Gjyqtarja e Krujës, Enkeleida Hoxha, është arrestuar me urdhër të SPAK për veprën penale të korrupsionit gjatë paradites së sotme, së bashku me disa zyrtarë të tjerë të kësaj gjykate të akuzuar për korrupsion.
Sipas akuzës, gjyqtarja Hoxha kishte marrë para për të liruar një të dënuar tjetër për vrasje.
Gjatë kësaj kohe ajo mbahej nën vëzhgim për shkak të disa vendimeve të dyshimta që ka dhënë më herët, duke liruar nga qelitë persona të njohur të botës së krimit.
Gjyqtarja Enkeleida Hoxha ka liruar nga burg ish-anëtarin e bandës së Durrësit, Endrit Dokle, i cili ka qenë i dënuar me burgim të përjetshëm. Po ashtu, i dha lirinë Genc Tafili, i dënuar për vrasjen e komisarit të policisë Arben Zylyftari; Ilir Pajës, të cilit i kishte mbetur mbi një vit denim, si dhe kishte liruar Hekuran Billën, i cili u vra në një atentat më 12 qershor 2020 në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë.
Në total janë arrestuar 10 persona ditën e sotme, të gjithë me urdhër të SPAK pas hetimeve disamujore. Këto urdhër-arreste u ekzekutuan nga oficerët e policisë gjyqësore.
Të arrestuarit:
Enkeleida Hoxha, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, e dyshuar për veprën penale penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim.
Aldo Tabaku, avokat në dhomën e avokatisë Krujë, i dyshuar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Manuela Mallakuçi, sekretare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, e dyshuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Shkëlqim Korbi, ekspert psikiatriko-ligjor pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, i dyshuar për veprën penale “Ekspertim i rremë”.
Sajmir Petani, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim.
Bledar Petani, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim.
Altin Skëndaj, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim.
Gazmir Nezaj, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim.
Gentjan Nezaj, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim.
Isuf Tanuzi, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim.
Ndërkohë, SPAK ka sekuestruar kompjuterët e Gjykatës së Krujës. Policia nga ana e saj po ushtron kontrolle në banesën e gjyqtares Enkeleda Hoxha në “Komunën e Parisit” në kryeqytet.
Pezullohet nga detyra kardiologu Edvin Prifti dhe infermjerja e QSUT-së
Gjithashtu gjatë hetimit të këtij procedimi penal është evidentuar edhe një rast korrupsioni në shëndetësi.
Mjeku i specializuar në fushën e kardiologjisë Edvin Prifti është pezulluar nga puna nën akuzën e korrupsionit pasiv.
Bashkë me Priftin është pezulluar edhe infermierja Trëndafile Frangu.
Prifti dhe Frangu ishin të dy të punësuar në shërbimin e kardiologjisë në QSUT.
“Edvin Prifti, mjek kardiokirurg në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, masë sigurimi “Pezullim i ushtrimit të një detyre apo funksioni publik”, parashikuar nga neni 242 i K. Pr. Penale, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.
Trendafile Frangu, infermiere në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, masë sigurimi “Pezullim i ushtrimit të një detyre apo funksioni publik”, parashikuar nga neni 242 i K. Pr. Penale, e dyshuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm të funksionarëve publikë”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 2 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Ndërkohë është vendosur masa e sigurimit “detyrim paraqitje për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për Migena Skënderin si e dyshuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm të funksionarëve publikë”.
Mësohet se sekretarja e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallkuçi, ka qenë nën përgjim pasi ishte përfshirë në lirimin e të dënuarit Saimir Petani. Në një prej shumë bisedave që ka kryer, Mallkuçi është kapur duke folur me Priftin që t’i kryente një operacion jashtë radhe nënës së saj.
Kjo gjë ka bërë që prokurori Altin Dumani të nisë një hetim për korrupsion për mjekun Prifti dhe infermieren Frangu, të veçuar nga dosja kryesore e Krujës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.