Në vitin 1997, Johanna Neumman i dërgon një kërkesë Yad Vashem-it, Muzeut të Holokaustit në Jerusalem, që përkujton dhe përjetëson emrat e 6 milionë viktimave të Holokaustit.
Hebreja, që i shpëtoi gjallë shoah-ut të tmerrshëm të historisë njerëzore kur qe fëmijë, kërkonte që në murin e kopshtit të të drejtëve, në këtë memorial, të shkruheshin emrat e shqiptarit Njazi Pilku dhe gjermanes Lizalotte. Ata kishin strehuar për tre vite, në një vilë verimi në Durrës, tre anëtarët e familjes Gerechter, hebrenj nga Hamburgu, të cilët ishin arratisur prej Gjermanisë për t’i shpëtuar torturave dhe vdekjes së sigurt.
Familja Gerechter kishte mbërritur në Shqipëri në fillim të vitit 1939. Të dëshpëruar dhe në kërkim të shpëtimit ata ishin ndalur në Itali. Aty kishin dëgjuar se Mbreti i shqiptarëve Zogu, nga gëzimi i lindjes së trashëgimtarit Leka kishte nxjerrë një dekret, ku u jepte shtetësinë shqiptare të gjithë të huajve që gjendeshin në Shqipëri. Ishte e vetmja fije shprese për ta. Pas ecejakeve nëpër qytetet e Shqipërisë, stacioni i fundit ishte Durrësi.
I gjendur një ditë në xhaminë ku kishte kontribuuar në projektim, në qytetin e Durrësit, inxhinieri Njazi Pilku pikasi një burrë, që kundronte mozaikët. I panjohuri dukej se e çmonte artin e bukur. Burri me emrin Siegbert Israel Gerechter i foli në gjuhën gjermane.
Njazi Pilku, i cili kishte studiuar në Gjermani, dëgjoi për fatin e keq të familjes Gerechter; bashkë me të shoqen Alice dhe të bijën Johanna prej disa vitesh endeshin nëpër Shqipëri, për t’i shpëtuar vdekjes. Zoti Pilku ndjeu keqardhje të thellë dhe atë ditë vere i hapi dyert e vilës së tij të vogël të verimit në Durrës.
Për tre vite ata do të strehoheshin aty, do të merreshin edhe me punë të ndryshme për të siguruar jetesën.
I vogli i familjes Pilku, Edipi, u miqësua me Johanna-n, të cilën në rrugë e thërrisnin Flutura, për të mos tërhequr dyshimet. Por edhe mosbesuesve, djemtë e familjes u gjegjeshin se ishin kushërinjtë nga Gjermania, nga ana e së ëmës, Lizalotte-s, e cila kishte lënë për dashurinë atdheun dhe fenë protestante, duke u konvertuar në Islam, fenë e bashkëshortit Njazi.
Për Johanna-n e vogël, ritualet e fesë islame në xhami, ishin të ngjashme me ato të fesë së saj, Judaizmit.
Në fund të Luftës së Dytë Botërore më 1944-ën, familja Gerechter largohet përgjithmonë nga Shqipëria. Njazi Pilku i përcolli në port dhe fatet e dy burrave, që ishin takuar në dyert e një xhamie u ndanë përgjithmonë.
Hebreu u vendos përfundimisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa shqiptari pushkatohet një vit më pas më 1945 nga Partia Komuniste, e sapoardhur në pushtet.
Njazi Pilku vdiq në moshën 45 vjeçare duke lënë pas dy djemtë dhe gruan gjermane. Në familjen e tyre nuk u fol më kurrë për shpëtimin e familjes hebreje
Përpjekjet e Johanna Gerechter Neumman për të kontaktuar Pilkët kishin qenë të vazhdueshme, por pa dobi në izolimin e tmerrshëm komunist. Kontaktet u vendosën vetëm pas rrëzimit të regjimit. Në vitin 1998, Familja Pilku nderohet me titullin “Të drejtët mes kombeve” në një ceremoni organizuar nga shoqata e miqësisë Shqipëri-Izrael, në qytetin e Librazhdit.
Refik Veseli është shqiptari i parë i nderuar me titullin ”Të Drejtë Mes Kombeve” nga Yad Vashem, në vitin 1987.
Refiku e mori zanatin e fotografit nga një hebre, Moshe Mandil. Ky u dëbua nga forcat italiane nga Prishtina në Tiranë. Kur Shqipëria u pushtua nga Gjermania, Refiku i strehoi katër anëtarë të familjes Mandil dhe tre anëtarë të familjes Benjosef në shtëpinë e tij , në Krujë. Të shtatë hebrenjtë qëndruan atje deri në çlirimin e Shqipërisë.
Një nga fëmijët që ai shpëtoi, Gavra Mandil, u rrit në Izrael dhe në vitin 1987 bëri një apel personal për presidentin e Shqipërisë në atë kohë që ta lejonte familjen Veseli për një vizitë në Izrael, në ceremoninë e dhënies së titullit. Çuditërisht, presidenti i Shqipërisë ra dakord, dhe Refiku dhe gruaja e tij u lejuan të udhëtonin në Jerusalem. Në vitin 2004, pas publikimit së dokumentacioneve shtesë, Yad Vashem e nderoi Hamid dhe Xhemal Veselin me titullin “Të Drejtë mes Kombeve”.
Një familje tjetër shqiptare e gatshme për të rrezikuar jetën dhe shpëtuar hebrenjtë ishte edhe familja Hoxha, që strehonte Aron Aladjemin dhe prindërit e tij që, pasi u arrestuan nga policia shqiptare, iu dorëzuan vendasve simpatizantë dhe jo autoriteteve pushtuese.
Nuro Hoxha ishte një mësues mysliman dhe njeri i fesë. Ai mbylli dyqanin e tij të ëmbëlsirave në një prej ditëve më me xhiro të vitit dhe e strehoi familjen Aladjem në shtëpinë e tij duke hapur një dhomë për ta.
Aty gjendeshin tre breza të familjes së Ilia Solomonit dhe Mojsi Negrinit (dy prej familjeve hebreje që ata strehuan), në total 12 persona.
Nuro Hoxha u vlerësuar me titullin “Të Drejtë Mes Kombeve” në vitin 1992. Në vitin 2000, Rexhepi bëri veprimin e tij të miqësisë, duke u kthyer tre libra hebraikë lutjesh, që familja e Aladjemit kishte lënë në shtëpinë e tij, tek pasardhësit e tyre në Izrael.
Familja Biçaku nga Qerrishta e Elbasanit, një familje e varfër me zemër të pasur, strehoi 26 hebrenj.
Një hebre shqiptar, Rafael Jakoel, kujton më vonë momentin kur në vitin 1943 ushtarët gjermanë u futën në Shqipëri. Rafaeli dhe kunati i tij shkuan në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, dhe u takuan atje me Xhafer Devën, ministrin e Brendshëm të Shqipërisë në qeverinë fashiste, që po bashkëpunonte me gjermanët.
Ministri Deva u tregoi kunetërve hebrenj një listë të hebrenjve që autoritetet gjermane i kishin kërkuar. Ministri nuk ua dha kurrë gjermanëve këtë listë.Anëtarët e tjerë të familjes Jakoel u fshehën nga nënkryetari i bashkisë së Vlorës. Fëmijët e Jakoelëve luanin me fëmijët e nënkryetarit të bashkisë dhe hiqeshin sikur ishin edhe fëmijët e tij. Pas luftës, Rafael Jakoel, si shumë hebrenj të tjerë shqiptarë, iku në Izrael.
Më 2007-n, presidenti Bujar Nishani dekoroi 35 familje dhe individë shqiptarë, të cilët strehuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke i dekoruar me titullin “Nder i kombit”.
Mes atyre që u nderuan për kontributin dhe lartësimin e vlerave të mikpritjes, bujarisë dhe besës ishin familja Balla, Biçaku, Budo Çiftja, Frashëri, Hoti, dy familje me mbiemrin Hoxha familja Kadiu, Kasapi, familja Kona, Meça, Mysto, Nosi, Orgocka, Panariti,Ruli, Sharri, Sheko, Pashkaj, Pilku, Shkurti, Shpuza, Toptani, Xhyheri, Zyma. Shumë prej tyre si Njazi dhe Liza Pilku, Nuro Hoxa, Mikel Kilica, Kasem Jakup Kocerri, Mihal Lekatari, Muasil Dulaj, Beqir Qoqja, Asllan Rezniqi dhe Eshref Shpuzës u nderuan pas vdekjes.
Shqiptarët nuk dorëzuan asnjë prej hebrenjve, të cilët u hapën portën dhe zemrën dhe personazhe të shquar si shkencëtari Albert Ajnshtajn përfituan nga një pasaportë shqiptare. Thuhet se ai qëndroi në bregdetin e Durrësit për tri ditë e më pas mori lundrimin drejt botës së lirë.
Megjithë përpjekjet e mëdha, inteletualët shqiptarëë nuk arritën të shpëtojnë në kohë albanologun Norbert Jokli, ndonëse kishin kërkesa ndaj qeverisë naziste për ta punësuar në Bibliotekën Kombëtare, ai përfundoi në kampet e përqendrimit dhe nuk mundi të mbijetojë.
Më 27 janar të vitit 1945, Auschëitz-Birkenau, kampi më i madh nazist i përqendrimit dhe i shfarosjes, u çlirua nga Ushtria e Kuqe. Prej asaj kohe, u kthye në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.
Në Tiranë, gjashtë milionë viktimat u përkujtuan në Memorialin e Holokaustit, në kodrat e Liqenit, në një ceremoni ku morën pjesën kryebashkiaku Veliaj dhe ambasadori i Izraelit në Shqipëri, Noah Gal Gendler, nënvizoi se Shqipëria është një shtet model, i cili duhet ndjekur për veprat e mira.
“Jemi krenarë që jemi këtu dhe ndiejmë detyrimin t’ia rrëfejmë gjithë botës historinë tuaj. Historia juaj nuk është vetëm një histori e së shkuarës, por i përket edhe së ardhmes, brezave që do të vijnë, dhe kjo është diçka unike dhe e pabesueshme”, u shpreh ambasadori Gendler. Shqipëria është jo vetëm dëshmitare e dhimbjes dhe vuajtjeve që mbartnin hebrenjtë e përndjekur nga gjenocidi, por streha me besnike që ata mundën të gjenin dhe të ndjeheshin te mbrojtur.
Sipas Muzeut Yad Vashemit “shqiptarët u përpoqën shumë për t’u siguruar ndihmë, për më tepër ata konkurruan me njëri-tjetrin për privilegjin për shpëtimin e hebrenjve. Këto veprime e kishin origjinën te dhembshuria, te mirësia që buronte nga dashuria dhe te dëshira për të ndihmuar njerëzit në nevojë, edhe pse këta të fundit ishin të një feje apo origjine tjetër”.
Sot, 75 pemë rriten në Jerusalem, ku secila prej tyre është një memorial për një hero shqiptar, i cili ka marrë titullin “Të Drejtë Mes Kombeve”. Përgatiti: Gazeta Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.