dhe madje edhe në vdekje”,- vërejnë përfaqësues të Aleancës LGBTI në Shqipëri.
Ata shtojnë se, ndërsa Shqipëria krenohet si një vend me prevalencë të ulët të rasteve me HIV, numri i vdekjeve të lidhura me HIV në vend është alarmant: 27 persona vdiqën në 2018 dhe 24 në 2019.
“Personat LGBTI mbeten popullata kryesore më e prekur për shkak të stigmës së dyfishtë, frikës nga diskriminimi dhe përjashtimi.”
Sëmundjet seksualisht të transmetueshme HIV/AIDS
Numri i grave dhe burrave të prekur nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme, HIV/AIDS për vitin 2019 është 72 burra dhe 29 gra. Nga 29 gra të prekura, 3 prej tyre ishin shtatëzënë.
Ndërgjegjësimi për ruajtjen nga HIV
Sipas vëzhgimeve të Institutit të Shëndetit Publik, të cilët pyetën gra dhe burra të moshës 15-49 vjeç, në lidhje me infeksionin e HIV dhe mënyrën e transmetimit të tij vërehet se niveli i vetëdijesimit në lidhje me AIDS shkon në raport të drejtë me nivelin e edukimit.
Nga ana tjetër është për t’u theksuar se rezultatet tregojnë se numri i të rriturve shqiptarë, që kanë njohuri të sakta për mënyrat se si mund dhe nuk mund të transmetohet virusi i AIDS-it nuk është i mjaftueshëm.
Kështu, vetëm dy të tretat e grave (66%) të grave dhe 48% të burrave e dinë se një person me pamje të shëndetshme mund të infektohet me virusin HIV. Në mënyrë të ngjashme, më pak se gjysma e të anketuarve, 46% e grave dhe 42% e burrave besojnë se një person nuk mund të infektohet duke ndarë ushqim me një person që ka HIV. Ndërkohë është për t’u theksuar se përqindja e burrave dhe grave me njohuri gjithëpërfshirëse të HIV/AIDS-it ka mbetur praktikisht e pandryshuar, thuajse si para 10 vitesh.
Gjatë dekadës së fundit, testimi i HIV-it midis grave dhe burrave është rritur. Përqindja e grave të testuara ndonjëherë dhe të cilat morën rezultatin është rrit nga dy përqind në 2008-09 në katër përqind në 2017-18. Sidoqoftë, vetëm një përqind e burrave të anketuar u zbulua se ishin testuar gjatë 12 muajve të fundit.
Sipas raportit, përafërsisht 44 përqind e njerëzve që jetojnë me HIV aktualisht po marrin terapi anti-retrovirale, ndërsa mungojnë shërbimet dhe terapitë e duhura në një masë të madhe.
Diskriminimi
Qëndrimet diskriminuese ndaj të prekurve me HIV pakësohen sa më i lartë të jetë edukimi: 78% të grave dhe 79% të burrave me edukim 8-vjeçar raportojnë sjellje diskriminuese në krahasim me 54% të grave dhe 66% të burrrave me edukim të nivelit të lartë.
Qëndrimet diskriminuese janë më të ulëta ndërmjet grave dhe burrave të moshës 15-24 (respektivisht 62% dhe 65%) dhe më të larta ndërmjet grupmoshës 40-49 (respektivisht 74% dhe 77%).
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje