Art dhe Kulture

Kadare… Edhe njëherë për Nobelin!

Kanë kaluar pesë vite nga kremtimet e mëdha për ditëlindjen e 80-të të shkrimtarit të njohur, që kulmuan me kthimin në muze të shtëpisë së tij të vegjëlisë, në Gjirokastër dhe tre vite, siç rrëfeu vetëm pak kohë më parë bashkëshortja e tij, Helena, se ai nuk e priste më çmimin Nobel.

Ndonëse shkrimtari mund të jetë dorëzuar, këtë nuk e ka bërë Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Në 85 vjetorin e lindjes, më 28 janar, në fund të konferencës shkencore “Ismail Kadare, shkrimtar shqiptar në letërsinë botërore”, kreu i Akademisë, Skënder Gjinushi do të njoftojë zyrtarisht rikandidimin e shkrimtarit shqiptar për çmimin prestigjioz të Akademisë Suedeze.

Kadare, i cili është shfaqur rrallë, që pas botimit të librit të fundit “Kur sunduesit grinden”, pak ditë më parë ishte i pranishëm në një takim me të rinj, në qytetin e Kavajës.

Takim që nuk kaloi pa ngjallur debat me gazetarëve të kulturës, të painformuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit rreth takimit që shkrimtari kish parapëlqyer ta organizonte pranë shtëpisë në plazh, në fshatin Qerret, një nga stacionet e çiftit Kadare, kur ndodhen në Shqipëri.

Helena dhe Ismail Kadare, në një takim me të rinjtë e Kavajës.

“Letërsia në komunizëm, ishte e pavlerë për shpirtin njerëzor. Kënaqeshim me lugë të zbrazët, flitej për gjoja njerëz”, do t’u thoshte shkrimtari të rinjve, ndërsa shpesh është shigjetuar se ka qenë i parapëlqyeri i regjimit.

Në librin eseistik, botuar dy vjet më parë, përmes marrëdhënies së nderë mes shkrimtarit rus Boris Pasternak dhe Stalinit, Kadare rreket të paralelizojë përvojën e tij me regjimin dhe me vetë diktatorin Hoxha.

Të tjerë mendojnë se ishte fama ndërkombëtare që mori veçanërisht me librin “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, që do të zgjonte edhe interesin e kineastëve europiane, përveç botuesve francezë dhe lexuesve që depërtonin kështu në perden e hekurt të vendit të izoluar në bregun e Adriatikut, përmes letërsisë së Kadaresë. Ishte kjo famë që ndoshta e mbajti larg dorën e regjimit nga njeriu i letrave.

“Më 1960 isha një shkrimtar tepër i njohur në Shqipërinë staliniste. Ndërkaq më 1970 ndodhi diçka e rrallë: Pas përkthimit të një libri në Paris, për një kohë të shkurtër fitova njohje botërore, çka në atë kohë do të thoshte njohje perëndimore”, rrëfente në një intervistë të viteve më parë shkrimtari, i vetëdijshëm se si ngjarje e mrekullueshme, mund të të kthehet befas kundër.

Shkrimtari dhe diktatori – Kadare në shtëpinë e Enver Hoxhës

Shkrimtari gjendet midis një dyshimi të vazhdueshëm. Në thelb të dyshimit është pyetja: përse bota perëndimore, ‘borgjezia’, armikja jonë e betuar, ndërsa urren Shqipërinë tonë heroike, bolshevike etj., ty të pëlqen kaq fort?

“Nëse një shkrimtar e merrte seriozisht realizmin socialist ishte i destinuar të dështonte”, do të thoshte Kadare me të rinjtë, që i drejtonin pyetjet rreth jetës së tij në letërsi. “Letërsia e vërtetë nuk e lë shkrimtarin të gabojë”, është i bindur shkrimtari, duke u ndalur edhe tek akuzat dhe kritikat që ka sjellë romani “Dimri i Madh” dhe “Koncert në fund të Dimrit”’, ku ai portretizon diktatorin Hoxha.

“Ai del i mjerueshëm në të dyja. Por këtë nuk ia thoshte njeri, sepse nuk mundej dhe vetë ai duhet të dini që, tiranët besojnë në lavdi. Thonë që e kam parë me adhurim, më thoni ku është madhështia? Te ecja e tij e hallakatur, të përballja me Hrushovin, ku përmend vetëvrasjen?!”, argumenton Kadare duke u kthyer pas në kohë.

Siç shprehej dikur ai, në një regjim mizor mund të zhvillohet një letërsi e klasit të parë dhe është regjimi ai që përpiqet të përfitojë prej saj. “Janë të njohura klishetë për letërsinë që e nderon vendin, etj., duke nënkuptuar, madje, regjimin. Letërsia nuk e ka bërë kurrë këtë. Në qoftë se është fjala për nderim, ajo ka nderuar vetveten”.

Kritiku francez Stéphane Courtois, pasi pat lexuar “Koncert në fund të dimrit”, qe shprehur se nuk kishte lexuar libër më antikomunist se ai.

Sipas bashkëshortes, Helenës janë tri veprat, botimi i të cilave u ka hapur probleme, ndër ta Dimri i Madh, Pallati i Ëndrrave dhe Pashallarët e Kuq.

Kadare në takimin e Kavajës, pak ditë më parë.

I botuar fillimisht si Dimri i Vetmisë së Madhe, më 1971-shin, romani hasi në një fushatë kritikash, që do e bënin romanin i cili në vetëm një ditë shiti 25 mijë kopje të mos ribotohej. Roman që përshkohet nga një lloj ankthi ekzistencialist, e cilësoi kritika e regjimit, e zhgënjyer me tonet e zymta.

“Te rasti i shkrimtarëve të njohur, sa më e madhe të jetë njohja, aq më dramatik bëhet problemi. Një diktaturë nuk e duron dot autoritetin paralel, pa përmendur smirën, tiparin shpesh numër një të çdo sunduesi”, shprehej dikur shkrimtari.

Kadare e rishikoi romanin, i cili më vonë u titullua “Dimri i Madh”. Kritika të ashpra shkrimtari mori edhe me poemën Pashallarët e Kuq, ndërsa një botim i viteve të fundit nga studiuesi Dashnor Kaloçi, “Kadare në 101 dokumente të Pallatit të Ëndrrave” , sjell denoncime, kritika e raporte të fshehta, shpesh herë nga kolegët, ndaj shkrimtarit Ismail Kadare.

Kadare duke vizituar shtëpinë-studio, kthyer muze, në Tiranë.

“Ndërhyrjet që kam bërë unë në vepra, kanë të bëjnë me disa justifikime për budallenjtë. Dikur mendjet e budallenjve, kishin rëndësi, sepse vendosnin, ndaj ndërhyj për këtë arsye”, do të argumentonte shkrimtari rishikimet e librave të tij. Thotë se i qetëson ndërgjegjen, ose kështu parapëlqen ta shohë, kur punon mbi një vepër të botuar më herët dhe e rishikon. Sipas tij kjo është letërsia e lumtur dhe janë letërsitë e lumtur, ato që sipas Kadaresë, e dominojnë veten.

Makina e shkrimit, në shtëpinë-studio Kadare

Për të shoqen, Helenën, lumturia e shkrimtarit, dikur ishte të ulej në makinën e shkrimit, pranë oxhakut, në atë që sot është shtëpia-studio Kadare, e hapur për vizitorët, në rrugën e “Dibrës”, dikur e pagëzuar nga të rinjtë që jetuan nën komunizëm si “Brodway”.

Sot, në moshën 85 vjeçare, shkrimtari thotë se lumturia është e pagjindshme, ose atë njeriu e kupton vonë. “Mund të them se krijimtaria, është lumturi e herëpashershme e vazhdueshme”, shprehej ai, që siç do të rrëfente e shoqja Helena pak kohë më parë, Kadare nuk ka një dorëshkrim të ri në dorë.

Shkrimtari Ismail Kadare. Foto kortezi: Florion Goga

Telefoni i tyre i shtëpisë nuk pushoi së rëni sa herë ndaheshin çmimet Nobel, kujtonte Helena. Vetë Kadaresë, i dukej një zakon i bukur që, kur afronte koha e këtij çmimi, ashtu siç ndodh me afrimin e Krishtlindjeve, “…kur bëhen pyetjet e njohura ku do t’i kaloni festat etj.,etj., shumë njerëz pyesin për këtë çmim. Mendoj se letërsia duhet t’i jetë mirënjohëse kësaj vëmendjeje, qoftë disi naive, të publikut botëror”, e mendonte ai.

 Në raftet e vlerësimeve, ai ka një sërë çmimesh prestigjioze si “Man Booker Prize”, “Princi i Asturias” apo “Jerusalem” dhe së fundi “Neustad”, çmimi amerikan i etiketuar shpesh për nga rëndësia si Nobeli amerikan. Mes shkrimtarëve të mëdhenj që e kanë fituar janë Oruell e Kafka dhe 32 lauretarë janë nderuar më vonë me Nobelin.

Kjo ndoshta e ka bërë edhe njëherë kreun e Akademisë së Shkencave, t’i propozojë edhe njëherë Akademisë Suedeze emrin e Ismail Kadaresë si kandidat për çmimin Nobel në Letërsi. /Përgatiti: Gazeta “Si”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë