Mario Draghi është një politikan që u detyrua të kthehej në bankier dhe jo kundërta. Ish-presidenti i Bankës Qendrore Europiane po formon qeverinë e ardhshme të Italisë duke siguruar mbështetje nga i gjithë spektri politik. Ai ka premtuar një qeveri të paprekshme që do të drejtojë vendin përmes pandemisë pa nevojën e zgjedhjeve të parakohshme. Të enjten në mbrëmje, partia më e madhe në parlament, Lëvizja Pesë Yjet , votoi për të mbështetur një qeveri të udhëhequr nga Draghi.
73-vjeçari njihet si heroi i krizës financiare të një dekade më parë kur ai tha se BQE do të bënte “gjithçka që duhet” për të mbrojtur euron. “Ai është një politikan shumë i sofistikuar që nuk mund të reduktohet në rolin e një bankieri”, tha Bruno Tabacci, një ligjvënës që e njeh Draghi që nga fillimi i viteve 1980. ” Dikush që mund të drejtojë BQE për tetë vjet, duke pasur nevojë të merret me kreun e Bundesbankut dhe të ketë sukses në shpëtimin e Eurozonëns. Cfarë na duhet më shumë se kaq?”
Draghi ishte drejtor i përgjithshëm i Thesarit Italian gjatë fillimit të trazuar të viteve 1990, kur Italia ishte në mes të një vale privatizimesh dhe të tronditura nga hetimet anti-korrupsion që zhdukën pjesën më të madhe të elitës politike. Babai i tij Carlo ishte gjithashtu një zyrtar në bankën qendrore italiane, Banca d’Italia, dhe Draghi u rrit profesionalisht brenda trekëndëshit të vogël gjeografik në Romë të formuar nga banka qendrore, Thesari dhe pallati presidencial.
Ai do të ketë nevojë për të gjitha aftësitë që ka zhvilluar për të udhëhequr Italinë, e cila ka borxhin e dytë më të lartë në Eurozonë dhe do të marrë pjesën më të madhe të parave (209 miliardë euro) nga fondi i rikuperimit të koronavirusit nga BE-ja.
Në BQE, ai mbajti një grup shumë të vogël këshilltarësh të besuar dhe mori më shumë se një vendim i vetëm. “Unë e kujtoj kur ishte i ri dhe i sapo emëruar në krye të Thesarit Italian”, në fillim të viteve 1990, tha Stefano Manservisi, një ish zyrtar i lartë i BE i cili kaloi karrierën e tij në Komisionin Europian. “Draghi kishte një pikëpamje shumë të qartë politike pro-europiane.
Si drejtor i përgjithshëm i Thesarit, Draghi ishte tashmë një figurë e rëndësishme politike “sepse Thesari gjithmonë ka pasur një rol kryesor në politikën italiane dhe jo vetëm në drejtimin e ekonomisë”. Ai ndërtoi aleanca dhe arriti konsensus që shkoi përtej bordit BQE duke u afruar shumë më disa qarqe CDU, “tha Manservisi, duke iu referuar partisë politike të Kancelares Gjermane Angela Merkel.
Ai studioi në universitetin La Sapienza të Romës ku u mentorua nga Federico Caffè, një figurë kryesore e ekonomisë italiane që u zhduk në mënyrë misterioze në 1987. Draghi vazhdoi arsimin në Institutin e Teknologjisë të Masaçusetsit, duke studiuar nën Franco Modigliani, i cili më vonë fitoi një çmim Nobel – dhe ishte italiani i parë që mori një doktoraturë nga MIT. Modigliani thoshte se Draghi “ishte një student i jashtëzakonshëm”, tha Fiorella Kostoris Padoa Schioppa, një ekonomiste që studioi me Modigliani dhe së bashku me Draghi.
Megjithatë Draghi nuk u përfshi kurrë në politikën e partisë. Kur ai u thirr nga Presidenti Sergio Mattarella dhe iu kërkua të formonte qeverinë, shumë italianë kërkuan në Google për të zbuluar nëse ai ishte një krah i majtë apo i djathtë.
Në një intervistë të vitit 2015, Draghi tha: “Bindjet e mia ishin përgjatë asaj që ti do të quash sot ide të socializmit liberal”. Kostoris e përshkroi atë si “një liberal amerikan, që e adhuronte modelin e udhëheqjes së Sekretares Amerikane të Thesarit, Janet Yellen”.
Gjatë takimeve të gjata me krerët e partive politike, pa prani të mediave sociale dhe i prirur për të marrë vendime vetë, Draghi ka qënë këtë javë “shumë i rezervuar dhe i kontrolluar”, tha një zyrtar i lartë italian i cili foli në kushte anonimiteti. “Kur takon krerët e partisë, ai është zakonisht vetëm.”
Çdo qeveri që Draghi drejton pritet të jetë e ndryshme nga qeveria e mëparshme teknokrate e udhëhequr nga Mario Monti, një ish-komisioner europian sepse Monti erdhi për të ulur në mënyrë drastike shpenzimet publike ndërsa Draghi duhet të vendosë në cfarë sektorësh do t’i investojë fondet e BE-së.
“Draghi i njeh ata që do të zgjedhë brenda qeverisë shumë më mirë se Monti. Ai do të njohë personalisht njerëzit që drejtojnë departamente të ndryshme,” tha Vito Tanzi, i cili shërbeu si sekretar shtetëror i ekonomisë në një qeveri të udhëhequr nga Silvio Berlusconi,
Zyrtarët pranë Draghi kanë këmbëngulur prej kohësh ai ishte i interesuar të bëhej presiden, jo kryeministër. Megjithatë nëse ai arrin sukses në punën e fundit dhe ndihmon Italinë të lundrojë me sukses pa u mbytur nga pandemia dhe pasojat e saj ekonomike, ai mund të zëvendësojë Mattarelën kur parlamenti të zgjedhë një kryetar të ri të shtetit vitin e ardhshëm.
Megjithatë, kjo nuk do të jetë e lehtë. “Nëse do të më duhej t’i dërgoja një mesazh tani, do t’i thosha se ai ka qenë shumë bujar të pranonte postin e kryeministrit, tha Kostoris. “Deri më tani ai ka korrur vetëm suksese, por tani ai po ndërmerr një rrezik shumë të madh.”/Politico.eu/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.