Pa u mbushur ende 24 orë nga dorëzimi i listave me kandidatët për deputetë për zgjedhjet e 25 prillit, Kryeministri Edi Rama doli në një konferencë për shtyp për të analizuar emrat e përfshirë nga Partia Socialiste në krahasim me ata të vendosur nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim.
“PS e mishëron me formacionin e saj karakterin e vet shoqërisë. Kemi një skuadër që shkon përtej PS-së dhe që reflekton fuqinë tonë të vetëndryshimit, që është pika e parë e manualit të drejtimit të PS-së, që lindi nga një fuqi vetëndryshimi në kushte historike dramatike dhe që nën drejtimin e Fatos Nanos e pati pikë referimi vetëndryshimin. Gjatë të gjithë periudhës së drejtimit tim jam përpjekur ta gdhend dhe ta bëj më të thellë këtë bindje dhe kjo është e vetmja mënyrë për një parti politike për t’i rezistuar kohës dhe për të qenë konkurrente dhe për të mos u kthyer në një forcë që rrezaton vetëm vetveten dhe jo shoqërinë”, tha Rama.
Kryeministri e cilësoi zhgënjyese dhe listë fosilizimi kandidaturat e propozuara nga Partia Demokratike.
“Nuk shoh një skuadër që është futur për të fituar ndeshjen, por që në fushë të futen lojtarët që të mos i mbetet hatrit. Në Tiranë kapiteni është Sali Berisha dhe ku janë me radhë një në dy fosilet e Shqipërisë, Fatmir Mediu, Shpëtim Idrizi, Vangjel Dule dhe natyrisht Desdemona, Mesila Doda, Dash Shehi?!”, tha Rama.
Kreu i Qeverisë mori me radhë aleatët e Bashës, të përfshirë në listën e PD-së.
“Kjo është një skuadër që njëri të mos dehet në stol, tjetri të mos vjedhë stolin. Me këtë Shqipëria fiton? Më Fatmir Mediun? Me atë fitojnë pronarët që ka që ditën që vdiq Sabri Godo që i mori vulën e futi në xhep dhe me atë vulë vetëm një certifikatë prone, vendin si deputet në parcelën e PD-së?! Shpëtim Idrizi, sekseri i Çamërisë që zgjohet nga gjumi në orën 2 dhe del i buhavitur në televizor dhe i hap luftë Greqisë dhe pastaj shkon zyrë më zyrë për të kërkuar vende pëllumbash në administratë që t’i shesë majtas e djathas?! Vangjel Dule ca do në Tiranë, apo se nuk e voton më asnjë minoritet në Sarandë e Gjirokastër?! Mesilën e kuptoj e kanë futur se do më lidhin mua me zinxhir pasi dogjën palmën të Kryeministria”, tha Rama.
LSI-në e akuzoi se ka kamulfuar mes të rinjve persona subjekt të SPAK-ut dhe OFL-së.
“LSI është lista e SPAK dhe OFL. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Më vjen keq për shumë të rinj dhe të reja që janë një enturazh si mezet rreth karkalecave të tiganit të Monikës, kurse karkalecat janë aty në qendër, afirmim i një katandije keq e mos më keq të një force politike që ka luajtur rolin e saj në proceset demokratike dhe sot është një magazinë private që administrohet nga gruaja e Presidentit që shet dokrra dhe blen vota”, u shpreh Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




