Art dhe Kulture

Dashuria, nga Adami dhe Eva te “Tinder”?

Cath Pound/ BBC Culture  - Dashuria është një subjekt që ka frymëzuar artistët për shekuj, për të mos thënë në mijëvjeçarë. Dhe ndërsa,  shumë prej nesh i kanë kthyer sytë nga aplikacionet e takimeve për të gjetur dashurinë, përvoja e lidhjeve online është diçka që artistët bashkëkohorë kanë nisur ta eksplorojnë.  Një ekspozitë intriguese në Kunsthalle, Bremen, gjurmon mënyrat e ndryshme të portretizimit të dashurisë dhe marrëdhënieve në art, përgjatë epokave, nga idealët klasikë tek epoka kompjuterike. Pesë seksionet e ndryshme – çiftet prototipa, çiftet e vërtetë, dashuria për veten, bukuria dhe erotikja – zbulojnë se megjithëse përshkrimet dhe pritshmëritë e dashurisë mund të kenë ndryshuar, ka ende disa paralele befasuese mes përvojave antike dhe atyre moderne.

Adami dhe Eva; me siguri çifti fillestar është portretizuar nga shumë prej artistëve më të mëdhenj në histori – zakonisht për të ilustruar rreziqet e dëshirës së mishit dhe natyrën mëkatare të njeriut. E megjithatë,  për kuratoren Jasmin Mickein,  kur Eva shfaqet duke u tunduar prej  gjarprit(si në portretizimin e çiftit bërë nga Adriaen Isenbrant në vitin 1520),  ajo gjithashtu ka parashikuar modelin e të gjitha marrëdhënieve të së ardhmes – në kuptimin e fjalëpërfjalshëm.

Adami  dhe Eva  janë parë shpesh si çifti fillestar dhe janë portretizuar në art për shekuj, si në pikturën e Adriaen Isenbrant, në  vitin 1520 (Credit: Kunsthalle Bremen)

“Të dy jetojnë në Parajsë dhe janë të magjepsur me njëri-tjetrin, derisa vjen ai çast kur kupton se tjetri nuk është i përsosur dhe bie në krizë,” thotë ajo. Megjithëse fatmirësisht është i dyshimtë fakti nëse ndonjë çështje bashkëkohore ka një pasojë kaq dramatike nga këputja e një molle.

“Njerëzit kanë frikë të zbulojnë veten e vërtetë – çasti kur e bëjnë është ai kur edhe nis marrëdhënia.”

Mickein sheh gjithashtu paralele me  lidhjet online në historinë e Kupidit dhe Psikes, një tjetër çift që ka frymëzuar breza artistësh. Psikja ishte shpirtërisht larg nga Kupidi, i cili shkonte tek ajo vetëm netëve. “Për pasojë, ajo zbulon: “ Oh Zot i madh, po bëj dashuri me zotin e dashurisë!” dhe është e ngjashme me lojën kukafshehthi në takimet online, ku njerëzit kanë frikë të zbulojnë veten e vërtetë,” , thotë Mickein.  Në çastin që e bëjnë vërtet, nis edhe marrëdhënia, thotë ajo.

Portreti familjar i  Carl Friedrich Demiani –it,  1806, duket se shfaq një liri të re të martesës për dashuri   (Credit: Kunsthalle Bremen)

Koncepti i çifteve të vërtetë është shumë i lidhur me idenë e dashurisë romantike, që në të vërtetë nisi të fitojë terren rreth 1800 –ës. Përpara, struktura farefisnore apo nevoja ekonomike e politike ishte shpesh shumë më e rëndësishme sesa dashuria dhe, nëse çiftet zgjidhnin të pikturoheshin ishte, në përgjithësi, shenjë e një bashkimi social apo politik. Një pikturë si “Portreti Familjar” i  Carl Friedrich Demiani –it, e vitit 1806, është intriguese sepse duket se shfaq një liri të re të martesës për dashuri.

Takimet e para

Me siguri që në ditët e sotme jemi të lirë të martohemi apo të shoqërohemi me kë të duam. Por kjo liri mund të bëhet dobësi,  ndërsa hyjmë në një rrjedhë të pafundme takimesh monotone në  bastin për të  gjetur  “Të duhurin”.  Video- artistët Katharina Dacrés, Lena Heins  dhe Jakob Weth imitojnë procesin torturues nga filmimet e çifteve, që ulen pranë njëri-tjetrit, ndërsa recitojnë një dialog të shpëlarë, që është dëshpërimisht,  i njohur për këdo që,  ka provuar të krijojë lidhje përmes një aplikacioni takimesh online.

Videoartistët Katharina Dacrés, Lena Heins dhe  Jakob Weth  kanë filmuar çifte që recitojnë bisedat e vogla nga një takim.   (Credit: Dacrés, Heins and Weth)



Takimet online po kritikohen vazhdimisht për fokusin tek dukja, por gënjejmë veten nëse mendojmë se bukuria nuk ka qenë gjithmonë një element madhor i tërheqjes, ku çdo epokë ka pasur idealin e vet estetik.

Në shekullin e 19 –të, modelja italiane Vittoria Caldoni ishte aq e adhuruar nga artistët gjermanë, të cilët jetonin në Romë sa “nga apo epokë të gjitha fytyrat dukeshin si e saj”, thotë Mickein. Ndërsa piktori  Anselm Feuerbach  e  admironte bukurinë klasike, të modeles italiane Anna Risi, aq shumë sa e pikturoi atë,  të paktën 20 herë. Dhe me siguri nuk ishte personaliteti i  

Sylvette David-it, që e tërhoqi Picasso-n, kur e pa në kopshtin ngjitur dhe vendosi se donte ta pikturonte. Ashtu si në botën virtuale, “thjesht gjen dikë tërheqës dhe dëshiron ta njohësh”, thotë Mickein.

Anselm Feuerbach admironte modelen italiane Anna Risi aq shumë sa e pikturoi të paktën 20 herë, si në Instrumentistja  e Mandolinës , 1868 (Credit: Kunsthalle Bremen)

Por, sigurisht bukuria është  subjektive, një fakt që është shfaqur gjerësisht nga artistja fotografe turke, Eylül Aslan  kur vendosi të takonte 25 burra në Tinder dhe pyeti secilin prej tyre se çfarë shihnin tërheqëse tek ajo dhe çfarë jo. Siç edhe pritej, çdo burrë dha përgjigje krejt të ndryshme nga tjetri. Aslan, me zgjuarsi i ngjiti ato në një libër që imitonte butonin e djathtë të Tinder-it, për “po” dhe të majtin për “jo” me fotografitë e pjesëve “tërheqëse” të trupit të saj që shfaqeshin në të djathtë dhe “jo tërheqëset” në të majtë.

Eylül Aslan  takoi 25 burra në Tinder dhe i pyeti se çfarë shihnin tërheqëse tek ajo dhe çfarë jo, për librin e saj  botuar në vitin 2016, Trompe l’Oeil (Credit: Eylül Aslan).

Ideja e “vetë-dashurisë”  ka zakonisht ngjyresë negative në historinë e artit, me imazhe të figurave përballë pasqyrës që përdoren për të treguar narcizizmin. Por për Mickein-in është më shumë rreth “pasqyrimit të marrëdhënieve tona, sesi e trajtojmë njëri-tjetrin dhe përballemi me nevojat tona”.

Diçka që artisti holandez Dries Verhoeven e ka gjetur soditëse, pas një periudhe të gjatë të përdorimit të aplikacioneve si Grindr. Verhoeven  nuk beson se “bota online është më pak e vërtetë se ajo offline” – por ai mendon se “ata na bëjnë të paraqesim pjesë të ndryshme nga ajo çka jemi vërtet”.  Online, Verhoeven  ka zbuluar se fokusi priret të jetë te seksi dhe takimet rastësore,  sesa tek intimiteti, pasi “shumë nga aplikacionet e lidhjeve për gay-t nuk ju inkurajojnë të jeni të brishtë dhe të paqartë,” thotë ai.

Dries Verhoeven ka kaluar 10 ditë në  një kontejner me fasadë xhami, ndërsa komunikonte me burra,  përmes aplikacioneve të lidhjeve,  për të eksploruar intimitetin  (Credit: Studio Dries Verhoeven/Willem Popelier).

Ai nisi  të pyesë veten se ç’do të ndodhte nëse përdorte “ sferën seksualisht eksplicite, për të shprehur gjithashtu nevoja të tjera.” Rezultati ishte  “Do të luajmë” (Dashuria  në kohët e Grindr-it), në të cilën  Verhoeven  kaloi dhjetë ditë brenda një kontejneri me fasadë xhami, ndërsa komunikonte me djem përmes një sërë aplikacionesh – me të cilët do të mund të takohej për të bërë aktivitete jo seksuale si të gatuanin bashkë apo të vallëzonin.

Verhoeven  prej asaj kohe u bë “më kritik rreth zhvillimeve që na bëjnë të objektivizojmë dhe të konkurrojmë me njëri-tjetrin”, por pranon se megjithëse “në dietën e Grindr-it, ende e përdor, kur kërkoj për seks”.

Mish dhe gjak

Ana erotike e dashurisë ka qenë një burim pjellor frymëzimi përgjatë historisë së artit. Megjithëse artistët nuk kanë qenë gjithnjë eksplicitë, gruaja me ndarjen madhështore në  pikturën e vitit 1632 të piktorit Christiaen van Couwenbergh,”Dashnorët”, na lë pak dyshim rreth qëllimeve kundrejt djalit të ri, krah saj ndërsa ajo bën gjeste drejt shtratit.

Dashnorët, piktura e Christiaen van Couwenberg-it, e vitit 1632,  është në seksionin erotik të ekspozitës “Çfarë është dashuria?” (Credit: Kunsthalle Bremen)

Nga fundi i shekullit të  19 –të, megjithatë, artistë u ndien më të lirë të sfidonin konvencionet. Në pikturën e vitit 1895 të Edward Munch, “Puthja”, trupat e zhveshur duket se shkrijnë në njëri-tjetrin në një përqafim pambarim.

Te piktura “Puthja” e  vitit 1895, e piktorit Edward Munch, trupat e dashnorëve shkrihen ndërsa puthen. (Credit: Kunsthalle Bremen)

Ky imazh do të frymëzonte më pas artisten indiane  Indu Harikumar  kur  krijoi ilustrimet për 100 Rrëfenjat e Tinder-it. Harikumar  u kërkoi njerëzve t’i dërgonin përvojat e tyre të përdorimi të aplikacionit, të cilat më pas i botoi me një ilustrim të frymëzuar prej historive. “Lidhje e Menjëhershme” ,  ishte rrëfenja e një marrëdhënieje virtuale që përfundoi në dhomën e gjumit,  pesë minuta pasi çifti u takua për herë të parë në jetën reale dhe më pas,  lulëzoi në një dashuri që zgjati.

Indu Harikumar u frymëzua nga Munch, për një prej ilustrimeve të saj në serinë “100 Rrëfenjat e Tinder-it”, realizuar më 2016 –ën. (Credit: Indu Harikumar)

Por është pa dyshim, vetë Venera, perëndesha e dashurisë dhe nëna e Kupidit, e cila dëshmoi të ishte muza më e madhe e artistëve,  kur vjen fjala te portretizimi i dashurisë dhe dëshirës, megjithëse jeta e saj dashurore ishte larg prej idilit të përsosur.

“Venera ishte e martuar me Vulkanin, por Kupidi nuk është fëmija i tyre, ai është fryti i një marrëdhënieje jashtëmartesore me Marsin”, shpjegon Mickein. “Dashuria nuk është e thjeshtë apo e qartë. Dashuria është komplekse”, thotë ajo. Me apo pa ndihmën e internetit, asgjë nuk do e ndryshojë. Kjo mbase është arsyeja se pse nuk mund të gjendet  ndonjëherë mishërim më i përsosur i dashurisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë