Po shtrëngohen masat kundër COVID-19 në Gjermani, ku së fundmi është njoftuar se do të mbyllen dyqanet që nga mesi i javës së ardhshme. “Gjermania do të mbyllë bizneset që nuk janë thelbësore për përditshmërinë si edhe shkollat deri në 10 janar”, tha kancelarja Angela Merkel, e cila njoftoi mbylljen që nga data 16 dhjetor. Duke marrë në konsideratë numrin e lartë të vdekjeve për shkak të virusit dhe “rritjes eksponenciale” të infeksioneve ajo tregoi se autoritetet ishte e nevojshme të vepronin menjëherë.

“Jemi të detyruar të veprojmë”, tha Kancelarja gjermane Angela Merkel në një konferencë shtypi të këtë të diel. “Mbyllja e lehtë që kemi filluar qysh në 2 nëntor ka arritur një sukses të pjesshëm. Arritëm ta ndalnim për ca kohë rritjen eksponenciale, por prej disa ditësh kemi sërish një rritje të tillë”, tha ajo.
Kështu, do të mbylljen dyqanet e tregtisë me pakicë, me përjashtim të dyqaneve për nevojat e përditshme. Restorantet mbeten të mbyllura dhe do të kenë të drejtë të shesin vetëm gjellë për t’u konsumuar në shtëpi. Po ashtu nuk do të lejohet konsumimi i alkoolit në vende publike. Gjithashtu mbyllen edhe floktoret, studiot e kozmetikës, tatuazhit, masazheve etj. Shkollat, kopshtet, dhe institucionet e kujdesit ditor. Përjashtim do të ketë, sikurse në verë, vetëm për fëmijët, prindërit e të cilëve nuk kanë mundësi të kujdesen vetë për ta, sepse janë në punë ku nevojitet prania fizike. Mësimi shkollor për këtë periudhë, ose do të ndërpritet, ose do të kalohet në distancë. Këtë e vendos secili land më vete.
“Kontaktet duhet të reduktohen në maksimum”, kërkoi kancelarja. Deri tani lejohen vetëm tubime me pesë vete, me anëtarë nga maksimumi dy familje, mundësisht gjithmonë të njëjtat. Përjashtim do të ketë nga data 24 deri në 26 dhjetor. Përveç familjes mund të ftohen edhe katër të afërm të gradës së parë, plus fëmijë deri në 14 vjeç. Por jo të tjerë. “Nëse ftoni të tjerë mundësisht t’i reduktoni të gjitha kontaktet për një jave”, tha kancelarja, e cila u bëri thirrje punëdhënësve që ose t’i lejojnë punonjësit të punojnë nga shtëpia, ose t’u japin leje, në mënyrë që të reduktohen sa më shumë kontaktet.
Veç të tjerash kancelarja u kërkoi qytetarëve që mundësisht të mos udhëtojnë gjatë Krishtlindjeve. Meshat dhe shërbesat fetare do të mbeten të hapura. “Jemi duke biseduar me kishat për konceptet higjienike”, tha kancelarja. Për të reduktuar kontaktet do të ndalohet përdorimi i fishekzjarrëve dhe poashtu edhe pirja e pijeve alkoolike në publik.
Gjermania ka qenë në bllokim të pjesshëm për gjashtë javë, me bare dhe restorante të mbyllura, ndërsa dyqanet dhe shkollat kanë mbetur të hapura. Disa rajone tashmë kanë vendosur edhe masa më të ashpra.
A po e humb Gjermania kontrollin mbi pandeminë?
Gjermania që konsiderohej si nxënësja shembullore në Europë për shkak të menaxhimit të mirë të pandemisë, tani po përballet jo vetëm me shifra të larta infektimesh, por edhe të vdekjeve. Instituti “Robert Koch” bëri të ditur të shtunën më shumë se 28.000 infektime në ditë, kurse numri i vdekjeve është rritur me 496 vetë. Masat e marra në nëntor qartazi nuk e arritën efektin e tyre. Tani për shkak të shifrave në rritje të infektimeve janë rritur kërkesat, që të kufizohet jeta publike edhe para Krishtlindjes.

Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier e cilësoi situatën “shumë serioze”. “Nëse si tani do të vazhdojnë të infektohen dhjetëra mijëra vetë me virusin, nëse vdesin qindra vetë në ditë nga virusi, atëherë kjo do të thotë, se urgjentisht ne duhet të forcojmë përpjekjet tona në luftë kundër pandemisë.” “Kemi nevojë për një përgjigje të përgjithshme gjermane”, tha edhe kryeministri i landit Renani Veriore-Vestfali, Armin Laschet të premten në Dyseldorf. “Ne nuk duam një mozaik në të gjithë Gjermaninë, ku secili land ndjek rrugën e vet.”
Kush nuk e do mbylljen e plotë?
“Ajo që është e qartë, është se edhe tregtia e pakicës duhet të mbyllet. Ne duhet të kufizojmë maksimalisht kontaktet”, tha kryeministrja e landit të Pomeranisë-Meklenburgut, Manuela Schëesig. Kurse eksperti socialdemokrat për shëndetësinë, Karl Lauterbach tha se “kemi nevojë që në javën e ardhshme për një mbyllje të fortë në të gjithë federatën përfshirë edhe mbylljen e shkollave”. Ndërkohë që tani disa lande kanë vepruar. Kryeministri i landit Baden-Vyrtemberg, Winfried Kretschmann ka vendosur që nga e shtuna kufizime të përgjithshme për daljen edhe gjatë ditës. Saksonia fillon nga e hëna një mbyllje të plotë.
Burimet: Reuters, Deutche Welle
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




