Komunitet

HISTORIA/ Rrëshqitja e dheut në Sauk, banori: Nuk mund të fle nga frika, më shembet shtëpia më zë brenda

Rreshjet e dendura në vend gjatë javës kanë qenë shkak i rrëshqitjes së dherave në Sauk të Tiranës, duke prekur dhe shtëpitë e banorëve aty.

 “Nuk mund të fle gjithë natën sepse kam frikë mos më shembet shtëpia”, – u shpreh një ndër të prekurit për gazetën “Si”. Shtëpia e Kujtim Kodrës rezulton e pabanueshme pas ekspertizës së  bërë nga grupi i punës së Bashkisë Tiranë për shkak të rrëshqitjeve të dheut në zonë.

“Kam investuar 30 vite për këtë shtëpi dhe kur e shoh sot në këtë gjendje trishtohem shumë . Jemi tre kurorë që jetojmë aty së bashku me nipërit dhe mbesat që kam.’’  

Rrëshqitja e tokës, tregon Kujtimi, ishte në rritje cdo ditë deri sa arriti në themel të banesës së tij dhe u detyruan të shpërngulen.  Ai thotë se Bashkia i ka drejtuar tek banesat sociale, por që ai bashke me familjen e tij  nuk kishin pranuar për arsye mospërshtatjeje. Më pas i sugjeruan marrjen me qera të një shtëpie me vetë shpënzimet e tyre. Momentalisht Kujtimi dhe bashkëshortja e tij janë zhvendosur tek shtëpia e të bijës në të njëjtën lagje dhe djemtë me familjet në shtëpitë e disa të afërmve të tjerë.

‘’Kur ra tërmeti ne nuk patëm as edhe një shqetësim,’’- tha zoti Kodra,- ‘’por mendojmë se kanë ndikuar ndërhyrjet që mund të kenë bërë banorët e tjerë aty pranë.’’

‘’Shpresojmë të dalë Dielli, se pastaj cdo gjë rregullohet,’’- u shpreh Kujtimi,  i cili beson se institucionet përgjegjëse do të marrin masat për ta ndihmuar atë dhe familjen e tij.

 20 metra më poshtë shtëpisë së zotit Kodra, është shtëpia e Bashkim Likës. Porta e shtëpisë së cilit po mbahet me dërrasa dhe struktura metali për të ushtruar forcë kundër masës së rënë të dheut, e cila rrezikon dhe katin e parë të shtëpisë së tij ku banojnë dy familje.

Një tjetër banor i Saukut, zoti Mali tregon se masa e rënë ka bllokuar rrugën që kalonin makinat dhe këmbësorët duke penguar lëvizjen e lirë të rreth 20 familjeve aty pranë. Ai shton se qytetarët përdorin shtëpinë e tij si rrugë alternative për të kaluar nga ana tjetër e zonës.

Zoti Mali thekson se punonjësit e Bashkisë dhe përfaqësuesit e Njësisë 2, pra në Sauk  nuk janë angazhuar sa duhet mbi këtë problem. Ai shton se rrugët e lagjes janë rehabilituar me asfalt nga bashkëpunimi midis banorëve aty, me të ardhurat personale.

Rrëshqitja e tokës ka dëmtuar edhe shtyllat e tensionit të lartë, të cilat kanë lëvizur dhe janë afruar shumë pranë banesave duke përbërë rrezik.

Në fund të rrugës së të njëjtës lagje ndodhej shtëpia e zonjës Hanke Uku, ku toka lidhur me themelin e shtëpisë së saj kishte rrëshqitur masivisht

Ndryshe nga zoti Kujtim, zonja Hanke tregon për neglizhencën e punonjësve të Bashkisë Tiranë mbi rastin e saj. Ajo tregon se bashkëshorti i saj e ka adresuar personalisht problemin në Njësinë Bashkiake dhe asnjë nuk është angazhuar. Sipas saj punonjësit ripërsërisin se lëvizja e dheut pranë banesës së familjës Uku nuk përbën asnjë rrezik edhe pse ata nuk kanë kryer asnjë ekspertize, analizë apo një vizitë të thjeshtë në atë shtëpi.

‘’Frika ime është se mos rrëshqet më shumë dheu dhe do më rrezikoje gjatë natës haurin,’’- citoi ajo, pasi hauri i bagëtive të saj lidhej me hapësirën e gërryer nga shirat.  Problemi i banesës së zonjës Uku ka nisur që nga 3 vite dhe vazhdon të bëhet më serioz.

Të tjera banesa në Sauk kishin probleme të rrëshqitjes së dheut, por jo në masa shqetësuese.

Banorët shpresojnë se vëmendja mediatike e kësaj ngjarjeje do t’i ndihmojë ato.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë