Nga Sorgena Leka - Ndërkohë që shokët e tij në vegjëli thjesht argëtoheshin duke shijuar kënaqësinë e përdorimit të një lodre si makina me telekomandë, ekskavatorë me bateri etj., Jusuf Rrustaj, 17 vjeç sot, ishte në kërkim për më shumë. E emociononte më shumë ideja të dinte se si funksionojnë ato lodra sesa ideja për të luajtur me to.
Sot ai studion në një shkollë profesionale në Tiranë për “Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit, TIK dhe dashurinë për teknologjinë "e shpalli" duke ndërtuar SPAC, një robot që bën i vetëm dezinfektimin e ambienteve të shkollës së tij. Në një intervistë për Gazetasi.al ai tregon se si ia doli.
-Kur e kuptove se fusha e teknologjisë është ajo ku do ta shohësh të ardhmen tënde?
E gjitha nisi nga pasioni i madh që kisha rreth kreativitetit. Mbaj mend që nga mosha 5 vjeçare më pëlqente të dija se si funksionin paisjet e ndryshme që më rrethonin. Ajo që mua më tërhiqte ishte kreativiteti dhe është pikërisht bota e teknologjisë ku në të cilën gjendet një kreativitet goxha i madh.
Duke u rritur më shumë, gjithnjë kisha edhe më tepër kureshtje për teknologjinë dhe gjithnjë pyesja të tjerët, lexoja ndonjë gjë, eksploroja në internet, shikoja video në youtube dhe kështu, pak e nga pak krijova një farë bagazhi sipërfaqësor të diturisë në fushën e teknologjisë dhe informacionit.
Në moshën 10 vjeçare laptopi im i parë ishte mësuesi im që më ndihmoi të eksploroj fushën e Software-it dhe atë të Hardware-it. Aty kam bërë eksperimentet e mia të para duke e ndriçuar errësirën e madhe që kishte kapluar kureshtjen time se si funksionon një laptop.
Atë e hapja, e çmontoja, i ndërroja pjesët e ndryshme, ekranin, hardiskun, ram-in, e formatoja etj.
-Si nisi ideja për të ndërtuar një robot?
Në fakt ideja lindi në një mënyrë jodirekte, pra unë nuk e kisha menduar diçka të tillë. Një fond erdhi në shkollën ku unë studioj dhe Drejtoresha e shkollës më zgjodhi mua për të marrë këtë fond dhe për të ndërtuar një projekt. Ishte pikërisht ky fond i cili më shtyu të mendoj një ide për të ndërtuar projektin dhe duke u konsultuar me një nga zyshat e shkollës, dolëm në konkluzion me idenë e robotit të dezinfektimit të cilin e quajta “SPAC” (Smart Protection Anti Covid).
-Hapat e parë që more për ta ndërtuar robotin?
Fillimi ishte i vështirë. Sepse, unë vërtetë e kisha idenë se çfarë doja të arrija por “Nga e thëna në të bërë, ka në mes një det të tërë”. Pak e nga pak fillova të hidhja idetë e para.
Së pari, përpara se të filloja punën, krijova një listë me hapat që duhej të ndiqja për të ndërtuar robotin. Ajo listë më ndihmoi shumë, pasi tashmë unë nuk kisha më nevojë të mendoja se çfarë hapi duhet të ndiqja më pas, por thjeshtë hidhja sytë tek fleta dhe çdo gjë ishte e përshkruar.
Javën e parë e shpenzova duke u marrë me design-in e robotit, si do të ishte paraqitja e robotit. Eksperimentova goxha, dhe kur i shikoj tani dizajnet e para, më duken shumë qesharake.
Pasi kisha projektuar se ku do të vendosej çdo komponent, dy javët e tjera, u mora me ndërtimin e qarqeve të robotit. Fatmirësisht, duke qenë se projekti ishte sponsorizuar nga shkolla, unë kisha mundësinë të porositja komponentë cilësor dhe gjithashtu komponentë reserve, në rast se diçka do të shkonte keq. Kam punuar me qarqet dhe ndonjëherë lodhesha dhe mërzitesha nga pak sepse shpenzoja orë të tëra duke mos folur me askënd.
Gjithsesi përsëri i mblidhja forcat dhe kthehesha në punë. Dy javët e tjera u mora me sistemin e sprucimit. Ishte I vështirë sepse kishte të bënte me fushën hidraulike. Por duke hulumtuar dhe eksperimentuar, ia dola mbanë. Për këtë sistem kam përdorur printerat 3D që ne kemi në shkollë.
Java e fundit ishte ndërtimi final i robotit. Duke qenë se tani kisha gati dizajnin, qarqet dhe sistemin e sprucimit, e kisha më të lehtë të përfundoja robotin. Por gjërat filluan të bëheshin pak të komplikuara, sepse kur u bashkuan të gjithë komponentët në një vend, u bë një “rrëmujë” edhe pse unë po mundohesha të mbaja çdo gjë të organizuar. Pas disa lidhjesh dhe programimi, ishte momenti ta ndizja për herë të parë robotin tim. Ishte ora 3 e mëngjesit, pasi unë kisha gjithë natën që punoja dhe kur e ndeza, edhe pse truri im ishte në gjumë, në atë moment ai u zgjua bashkë me robotin tim. Ai filloi të lëvizë, isha shumë i gëzuar që pas gjithë kësaj kohe duke punuar, erdhi ky moment i shumëpritur.
-Cili është funksioni i robotit, çfarë bën ai robot?
Të ndizet automatikisht në orën 6 të mëngjesit dhe të filloje dezinfektimin e të gjithë shkollës. I gjithë procesi zgjat vetëm një orë, duke marrë parasysh këtu që shkolla jonë ka 4 kate, ku roboti duhet të shkojë në çdo klasë. Në orën 7 roboti tashmë ka përfunduar dezinfektimin dhe kthehet në vendin e tij, ku atje lidhet me nje karikues dhe karikohet. SPAC-u gjatë punë së tij,nuk ka nevojë për ndonjë asistencë nga njeriu. E vetmja gjë që roboti ka nevojë për asistencë, është mbushja e shisheve me dezinfektant kur të boshatisen, dhe gjithashtu një here në tre muaj një kontroll për probleme të mundshme.
SPAC-u, është një robot i dizenjuar për të dezinfektuar ambjentet e mëdha duke lëvizur në mënyrë autonome. Ai është i pajisur me një sistem sprucimi i cili merr dezinfektantin nga depozita dhe e nxjerr atë në mënyrë të sprucuar nga krahët e tij. Krahët janë të dizenjuar që të lëvizin me një kënd nga 0 deri në 180 gradë, duke filluar nga poshtë, lart në mënyrë që të mbulohet një sipërfaqe e gjerë dezinfektimi.
Ai ka disa sensorë të pozicionuar tek sytë e tij, tek trupi, një majtas ,një djathtas dhe një mbrapa tij. Disa bateri të rikarikueshme që i mundësojnë robotit kohë të mjaftueshme për të kryer të gjithë dezinfektimin e ambjentit. Pika kyçe e këtij roboti është software-i. Një software i ndërtuar me algoritme të ndryshme të cilat e bëjnë robotin të jetë sa më autonom.
-Sa kohë të mori ndërtimi i tij?
Duke qenë se unë kisha dhe shkollën për të ndjekur dhe kisha goxha mësime, i gjithë projekti në total më mori 1 muaj e gjysëm për ta përfunduar. Ndërtimi i robotit ka filluar nga fillimi i Nëntorit të vitit 2020 dhe ka përfunduar nga mesi i Dhjetorit.
-Pse vendose të ndërtosh pikërisht një robot të tillë?
Ishte pandemia shkaku i cili më shtyu të vendos për një ide të tillë.
-Çfarë menduan apo çfarë të thanë familja, shokët për gjithë “aktivitetin” tënd?
Familja shqetësohej me mua, sepse unë qëndroja me orë të tëra i mbyllur në dhomë duke punuar me robotin dhe pothuajse çdo natë, nuk më zinte gjumi pa shkuar ora 12 e natës.
Ndërsa përsa i përket shokëve, progresin e punës që unë bëja, e postoja në rrjetet sociale. Në këtë mënyrë ata e shikonin se çfarë po bëja dhe më përgëzonin.
-Kush të mbështeti më shumë gjatë gjithë periudhës së ndërtimit të robotit?
Familja në radhë të parë ishte ajo që më mbështeti. Ndonjëherë më largohej dëshira për të punuar, sepse jo gjithmonë gjërat shkonin ashtu siç i kisha planifikuar. Por ishte familja e cila më jepte motivim dhe dëshirë për të vazhduar më tej.
Në radhë të dytë, ishte Drejtoresha e shkollës e mesme profesionale "Gjergj Canco" ku studioj e cila përveç se e drejtoi fondin tek mua, më lejoi të përdor dhe laboratorin 3D që ka shkolla.
-Sa orë në ditë kaloje duke e ndërtuar?
Ky projekt ka qenë një nga më të komplikuarit për mua. Por natyra ime është e tillë që kur më del një problem, mundohem me të gjitha mënyrat për ta zgjidhur atë. Dhe në rastin konkret, kur punoja me robotin, shpenzoja të paktën 5 deri në 8 orë total në ditë duke punuar me të.
-Si ndikoi ndërtimi i robotit në jetën tënde shoqërore dhe shkollore?
Përgjigja është “shumë”. Ka ndikuar aq shumë, saqë fillova të humbas shprehi dhe të më dobësohej mënyra e të komunikuarit. E di që është diçka vulgare për ta thënë, por sikur ta imagjinonit pak veten tuaj në vendin tim duke qëndruar me orë të tëra pa folur dhe duke mos fjetur pa ardhur ora kur sytë fillonin të lodheshin dhe pothuajse çdo natë kjo orë ishte 12 e natës, atëherë do të më kuptonit se për çfarë e kam fjalën.
-Si erdhi pjesëmarrja në dy konkurset dhe si e prite fitoren?
Si çdo punë, në fund kur vuajtjet kanë përfunduar, është koha e “korrjes së frutave” të punës. Pas vështirësisë vjen lehtësimi.
SPAC – u është treguar me të vërtetë bujar me ato “fryte” që më ka dhënë. Unë kam marrë pjesë me të në disa konkurse. Dy prej tyre ishin: Njëri nga “ICTs Lab Coding Championship”, një Konkurs Kombëtar i Kodimit ku të rinjtë paraqesin ide Kreative të përkthyera në lojra, robotë dhe aplikacione dhe tjetri nga “Bibliotech”, një konkurs ky i organizuar nga Bashkia Tiranë.
Në të dyja këto konkurse unë kam fituar vendin e parë. U gëzova me të vërtetë, sepse pas gjithë atyre mundimeve, më në fund po merrja diçka mbrapsht.
-Çfarë mendon të bësh më tej? Cili është projekti i radhës?
Tani për tani, nuk planifikoj të merrem me ndonjë projekt tjetër, por dua ti fokusohem mësimeve. Të mësoj lëndët shkollore dhe gjuhën Gjermane, ku së shpejti synoj të studioj në Gjermani për robotikën.
-Cila është ëndrra jote me e madhe që lidhet me pasionin tënd për botën e teknologjisë?
Ëndrra ime është të jem i aftë në fushën time, si disa gjeni të cilët unë i ndjek dhe i vlerësoj me të vërtetë shumë. Dëshiroj që njohuritë e mia të aplikohen dhe të bëhen ndihmesë për njerëzit në botë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.