Analize

Goditje për Greqinë, Merkel bllokon sanksionet kundër Turqisë

Gjermania dhe Bullgaria ishin dy vendet e BE-së që bllokuan sanksionet kundër Turqisë në samitin e BE të enjten, duke i dhënë kështu një goditje të rëndë Greqisë.

“Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryeministri bullgar Bojko Borisov ishin udhëheqësit e BE që kundërshtuan hapur sanksionet kundër Ankarasë,” thanë burime diplomatike për “EURACTIV.” Vende të tjera si Spanja, Italia, Malta dhe Hungaria ishin gjithashtu kundër, por nuk e shprehën hapur, shtuan burimet.

Austria ishte mbështetëse e sanksioneve ndërsa Franca, e cila po kërkonte një përgjigje të ashpër të BE, thuhet se zbuti retorikën e saj në samit.

Sipas përfundimeve të samitit mbi Turqinë, udhëheqësit e BE dënuan agresivitetin e saj dhe veprimet e njëanshme në Mesdheun Lindor. Sidoqoftë, ata morën një qëndrim të butë, duke i dhënë Ankarasë një periudhë tjetër tre-mujore.

Konkretisht, ata vendosën të shtojnë emra të rinj individësh dhe ndërmarrjesh në listën e zezë që ekziston aktualisht për kërkimet e gazit të Turqisë pranë Qipros. Por sanksionet që janë vendosur deri më tani kanë pak vlerë të shtuar, duke marrë parasysh se Turqia nuk i ka ndalur aktivitetet në Mesdheun Lindor.

Përveç kësaj, ata i bënë thirrje Komisionit Europian të dalë me një raport më vonë në mars në lidhje me marrëdhëniet BE-Turqi në përgjithësi, duke filluar nga politika tek tregtia dhe të eksplorojnë “opsionet dhe instrumentet se si të veprojnë”.

Udhëheqësit gjithashtu e bënë të qartë se “agjenda pozitive mbetet në tryezë” duke i premtuar Turqisë ofrimin e ndihmës financiare për të menaxhuar flukset e emigracionit.

Gjermania, e cila aktualisht mban presidencën e BE, ka kundërshtuar gjithmonë sanksionet dhe dëshironte të mbante të hapura kanalet e komunikimit me Ankaranë.

Në një intervistë me EURACTIV në nëntor, zëdhënësi i Çështjeve të BE-së i Komitetit Ekzekutiv të Partisë Social Demokrate Gjermane (SPD), tha se qëllimi i Merkel ishte të mbante derën hapur me Turqinë.

“Ne nuk duhet të harrojmë se baza e pushtetit të Erdogan po zvogëlohet, shikoni në rezultatet e zgjedhjeve të fundit komunale” Tha Bullmann. “Ne nuk duhet të merremi me Turqinë si një monolit autokratik, kështu që duhet të kemi fleksibilitetin për të transformuar dhe kthyer Turqinë në familjen e kombeve paqësore. Ky do të ishte, normalisht, qëllimi i Merkel, dhe ajo nuk mund të fajësohet për këtë, “shtoi ai.

Diplomatët vlerësuan para samitit se qëndrimi i Sofjes për çështjen e sanksioneve nuk mund të parashikohej.

“Udhëheqësi i Bullgarisë Borissov është një mik i njohur i Erdoganit dhe sjellja e tij është e paparashikueshme,” tha një diplomat i BE-së.

Në nivel politik, qëndrimi i Gjermanisë dhe Bullgarisë është gjithashtu i një rëndësie të lartë duke marrë parasysh që të dy Merkel dhe Borissov i përkasin të njëjtës familje politike të BE (Partia Popullore Evropiane) si partia qeveritarev e Greqisë Demokracia e Re.

Goditje për Athinën

Vendimet janë larg asaj që Athina ka kërkuar për muaj të tërë. Në një takim të punëve të jashtme në Berlin në gusht, Greqia kërkoi “sanksione sektoriale” që synojnë aspektet kryesore të ekonomisë turke siç janë sektori bankar dhe i energjisë.

Pas botimit të konkluzioneve, qeverisë greke bëri një lëvizje të guximshme dhe i paraqiti ato si një rezultat pozitiv. “Një hap tjetër që është një paralajmërim i fortë për Turqinë për të ndryshuar sjelljen e saj, “thanë burimet qeveritare.

Sidoqoftë, realiteti në Athinë është i ndryshëm. Shumica e mediave greke raportuan të premten se vendimet e udhëheqësve të BE mbi Turqinë ishin një goditje e rëndë ndaj Athinës zyrtare.

“Pa sanksione kundër Turqisë, fitorja e Erdoganit në BE”, “Sanksione të lehta kundër Turqisë … dhe shihemi në mars”, janë disa nga titujt në gazetat greke.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis tha përpara samitit se besueshmëria e BE ishte në rrezik dhe u bëri thirrje partnerëve të tij të BE të zbatojnë vendimet e marra gjatë takimit të tyre të fundit në tetor.

Përfundimet e samitit pritet të shkaktojnë dhimbje koke për Mitsotakis në shtëpi. Partitë e opozitës nuk kanë reaguar ende, por Syriza, pritet të akuzojë qeverinë për kthimin nga Brukseli me “duar bosh”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë