Politike

Kompanitë të tregojnë formulën e vaksinës, PE: Të hapen fabrika prodhimi në vendet e Covax

Parlamenti Europian i kërkoi Komisionit që të bëjë të gjitha përpjekjet që njohuritë për vaksinat anti-Covid të bëhen publike, në mënyrë që të ndërtohen fabrika prodhuese në vendet në zhvillim për të rritur kapacitetin prodhues.

Shqetësimi kryesore sot, thanë eurodeputetët e Komitetit të Zhvillimit, është se virusi po pëson mutacion më shpejt nga sa janë në gjendje kompanitë prodhuese të vaksinës që ta neutralizojnë atë përmes kurimit.

Eurodeputetët i kërkuan Komisioneres për Bashkëpunimin Ndërkombëtar, Jutta Urpilainen të dijnë se në çfarë faze janë përpjekjet për të “decentralizuar” prodhimin e vaksinës. Ata sugjeruan ngritjen e fabrikave prodhuese të tyre në vende si India, Afrika e Jugut, apo Arabia Saudite.

Komisionerja Urpilainen tha se mungesa e vaksinave nuk është një shqetësim vetëm i Bashkimit Europian, por është shqetësim global. Në lidhje me ndërtimin e fabrikave prodhuese të tyre në vendet që janë pjesë e platformës Covax, ku bën pjesë edhe Shqipëria, ajo tha se Komisioni po punon së bashku me Gjermaninë për ngritjen e një të tille në Afrikën e Jugut.

“Jemi duke u përpjekur në bashkëpunim me Gjermaninë për të rritur kapacitetet prodhuese me hapjen e fabrikave në vendet e Covax. Po përpiqemi të hapim një të tillë në Afrikën e Jugut, por ky proces kërkon kohën e vet”, tha Komisionerja.

Eurodeputetët thonë se në kushtet aktuale është e kotë të flitet për mekanizmin e shpërndarjes së vaksinave përmes platformës Covax për vendet në zhvillim, për sa kohë nuk ka doza të mjaftueshme për të siguruar një vaksinim masiv që do të frenonte pandeminë.

Gjatë diskutimeve u ngritën edhe shqetësime se Rusia dhe Kina po e shfrytëzojnë këtë situatë për të rritur ndikimin e tyre në vendet partnere të Bashkimit Europian, në Ballkanin Perëndimor, Afrikë dhe në Europën Lindore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë