Prokurorët e Posaçëm të SPAK ndërhynë këtë të enjte duke prangosur gjyqtaren e Krujës, Enkeleida Hoxha pas disa muajsh hetimesh e përgjimesh që kanë zbuluar një skemë të mirëfilltë grupi të organizuar kriminal, që ironikisht ushtronte aktivitetin e tij tek drejtësia.
Por si funksiononte ky grup? Burime të Gazetës “Si” thonë se SPAK ka zbuluar se së pari “klientët” e interesuar për të pasur shërbimet e gjyqtares Enkeleida Hoxha duhej të ishin transferuar në burgun e Fushë-Krujës.
“Si gjyqtare e Rrethit të Krujës, ky burg ndodhej në juridiksionin territorial të gjyqtares Enkeleida Hoxha dhe ky ishte hapi i parë”, thonë burimet.
Me t’u transferuar në këtë burg personat e dënuar vinin kontakte me avokatin Aldo Tabaku, gjithashtu i arrestuar nga SPAK. Sipas burimeve, avokati Tabaku ishte fija lidhëse mes të dënuarve dhe gjyqtares Hoxha.
Më pas, avokati Tabaku dorëzonte në Gjykatën e Krujës kërkesat e klientëve të tij për ulje dënimi, ose për lirim nga burgu para kohe. Kërkesat ishin të njëpasnjëshme për t’u siguruar që gjatë shqyrtimit me radhë të tyre t’i vinte radha edhe gjyqtares Enkeleida Hoxha, me të cilën prokurorët e posaçëm dyshojnë se Tabaku ka lidhje.
Në lidhje me “çmimet” përmes të cilave shitej drejtësia, nga përgjimet dhe hetimet disamujore, SPAK dyshon se bëhet fjalë për shuma nga 6 deri në 12 mijë euro për një vendim uljeje dënimi. Kjo do të thotë se për një të dënuar përjetë, që ka përfituar uljen e dënimit me 25 vite burg dhe më pas lirinë përmes 7 vendimeve të njëpasnjëshme (rasti i Endrit Dokles), Enkeleida Hoxha mund të ketë përfituar deri në 100 mijë euro.
SPAK thotë se në këtë skemë është përfshirë edhe Sekretarja Emanuela Mallkuçi, që dyshohet se kundrejt rryshfetit “përzgjidhet” kërkesat e të dënuarve që duhet të shqyrtoheshin nga gjyqtarja Enkeleida Hoxha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.