Lojëra me Dore

Antetokounmpo, rinovim historik me Baksat për 228 milionë dollarë

Ylli i NBA-së, Giannis Antetokounmpo, në deklaratat e tij të mëparshme kishte lënë të kuptohej se do të rinovonte verën e ardhshëm, por sot ai ka zyrtarizuar gjithçka me anë të një postimi në Tuiter. Basketbollisti grek do të jetë pjesë e Milluoki Baks edhe për 5 vitet e ardhshme.

“Greek Freak” do të ketë një kontratë të re faraonike, nga e cila do të përfitojë 228.2 milionë dollarë. Kjo është edhe kontrata më e lartë e firmosur ndonjëherë në NBA. Një sezon surprizash në basketbollin amerikan ka dhuruar këtë epilog të papritur sa i takon çështjes së rinovimit të Antetokounmpo me Baksat.

Pikërisht kur të gjithë po përgatiteshin për një sezon që do ta çonte në “free agency” grekun e shpallur dy herë lojtari më i mirë, ka ardhur edhe firma e befasishme. Vetë basketbollisti e ka bërë të ditur lajmin e kontratës së re 5-vjeçare me një pagë prej 228.2 milionë dollarësh. Një shifër mjaft e lartë në kohët e sotme.

Postimi i basketbollistit grek në Tuiter. Gazeta Si, 15 dhjetor 2020

“Kjo është shtëpia ime, ky është qyteti im. Jam i lumtur që do të jem pjesë e Milluoki Baks edhe për 5 vitet e ardhshme. Spektakli vazhdon”, – shkruan mes të tjerash Antetokounmpo në profilin e tij në Tuiter.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë