Lojëra me Dore

Australian Open/ Gjokoviç ndërpret fluturimin e Karatsev, në finale edhe Osaka

Përsëri ai, Novak Gjokoviç. Tenisiti serb ka kaluar në finale të “Australian Open”, pasi ka mundur pa vështirësi surprizën e turneut, Aslan Karatsev. Rusi, numri 114 në botë, nuk ka mundur të përballojë një Gjokoviç në një formë të shkëlqyer. Ndeshja ka përfunduar 6-3, 6-4 dhe 6-2 dhe ka zgjatur një orë e 53 minuta.

Problemet muskulore duken të largëta, ndërsa titulli i 18-të Slam duket shumë afër për Novak Gjokoviçin. Karatsev e mori ndeshjen pa frikë dhe pas pikës së parë në gejmin e tretë u gjend për herë të parë në karrierë në avantazh ndaj numrit 1 në botë. Serbi ka dominuar bindshëm, e tregon qartë rezultati, madje ka kursyer energji për finalen. Për Nolen ishte gjysmëfinalja e 9-të e luajtur dhe fituar në “Australia Open.

Gjokoviç feston kualifikimin. Gazeta Si, 18 shkurt 2021

Nga 2014-a, tenisti serb ka fituar 14 gjysmëfinale nga 15 të luajtura, e vetmja humbje për të është ajo kundër Thiem në “Roland Garros 2019”. Të dielën do të luajë finalen e 9-të në “Australian Open”, një rekord më vete për të. Gjokoviç do të sfidojë fituesin e çiftit Stefanos Tsitsipas-Danil Medvedev. “Nuk jam ndjerë kurrë kaq mirë, është ndeshja më e mirë e turneut për mua dhe ka ardhur në momentin e duhur”, – tha Gjokoviç pas fitores.

Eliminohet Serena Uilliams, finalja Osaka-Bredi
Gjysmëfinalja ka dënuar sërish amerikanen Serena Uilliams, e cila është eliminuar nga japonezja Naomi Osaka. Brenda 75 minutash lojë, Osaka e ka mposhtur 39-vjeçaren 6-3, 6-4. Ndoshta dikush beson se herët a vonë Serena do ta fitojë turneun e 24-t Slam, por tashmë është në luftë me kohën, këtë e vërtetojnë edhe lotët e saj në konferencën për shtyp.

Serena Uilliams lë konferencën për shtyp mes lotësh. Gazeta Si, 18 shkurt 2021

Pasi përshëndeti publikun në “Rod Laver Arena”, duke vendosur duart në zemër, Serena doli para gazetarëve, por pas disa pyetjesh u largua mes lotësh, duke lënë të nënkuptohet se fundi i karrierës së saj është afër. Pritej një ndeshje e madhe, por në fakt nuk ishte, sidomos nga ana e amerikanes.

Osaka u tregua e zonja, sidomos në setin e dytë, që e filloi me dy ejs me gati 200 km në orë. Japonezja ka siguruar finalen e 4-t Slam, pas “US Open 2018”, “Australian Open 2019” dhe “US Open 2020”. Në finalen e së shtunës Osaka do të ndeshet me amerikanen Xhenifer Bredi, e cila mundi Karolina Muçovën 6-4, 3-6, 6-4 në gjysmëfinalen tjetër.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë