Ka ndodhur

Iu gjet drogë gjatë tubimit, Policia kap … 1 protestues e njofton: S’lejojmë grumbullime mbi 10 veta

Ndryshe nga njoftimet e tjera, Policia e Tiranës është kujdesur ta fillojë raportimin zyrtar mbi protestën e një ditë më parë me faktin se, “arrestohet në flagrancë 1 prej pjesëmarrësve në tubim pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet lëndë narkotike kanabisi, si dhe ndalohet 1 shtetas i shpallur në kërkim për protestën e datës 09.12.12, sërish pjesëmarrës në protestën e djeshme”

Policia njoftoi gjithashtu se janë proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe 18 shtetas të tjerë.

Policia bën me dije gjithashtu se, “po vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në veprime të dhunshme ndaj Policisë, pronës shtetërore dhe asaj private, si dhe për identifikimin dhe kapjen e organizatorëve të cilët kanë bërë dhe bëjnë thirrje në rrjetet sociale për të marrë pjesë në tubime të paligjshme”.

Policia e Tiranës u bën thirrje të gjithë atyre që duan të protestojnë që të mbajnë parasysh se, “në këtë kohë të jashtëzakonshme për shëndetin e njerëzve tubimet e më shumë se 10 personave janë të ndaluara me ligj dhe po ashtu çdo përdorim dhune është i dënueshëm nga ligji”.

“Gjithashtu, Policia e Shtetit sjell në vëmendjen e çdo nxitësi apo ushtruesi dhune ndaj uniformave të Policisë, se efektivët e saj e kanë për detyrë të reagojnë proporcionalisht dhe nuk do të ngurrojnë ta bëjnë këtë në asnjë rast dhe për asnjë arsye”, thuhet në njoftimin e Policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë