Politike

Meta e dekretoi si Ministër i Brendshëm, Çuçi reklamon aplikacionin për fermat turistike

Ndërsa Presidenti Ilir Meta dekretoi me vrik emrin e ministrit të ri të Brendshëm, Bledi Cuçi, ky i fundit bashkë me Ministrin e Turizmit, Blendi Klosi prezantuan aplikacionin e ri “AgroTime AL”, një guidë online për të gjithë ata që duan të vizitojnë fermat turistike, të shijojnë produktet lokale, gatimet tradicionale dhe eksperiencën e posaçme që të ofron fshati përmes kësaj dege të re në zhvillim të turizmit shqiptar.

“Janë 260 ferma turistike dhe rrugëtime drejt staneve, verës, ullirit, agrumeve, midhjes dhe peshkut në një aplikacion të vetëm, që u vlen agrosipërmarrësve dhe vizitorëve të këtyre pikave të bukura të Shqipërisë.

Falë mbështetjes me grante dhe një pakete të veçantë me lehtësi fiskale, agroturizmi është një realitet i ri për zonat rurale, në ndihmë të ekonomisë lokale sot e të asaj kombëtare nesër”, shkruan kryeministri Rama në Facebook.

Një ditë më parë, Kryeministri Rama firmoi për Bledi  Çuçin ministër i Brendshëm i cili prej Janarit të vitit 2019 ishte Ministër i Bujqësisë. Emri i tij u dekretua menjëherë sapo mbërriti në Presidencë nga kreu i shtetit, Ilir Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë