Njerez

Sot pas 1 viti, në lagjen ku u shfaq pacienti zero

Nga Megi Iskurti- “Nuk e dija, të keqen nëna, që virusi do të përhapej në zona të tjera. Mendoja që do rrinte vetëm të lagjja jonë dhe kisha shumë frikë të dalë jashtë.”- i tha Gazetasi.al  Merze.U, një zonjë 70 vjeçare që po kalonte rrugën tek zona e quajtur “Pallati me Shigjeta”, lagjja ku jetonte pacienti i parë zero.

Si sot një vit më parë ne po kërkonim pacientin zero dhe nuk e dinim ende se çfarë do të na sillte pandemia nga Covid-19.

Dy pacientë, babë e bir, jetonin në zonën e “Pallatit me Shigjeta” nga ku zhvillonin dhe veprimtarinë e tyre të punës në një bar-kafe. Ata u identifikuan si të parët që sollën virusin në Shqipëri dhe që e transmetuan tek të tjerët.

Në mars të një viti më parë, lagjia u dezinfektua e gjitha dhe u morën masa për të ndaluar tejçueshmërinë e virusit.

Banorët në këtë zonë i treguan Gazetasi.al përjetimet e ditëve të para. Nga tregimet e tyre, dukej qartë se ndjesitë dhe mendimet e tyre të një viti më parë ishin shumë më ndryshe në fillim kur kuptuan se të prekurit e parë nga Covid-19 ishin shumë pranë tyre. 

Kadrie Laha, një zonjë 60 vjeçare e cila punonte si shitëse  në një dyqan rrobash përgjatë rrugës kryesore, na tregoi se sa e panikosur dhe se sa e rrezikuar ishte ndjerë në atë moment.

“Na hyri frika në palcë”- ishte fjalia e saj e parë. -“Duke qenë se nuk kishim shumë informacion sepse ishte fillimi, patëm frikë të dilnim jashtë dhe të bënim pazare.

Kur blinim perime i laja deri në 10 herë me ujë të ngrohtë dhe me sodë buke. Të dije që të infektuarit e parë ishin nga lagjja jonë na shkaktoi frikë të madhe. Ajo na tregoi që pas disa kohësh u infektuan si familje ku të gjithë familjarët e kishin kaluar me simptoma të lehta Covidi-19, përveç  bashkëshortit të saj  64 vjeçar i cili kishte pasur disa komplikacione më shumë.

 Rrugicave të kësaj lagjeje, hasa në një taksist, Selim.S i cili më tha se familja e tij ishte alarmuar shumë dhe veçanërisht bashkëshortja e tij.

“Gruaja ime është rreth të dyzetave dhe vuan shpesh nga problemet nervore sidomos në situata stresante. Pasi kishim parë gjendjen në Itali sepse kemi dhe disa të afërm atje që na tregonin, ishim vërtetë të shqetësuar.

Në darkë, më merr im atë në telefon dhe më tregoi që pacientët zero ishin nga rrugica jonë. E kishte parë nga lajmet.

Sapo ia tregova bashkëshortes, ajo menjëherë humbi ndjenjat nga paniku. Unë e dija se si i përjeton ajo gjërat që e trembin por pas asaj nate filloi të shqetësohej dhe më shumë, sidomos kur erdhën specialistët përkatës me veshjet e izoluara për të dezinfektuar. Ajo e pa nga dritarja të gjithë procesin e dezinfektimit dhe gjithë kohës i lutej zotit me zë të lartë që familja jonë të mos prekej nga virusi.

Nuk doli pothuajse fare, nuk shkoi më as në punë pasi punonte si shitëse në një furrë buke dhe rrinte vetëm duke dezinfektuar çdo gjë përreth.”- tregoi Selimi teksa kujtonte përjetimet e asaj dite.

Situata e ankthit në familjen e tij vazhdoi deri në momentin që të dy u infektuan me Covid-19 në gusht.

Ata e kaluan me simptoma të lehta dhe bashkëshortja e tij tani ka nisur punë në një vend tjetër.

Shumë pranë lokalit të pacientëve zero ishte një vajzë 24 vjeçare, Hygerta quhej, dhe tregoi për gazetën “SI” që mes rrethit të saj shoqëror këta pacientë ishin gjykuar dhe madje ishin parë edhe me sy negativ.

“Isha me një grup shokësh dhe shoqesh nga lagjja, ishim ulur në një kafene në qendër kur e kuptuam se kush ishin pacientët zero. Unë dhe i njihja sepse në këtë rrugicë jetoj.

E gjithë shoqëria ime filloi t’i gjykonte. Në fakt të dy, babë e bir, nuk kishin asnjë faj sepse dhe ata ishin infektuar nga dikush tjetër. Nuk është se ishte në dorën e tyre. Mbaj mend që atë ditë u kthyem në shtëpi disi të alarmuar dhe pastaj filloi dhe karantina”- citoi Hygerta duke më treguar gjithashtu që ajo ende nuk ishte infektuar me Covid.

Më tej në një bisedë më të gjatë me J.B, një burrë rreth të pesëdhjetave i cili punonte në një dyqan bojërash nga ana tjetër e “Pallatit me Shigjeta”, vihej re edhe më shumë frika që kishin përjetuar këta banorë.

“Të them të drejtën u panikosëm shumë sepse në atë kohë nuk kishim dhe shumë informacion. Na dukej si diçka mistike dhe në fakt akoma më duket i tillë. Vetëm ideja se e kishim në lagje na tmerroi, sidomos kur dëgjonim që mund të përhapej nga ajri.”

Ai më tregoi që pazaret i blinte vetëm me doreza, përdorte dezinfektues gjatë të gjithë kohës dhe  sapo kthehej në shtëpi, ndërronte menjëherë rrobat.

“Ndihesha në çdo moment i ekspozuar ndaj rrezikut. Brenda një viti jeta jonë ndryshoi rreptësishtë. Një vit më parë shumë njerëz mendonin që është turp të dalësh me maskë ndërsa sot maska është bërë diçka normale për ne.”- e mbylli fjalinë ai, pak i zhytur në mendime, teksa dukej se i ktheheshin kujtime nga i gjithë viti pandemik.

Nga dy pacientë 0 të marsit të kaluar, sot kemi mbi 100 mijë raste të prekur, shumë vdekje dhe shumë persona që kanë mbetur me pasoja në imunitet.

Sot banorët e zonës së “Pallatit me Shigjeta”, kanë mësuar se sa rëndësi ka shëndeti, dhe sa shumë  rëndësi ka qëndrimi me njerëzit që duam, me të cilët shpresojmë që ky do të jetë marsi i fundit që na mban larg…

Nënë Merzeja e cila kujtonte se sa frikë kishte nga vdekja se mendonte që virusi merrte sipas saj në radhë të parët të moshuarit, tanimë është pak më e qetë.

Ajo nuk është prekur ende nga Covid…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë