Lulzim Basha duket se është përballë presionit të disa prej aleatëve në lidhje me hartimin e listave të kandidatëve për zgjedhjet e 25 prillit. Aktualisht, kreu i opozitës e ka zgjidhur këtë problem vetëm me Nard Ndokën, Agron Dukën dhe Dashamir Shehin, duke i vendosur në lista të sigurta përkatësisht në Shkodër, Durrës dhe Tiranë.
Diskutimet janë përqëndruar më fort me aleaten historike; Partinë Republikane. Burime të gazetës “Si” thonë se Fatmir Mediu kërkon vende të sigurta fituese në listë jo vetëm në Tiranë, por edhe në rrethe, ndërsa propozimi fillestar i Bashës ka qenë vetëm përfshirja e emrit të tij në kryeqytet. Pritshmëritë janë që të dyja palët do të gjejnë deri ditën e hënë gjuhën e përbashkët.
Por, diskutime të vështira ka edhe me Shpëtim Idrizin e PDIU-së dhe me Vangjel Dulen e PBDNJ-së. Këtu, më shumë se kërkesat për vende të sigurta përpjekja e Lulzim Bashës për momentin është përqëndruar në ruajtjen e balancave dhe përfshirjen e të dyja subjekteve në listën e përbashkët të Partisë Demokratike.
Për momentin, thonë burimet e gazetës “Si”, ky duket një mision i vështirë, por jo i pamundur. Nga ana e PDIU-së nuk ka vërejtje për përfshirjen në të njëjtin koalicion me PBDNJ-në, por Vangjel Dule, si përfaqësues i minoritetit grek i ka përsëritur Lulzim Bashës qëndrimin se nuk bëhet pjesë në të njëjtën listë me Shpëtim Idrizin.
Përplasja mes dy aleatëve “armiq” duket se ka detyruar Partinë Demokratike që të përgatitet për të gjitha skenarët. Në të parin është përpjekja për t’i përfshirë bashkë të dyja partitë, duke i ofruar Vangjel Dules vendin e sigurtë në listat e Vlorës ose të Korçës dhe Shpëtim Idrizit vendin e sigurtë në Tiranë.
Kjo ofertë e Bashës, thonë burimet, në mos e kundërshtuar, mund të thuhet se është pritur me rezerva nga të dyja palët. Veç vendit të sigurtë në Tiranë, PDIU kërkon edhe një emër në listën e sigurtë të Fierit dhe përflitet edhe për një emër në listën e luhatur të Elbasanit e Vlorës.
Vangjel Dule nga ana tjetër, thonë burimet, “ndihet i joshur” nga oferta për t’u përfshirë vetë në listën e sigurtë të Partisë Demokratike në Qarkun e Korçës, por kërkon edhe përfshirjen e të paktën një emri tjetër nga PBDNJ në Vlorë, ose në Gjirokastër, çka pas 25 prillit do të shtonte zërat e minoritetit grek në Kuvend.
Por, nuk është sekret që të paktën Vangjel Dule është në bisedime edhe më LSI-në, që do të dalë me listat e saj në këto zgjedhje. Burimet thonë se nëse LSI i bën të njëjtën ofertë PBDNJ-së, atëherë është i sigurtë largimi i kësaj force politike nga Partia Demokratike.
Për të mos u zënë të papërgatitur nga ky skenar, drejtuesit e Partisë Demokratike duket se kanë nisur një proces grumbullimi informacioni me bazën për të vënë në kandar peshën elektorale të mundshme më 25 prill të të dy aleatëve “armiq”.
Burimet thonë për gazetën “Si” se bazës së Partisë Demokratike në disa qarqe ku si PDIU, ashtu edhe PBDNJ kanë pasur peshë elektorale që s’mund të shpërfillet, i është kërkuar informacion mbi pritshmëritë e rezultatit që mund të kenë këto dy parti në zgjedhjet e 25 prillit. Në këtë pjesë, “kandari” mund të favorizojë PDIU-në, për peshën e saj në qarqet si Fieri, Vlora dhe Elbasani, ndërsa PBDNJ mund të jetë aktor përcaktues në rezultat vetëm në Vlorë dhe Gjirokastër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.