Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) bën të ditur se pavarësisht përkeqësimit të motit në 24 orët e fundit, aktualisht situata paraqitet normale në të 3 hidrocentralet mbi kaskadën e Drinit.
Sipas të dhënave të publikuara nga KESH, niveli i liqenit në HEC-n e Fierzës llogaritet 291.73 m nga 296 m niveli maksimumi i lejuar. Në HEC-in e Komanit niveli i liqenit është 169.98 m, nga 175.5 m niveli maksimumi i lejuar, ndërsa në HEC-in e Vaut të Dejës, 72.43 m, nga 76 m që është niveli maksimum i lejuar.
KESH bën të ditur se prodhimi total plotëson të gjithë kërkesën për energji elektrike të konsumit për vendin dhe për çdo ndryshim të dhënash, KESH do të mbajë të informuar në mënyrë transparente opinionin publik si dhe autoritetet përgjegjëse.
Ndërkohë, sipas Autoritetit Portual Durrës, moti i keq dhe deti i trazuar nuk kanë krijuar pengesa të mëdha në lundrimin e trageteve edhe në linjën Durrës – Bari dhe Durrës – Ankona.
“Tragetet ‘AF Marina’ dhe ‘AF Claudia’ janë nisur sipas orarit të parashikuar, përkatësisht drejt Barit dhe Ankonës mbrëmjen e kaluar, ndërsa trageti ‘Bari’, ka patur një vonesë prej disa orësh në nisje dhe e ka lënë portin e Durrësit drejt Barit sot rreth orës 07:00”, thuhet në njoftimin e Autoritetit Portual.
Sipas parashikimeve sinoptike, në ditët e ardhshme pritet mot i keq me reshje shiu dhe det të trazuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.