Lojëra me Dore

Nga 300 javët e Gjokoviç te shpërthimi i Siner, numrat e një viti në tenis

Vetëm 32 turne të luajtur, asnjëri prej tyre në bar. Novak Gjokoviç, bashkë me Rublev, dominon për finalet e luajtura (5) dhe ndeshjet e fituara (41). Rusia përfaqësohet me dy lojtarë në 10-shen më të mirë, kurse Janik Siner është fituesi më i ri i sezonit.

Me ATP dhe WTA që kanë zyrtarizuar kalendarin e 7 javëve të para të 2021-shit, është e natyrshme ta kthejmë për herë të fundit shikimin nga 2020-a e tmerrshme që po lëmë pas. Vetëm 32 turne janë zhvilluar, asnjë në bar: 13 “indoor”, 10 në çimento në ambient të hapur dhe 9 në dhe të kuq. Andrej Rublev dhe Novak Gjokoviç, që sot nis javën e 300-të si numri 1 në botë, janë tenistët që kanë vendosur rekorde. Rusi është i vetmi që ka fituar në të tria sipërfaqet (tokë, çimento dhe “indoor”), është lider për suksese (5) dhe finale të luajtura (5, si Gjokoviç) dhe për numrin total të ndeshjeve të fituara (41, sërish si Gjokoviç).

Andrej Rublev. Gazeta Si, 21 dhjetor 2020

“Nole” është i pari për gjysmëfinalet (6), në përqindjen e ndeshjeve të fituara (89,1%, 41 fitore dhe 5 humbje), si dhe në lidhje me numrin e fitoreve radhazi (nga fillimi i vitit deri në momentin e skualifikimit kundër Pablo Carreno Busta në 1/8-at e US Open).

Adriano Manarino ka arritur të luajë numrin rekord të 17 turneve, Nadal ka përqindjen më të mirë të fitoreve në turnetë Slam (11-1, me një përqindje 91,7%). Janë 6 tenistët që kanë fituar për herë të parë turnetë ATP në 2020-ën: francezi Ugo Humbert në Okland, norvegjezi Kasper Rud në Buenos Aires, braziliani Tiago Seiboth në Santiago, serbi Miomir Kecmanoviç në Kitzbuhel, australiani Xhon Millman në Nur Sultan dhe Janik Siner në Sofje.

Rusia është vendi i vetëm me 2 tenistë në 10-shen më të mirë (Medvedev dhe Rublev), Franca ka më shumë përfaqësues në 100-she, plot 11 dhe të gjithë janë mes 85 më të mirëve në botë. Në vend të dytë është Spanja me 10, pastaj Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 9 dhe Italia me 8.

Vetëm 2 tenistë kanë mbajtur vendin e parë në botë: Rafael Nadal ka qenë lider nga 1 janari deri më 2 shkurt, pastaj i ka takuar Novak Gjokoviçit që prej shkurtit deri më 22 mars (data kur ngrin renditja) dhe nga 24 gushti më 31 dhjetor. Janë 3 tenistët që kanë hyrë për herë të parë në 10-shen më të mirë, i pari është Denis Shapovalov, i dyti Diego Shvarztman dhe i treti Andrej Rublev.

Janik Siner. Gazeta Si, 21 dhjetor 2020

Janik Siner, 19 vjeç e 2 muaj, është bërë kampioni më i ri në moshë i vitit. Rafael Nadal ndërkohë ka fituar “Roland Garros”-in 34 vjeç e 4 muaj dhe është bërë fituesi më i madh në moshë. Vendi që ka fituar më shumë tituj është Rusia, me 7.

Për femra janë zhvilluar 23 turne, ku rekordi i turneve të fituar u takon Simona Halep dhe Arina Sabalenka, të dyja me nga 3. Më shumë finale ka luajtur Elena Ribakina, 5, kurse më shumë pikë dhe përfitime në turnetë e zhvilluar gjatë vitit ka pasur Sofia Kenin: më shumë se 4 milionë dollarë dhe 3934 pikë WTA. Vendet me më shumë fitore janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bjellorusia dhe Rumania, me nga 4 secila.

Simona Halep. Gazeta Si, 21 dhjetor 2020

Katër janë kampioneshat e reja: Ekaterina Aleksandrova ka fituar në Shenzhen, Xhenifer Bredi në Leksington, Patricia Maria Tig në Stamboll dhe polakja Iga Suiatek, e cila i befasoi të gjithë me fitimin e turnout “Roland Garros”. Kanë përmirësuar renditjen gjatë vitit Belinda Bençiç, e ngjitur në vend të 4-t, dhe Sofia Kenin, që arriti të njëjtin vend më 9 mars.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë