Sot bëhen 4 vite nga ndarja nga jeta e një prej kolosëve të letrave shqipe, si Dritëro Agolli.
Shkrimtari i mirënjohur, Agolli mbylli sytë më 3 shkurt 2017 në moshën 86-vjeçare, duke lënë pas vepra të jashtëzakonshme.
Katër vite pas humbjes së tij, shtëpia e të madhit Dritëro do të kthehet në muze.
Lajmin e bën me dije e bija Elona me anë të një postimi në rrjetet sociale.
“Më 28 janar 1974 përmes këtij Autorizimi, babit iu dha e drejta e strehimit në Pallatin 85 të Rrugës së Dibrës (quajtur atëherë Rruga Bajram Curri). Derisa mbylli sytë jetoi në këtë apartament. Tanimë, do të kthehet në shtëpi muze”, shkruan ajo në Facebook.
Shkrimtari dhe poeti Dritëro Agolli, ndërroi jetë më 3 shkurt të 2017-s, në moshën 85-vjeçare.
Me anë të krijimtarisë së tij, Agolli ka dhënë mendimet dhe ndjenjat e njeriut të ri, patriotizmin dhe besnikërinë ndaj idealeve revolucionare, cilësitë e tij morale në jetë dhe në punë.
Vepra e tij poetike më e shquar është “Nënë Shqipëri” (1975), ku krijohet figura e Atdheut me traditat heroike, me vështirësitë e shumta që ndeshi në rrugën e vet dhe me vendosmërinë për të përballuar çdo pengesë e armik.
Ndër veprat në prozë mund të veçojmë romanin “Komisari Memo” (1969), në të cilin pasqyrohet roli i madh edukues dhe drejtues në vitet e Luftës ANÇ.
Nga ngjarjet e kësaj periudhe e merr subjektin edhe romani “Njeriu me top” (1975), që flet për ndikimin e luftës çlirimtare në mentalitetin e njerëzve.
Ndërkohë, ndër krijimet satirike romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” (1973) vë në lojë konformizmin, servilizmin dhe vanitetin si shfaqje të huaja për njeriun e ri.
Në vitin 2011 Dritëro Agolli, u nderua me titullin doktor Honoris Causa nga Universiteti Europian i Tiranës.
Veprat e autorit të madh shqiptar janë përkthyer edhe në shumë gjuhë të huaja.
Vepra e fundit e tij ishte libri me poezi “Prit edhe pak”, të cilin ia kushtoi bashkëshortes Sadijes, e cila u shua dy vite pas të shoqit në moshën 76-vjeçare.
Përveç krijimtarisë artistike, Agolli u mor edhe me politikë, duke qenë një nga themeluesit dhe më pas deputet i Partisë Socialiste.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.