U ka rezistuar kohëve, thuajse i pandryshuar, me formën e tij të vjetër duke e kthyer edhe teknologjinë në një mjet shprehës së tij, me kalimin e epokave. Por, ndoshta për të parën herë në historinë e dokumentuar të qytetërimeve, teatri do të gjendej përballë sfidës më të madhe; koronavirusit.
“Përse do ta mbante Teatrin një shoqëri?”, është një nga pyetjet që shqetëson sot mendjet e krijuesve, në një botë të çuditshme, që i ngjet atyre distopike dhe imagjinare, pa teatër. Por bashkë me këtë pyetje që mbështjell frikë e pasiguri, një tjetër ngrihet, thotë regjisorja e teatrit, Sonila Kapidani. “Si mund të bëhet më mirë Teatri që të bashkojë njerëzit në atë çfarë kanë më të fortë – Humanitetin?!”
Këtë rrekën të bëjnë edhe në teatrin e Metropolit, që ishte ndër të paktët institucione të artit skenik i cili guxoi të sfidonte pandeminë, duke realizuar të katërtin edicion të MetroFest.
Ndryshe nga shumë teatro, që disa shfaqje të repertorit i sollën online për publikun, stafi i Metropolit rikthyen shijen gati të harruar të radiodramatizimeve, në një kohë kur radioja ishte aparati teknologjik i një kohe dhe syri, veshi e emocioni përçoheshin nga zërat e aktorëve tek dëgjuesit, përmes valëve dhe imagjinatës së ndezur.
Në kohë të largëta gërmuan jo vetëm formën shprehëse për t’iu qasur një publiku artdashës, por edhe dramën shqipe. MetroFest, kërkoi dhe solli të parën dramë shqipe, gjetur mes arbëreshëve të Italisë.
“Emira”, tragjikomedhja e Antonio Santorit konsiderohet si e para dramë shqipe, nga prifti, poeti, shkrimtari dhe dramaturgu arbëresh, i cili edhe ngjarjet i ka vendosur në qytezën e tij Shën Katerinën e Shqiptarëve, në Kozenca të Italisë.
“Sikur malli i dikurit të largët (teksti i parë dramatik në gjuhën shqipe që njihet deri më tani) dhe jo shumë të largët (radio drama) na tregoi rrugën”, thotë regjisorja Kapidani, ndërsa vijon se e gjitha i ngjante një territori të ri, nga kohë e vjetër…
Më shumë sesa forma, kthimi pas tek radiodramatizimi, ishte përmbajtja një sfidë më vete për trupën e aktorëve.
Me shqipen e ruajtur me besnikëri, nga koha e Skënderbeut, kur arbërorët i lanë trojet mëmë për t’u vendosur ca në Kalabri e ca në Sicili, teksti i Emirës dukej si përballja me një gjuhë të huaj, siç për italianët e sotëm mund të jetë fjala vjen latinishtja.

Kapidani, drejtuese e MetroFest 4, rrëfen përvojën dhe sfidat me gjuhën arbëreshe e veçanërisht atë të Santorit, thotë se ky edicion ishte një laborator i mirëfilltë njohjeje dhe edukimi, ku veç pesë serive të audio-dramatizuara të Emirës, ku dëgjon të folmen e këndshme arbëreshe që të kthen pas në shekuj, u ngritën edhe tryeza diskutimi, që i kapërcyen kufijtë, me studiues shqiptarë e italianë, të cilët përmes videos prezantuan përvoja, mendime dhe këndvështrime mbi rëndësinë e njohjes dhe trashëgimisë dhe fuqisë që teatri ka në aspektin edukativ. U diskutua jo vetëm mbi veprën e Santorit, shkruar përgjatë shekullit 19, por edhe për mundësitë që mund të ofrojë teatri në programet shkollore me përcjelljen e trashëgimisë gjuhësore.
“Kjo pandemi na bëri të gjejmë një rrugë të re të jemi bashkë me njëri-tjetrin duke zbuluar të reja mbi veten, por edhe me kultura të tjera për të njohur më shumë mbi njëri-tjetrin dhe për të ndikuar në empatinë njerëzore, që sidomos në çaste të vështira ka nevojë të ndjehet edhe më”, shkruhej në faqen e Facebook, të teatrit të Metropolit, që kësaj here më shumë se kurrë u shndërrua në agora të gjallë të Teatrit.
Pesë ditë që shërbyen për të njohur më shumë rrënjët e dramës shqipe, por edhe një kulturë e traditë të konservuar si në kapsulë kohe, që u shërben brezave, për ta ndjerë komunitetin arbëresh jo vetëm si një kuriozitet antropologjik, por të gjallë e ndërveprues , pse jo edhe ndihmues për përtëritje të gjuhës, me shqipen e tyre të pastër prej turqizmave dhe me fjalë që o e kanë humbur kuptimin me kohën ose kanë mveshur tjetër kuptim.
Ky festival teatror u realizua jo vetëm për të vijuar me atë që mëton të kthehet në traditë të teatrit të kryeqytetit, por edhe për të treguar se arti i ka sfiduar gjithnjë pengesat e kohëve, qofshin ato politike apo fenomene natyrore.
“Epokat kanë ndryshuar dhe do të vazhdojnë të ndryshojnë në historinë e botës. Si vendi ku njerëzit përjetojnë këto përvoja të përbashkëta dhe reflektojnë mbi to, Teatri kërkon prani dhe qëndron mbi praninë”, thotë e bindur regjisorja Kapidani, me shpresën se shpejt teatri dhe të gjithë njerëzit e tij do të zgjohen nga një ëndërr e keqe e do t’i kthehen realitetit me fuqinë e katharsisit që ka arti skenik…
Ndërsa shumë teatro i kanë mbyllur dyert dhe festivale teatrosh nuk po realizohen, ju nuk hoqët dorë me MetroFest, duke gjetur një mënyrë në mes të pandemisë për të sjellë edicionin e katërt. Si e menduat zgjidhjen përmes podcast?
Çdo sezon i ri teatror nis nga pyetja si do ta realizojmë këtë herë të qenit bashkë me publikun. Ky vit, ndryshe nga të tjerët dhe ndryshe nga vetë prania teatrore, kishte si kusht bazë distancën. Diskutuam disa mënyra me të cilat MetroFest mund të realizohej dhe fitoi ideja që ndoqët. Sikur malli i dikurit të largët (teksti i parë dramatik në gjuhën shqipe që njihet deri më tani) dhe jo shumë të largët (radio drama) na tregoi rrugën. Kemi krijuar një ekip bashkëpunues në Metropol që së bashku me mendimin kritik në vlerësimin e realizimeve nxitet dhe dëshira për t’ia dalë mbanë e kështu i dhamë dritën e këtij laboratori që takoi me publikun tragjikomedhjen e Antonio Santorit. Kishim pikëpyetje dhe njëkohësisht kureshtje. Gëzimi i takimit të një territori të ri nga koha e vjetër na mundësoi realizimin. Dhe mendimi se ai kishte bërë kaq shumë për gjuhën shqipe dhe në një farë mënyre edhe ne po bënim diçka për të, po i jepnim kuptim veprës së tij përmes takimit me publikun, vendi ku duhet të marri plotësi çdo letërsi dramatike.
Ndërsa bota shkon drejt zhvillimit teknologjik dhe u duk se disa forma ishin të vjetruara, pandemia sikur i ktheu sytë pas për disa të tjera, si radiodramatizimi. Cila ishte e bukura, por edhe sfiduesja, së pari duke rikthyer këtë formë të dramatizimit, por edhe duke hequr dorë nga disa elemente të teatrit, si plastika, ndërveprimi në skenë, publiku përballë?
Vështirësitë e këtij viti na dhanë përveç shqetësimit edhe mundësi reflektimi. I gjithë procesi realizues ishte plot sfida ngazëlluese. Një vepër e gjatë, me disa botime dhe plot të panjohura që së fundmi nga ASA kishte parë edhe një botim të plotë të rrugëtimit. Nxitur nga e panjohura përgatitëm një skemë pune që na rezultoi e saktë. Në rrethana të tjera një realizim i plotë teatror do të ishte shumë i vështirë dhe do të kërkonte shtrirje të gjatë në kohë. Mes leximit ekspresiv radiofonik mundëm të bëjmë një hulumtim bazë, të njohim, të kuptojmë e njëkohësisht i përcollëm tek publiku dhe hapëm një rrugë të re për më tutje. Pasurimi i aktorëve me zëra të rinj dramatikë ishte një aspekt i bukur i punës. Zhvilluam me prof.dr.Merita Bruci një punëtori prej gjashtë orësh mbi gjuhën, melodinë e saj, theksat dhe veçori të tjera…MetroFest është i ideuar si formë njohjeje dhe kërkimi dhe në këto rrethana të reja nga distanca duket se ofruam rrugë kërkimi dhe njohjeje për publikun, edhe për artistët, edhe për edukatorët.
Që në ngjizje MetroFest, jo vetëm ka pasur kryefjalë dramën shqipe, por veçanërisht atë të arkivave, atë pak të njohurën, të zhytur në pluhurin e bibliotekave, që shpesh ju jo vetëm e keni shpluhuruar, por i keni dhënë jetë në edicionet e këtij festivali. Këtë vit keni shkuar larg, jo vetëm në atë që konsiderohet si drama e parë shqipe, e arbëreshit Santori, por edhe larg fizikisht, krijuar në një terren gjeografikisht larg trojeve shqiptare dhe me një të folme të ruajtur thuajse si në një kapsulë kohe, nga epoka e Skënderbeut. Si u prit “Emira” dhe gjuha arbëreshe? Sa sfiduese ka qenë për të gjithë stafin, aktorët së pari për ta kuptuar tekstin e më pas për ta përcjellë tek dëgjuesi?
Tani qeshim me herën e parë dhe vështrimin në sytë e gjithsecilit. Dhe në fakt u jam mirënjohëse aktorëve për besimin që më dhanë. Trashëgimia jonë e dramaturgjisë ka qenë e vakët në njohje dhe nuk i është dhënë mundësia që të provojë frymëmarrje skenike apo të krijojë stil dhe interpretim e më pastaj të mendohet edhe si qëndrim kulturor e shoqëror. Për aktorët ishte drojë e madhe dhe një mundësi e bukur rritjeje, zbulimi të mënyrës se si e përdorin zërin, mbi të cilën më vonë mund të provojnë shprehi të reja. Po nuk ua dhamë mundësinë e herës së parë si do të krijojmë njohje dhe përdorimi të këtyre teksteve të trashëgimisë. Është pritur më mirë se parashikohej dhe na kanë ardhur përgëzime mjaft të ngrohta. Nga boshllëku i leximit të parë tani kemi nisur të ngrohim zërat duke kthyer fjalitë e përditshme në shqipen arbëreshe.😊
Por puna juaj dhe e të gjithë Teatrit të Metropolit nuk është mjaftuar vetëm me dramatizimin audio. Gjatë ditëve të Festivalit është organizuar tryezë diskutimesh. Ndonëse siç e quajtët, “gjysmë të gjallë e gjysmë video”, mblodhi figura nga fusha të ndryshme, por edhe u shtri gjeografikisht me përfshirjen e disa studiuesve italianë. Si ishin këto ndërkëmbime idesh mbi teatrin, edukimin trashëgiminë dramatike si edhe atë gjuhësore?
Në secilin edicion ne kemi përmbyllur me një tryezë bisedë apo forum sepse e kemi parë me rëndësi të krijojmë një hapësirë ku ndajmë mendime dhe ide të reja. Gjuha që e bën një tekst të vjetër të jetë i preferueshëm për në skenë për një publik të ri është ajo universalja, njerëzorja. Shkëmbimet e përvojave synojnë këtë pikë takimi. Aq më shumë që teksti i Santorit paralel ka pasur edhe variantin në gjuhën italiane dhe ofronte mjaft pika diskutimi. Biseduam mbi veçoritë e Santorit dhe veprës, por edhe për mundësitë që mund të ofrojë teatri në programet shkollore me përcjelljen e trashëgimisë gjuhësore. Tryeza solli prezantime të përvojave të realizuara, por u hodhën mendime edhe për të vazhduar më tutje disa ide për punë me shkollat dhe komunitetin.
Ajo që e bënte edhe më pranë publikut, ishin edhe përvojat e aktorëve që rrëfenin konkretisht vështirësitë e tekstit në gjuhën arbëreshe. Sa e huaj dhe sa familjare ndihej arbëreshja, nëse do t’i vinim në një peshore?
Shqipja arbëreshe të them të drejtën në leximin e parë ishte krejtësisht e huaj, madje disa nga aktorët nisën të gëzohen kur hasnin fonema apo fjalë nga italishtja apo greqishtja. Siç pohojnë studiuesit, Santori ka bërë përpjekje në përdorimin e një alfabeti të krijuar prej tij dhe që ka qenë i ndryshëm në tekste të ndryshme. Është një punë mjaft e pasur për të krijuar module të mësuarit dhe për ta bërë familjare atë që ka qenë e jona por na ngjan e huaj.
Kam dëgjuar në disa intervista të arbëreshëve që thonë se “shqiptarët na kuptojnë, por ne nuk i kuptojmë ata kur flasin shqipen moderne”. A është e vërtetë edhe anasjella, që shqiptarët kanë vështirësi në të kuptuarit të gjuhës arbëreshe?
Tani kur njerëzit duan të kuptohen dhe të jenë të kuptuar kjo ndodh edhe vetëm me tinguj e gjeste. Por, besoj se po, ka fjalë të vjetra që nuk përdoren, fjalë që kanë tjetërsuar kuptimin në zona të ndryshme, huazime nga gjuhë të tjera, etj.
Ky edicion shërbeu edhe si edukim dhe njohje me gjuhën dhe kulturën arbëreshe, madje duke sjellë edhe një fjalor të shkurtër me disa fjalë nga gjuha arbëreshe në shqipen e sotme. A ishte ky edicion edhe një afrim kulturor, për ta parë si të gjallë dhe të afërt një komunitet shqiptarësh të hershëm, që shpesh janë parë si një kuriozitet antropologjik dhe i largët në kohë, jo vetëm përmes gjuhës por valleve, këngëve e të tjera traditave të ruajtura?
Në radhë të parë ishte njohje. Pastaj ishte kërkim, një kërkim i konvencioneve gjuhësore, natyrës së shqiptimit në një tjetër kohë, kompozimit të një strukture dramatike e cila ka kuptimin e një fillese siç e njohim deri më tani. Dëshira jonë është që të ketë përcjellë kuptimin e afrimit kulturor, aq më shumë në një kohë si kjo kur duhet të këmbëngulim tek rëndësia e pranisë për njëri-tjetrin.
Drama shqipe si formë e të qenët së bashku është motoja e Metrofest. A ia doli këtë vit me gjithë vështirësive? Qoftë edhe duke bashkuar virtualisht një komunitet shqiptar që emigruan gjashtë shekuj më parë nga trojet, me Shqipërinë e sotme?
Kjo ka qenë e vitit të parë dhe në vitin e dytë e vendosëm si formë njohjeje dhe kërkimi. Në herën e parë kur nisa të punoj me një tekst nga dramaturgjia shqipe, e nxitur nga profesori Mezin Pajo, diskutimi ishte a kemi apo s’kemi dramaturgji shqipe. Kurse këto vite pune me këtë Festival në Teatrin Metropol jo vetëm na kanë zgjuar kureshtjen për mënyrën se si mund ta përcjellim një tekst të vjetër në një realitet të ri, por edhe kanë ndikuar në sjelljet tona dhe paragjykimet duke na tjetërsuar perceptimin mbi veprat e arkivit. Ka tjetër efekt heshtja, tjetër refuzimi dhe krejt tjetër njohja dhe realizimi.
Me gjithë pengesat dhe sfidat e paraqitura nga pandemia, a mendon se ju doli më mirë ky edicion me këtë zgjedhje që bëtë? Mendon se ishte më e fuqishme në audio “Emira”, pasi gjithçka përqendrohet vetëm tek një shqisë, dëgjimi?
Ka dy kahe kjo përgjigje: në kulturën tonë shpesh dëgjohet ankim mbi mënyrën se si dëgjojmë e në këtë këndvështrim aktivitete që angazhojnë dëgjimin janë pozitive. Por jo, mendoj se prania skenike, shkëmbimi i gjallë mes aktorëve dhe publikut ka fuqi që nuk e përshkruaj dot. Në këto rrethana besoj se bëmë zgjedhjen më të mirë dhe qëndruam dobishëm pranë publikut, por mezi presim të kthehemi pranë pa ndërmjetësimin teknologjik.
A do ta vijoni këtë përvojë me dramatizimin audio, ndërsa bota është ende e paqartë me krizën e saj të shëndetësisë, që e ka gjunjëzuar fort artin, veçanërisht atë skenik?
Puna jonë tani po vijon me përgatitjen e një materiali ndihmues për në orën e teatrit që nëse viti i ri vjen më i qetë do ta punojmë në një nga shkollat që bashkëpunojmë. Ndërsa për aktivitet të tjera jemi ende në diskutime. Me rëndësi për ne është të mos zbehim rrugët e komunikimit me publikun.
Cili është vizioni juaj në Metropol, ditë pas dite? Me shpresën se gjithçka do t’i kthehet normalitetit shpejt…
Teatri Metropol është teatër i qytetit dhe si i tillë është angazhuar të krijojë për nevojat e komunitetit të të gjithë brezave; fëmijë, të rinj, të rritur. Ka një drejtuese me të cilën është nder dhe kënaqësi të diskutosh dhe realizosh ide në shërbim të komunitetit. Është pjesë e Qendrës Kulturore Tirana dhe ka synuar të ofrojë një atmosferë të ngrohtë ku publikut të larmishëm t’i jepet mundësia të reflektojë, përgjigjet dhe angazhohet me teatër që i shërben edukimit, argëtimit dhe zgjerimit te botëkuptimit. Gjithashtu edhe rritjes së artistëve mes laboratorëve dhe trajnimeve të ndryshme. Kemi krijuar programe argëtimi dhe edukimi, bërthamat e të cilave sapo të kalojë kjo trazirë do të vazhdojnë të takojnë publikun duke krijuar përvoja domethënëse.
Si regjisore e aktore teatri, si i keni parë këto kohë? Si e kanë ridimensionuar perceptimin tuaj për artin skenik, por edhe vetë profesionin që keni zgjedhur ?
Këto kohë kanë qenë me një lloj boshllëku dhe padurimi që kjo formë e re e një bote pa teatër apo me teatër të kufizuar të përfundojë sa më parë. Pyetjet që bashkon secilën ditë dhe që në fakt shqetëson mendjen të pjesës më të madhe të krijuesve është: Përse do ta mbante Teatrin një shoqëri? dhe Si mund të bëhet më mirë Teatri që të bashkojë njerëzit në atë çfarë kanë më të fortë – Humanitetin!
Teatri si një nga format më të vjetra të artit i ka rezistuar kohërave, a mendon se pas pandemisë do të kthehet aty ku ishte apo do të pësojë ndryshimet e epokës së re, postmoderne e teknologjike?
Epokat kanë ndryshuar dhe do të vazhdojnë të ndryshojnë në historinë e botës. Si vendi ku njerëzit përjetojnë këto përvoja të përbashkëta dhe reflektojnë mbi to, Teatri kërkon prani dhe qëndron mbi praninë. Të qenit i pranishëm është aftësia e mirë e artistëve për ta përfshirë publikun në histori dhe gatishmëria e publikut për t’u përfshirë në këtë imagjinatë kolektive./ Intervistoi: S.Balliu
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




