Pau Gasol te Lejkërsat, një dashuri që nuk përfundon kurrë, pavarësisht ndarjes. Basketbollisti 40-vjeçar spanjoll shpreson dhe po stërvitet në Kaliforni, ku jeton tani, për ta mbyllur karrierën e tij të jashtëzakonshme me fanellën e Los Anxhelos Lejkërs.
Një histori e bukur, me “happy ending”-n më klasik. Problemi për të ka të bëjë me mundësitë e një lojtari 40-vjeçar, që vjen pas dy operacionesh në këmbën e majtë dhe që nuk e prek parketin që prej marsit të 2019-ën. Por jo vetëm kaq. Me firmën e Kuin Kuk, organika e Lejkërsave duket e plotësuar për një sezon të veçantë, ku do të nevojitet kontributi i të gjithëve. Në këtë situatë, firma me një lojtar me karrierë të pasur, por me probleme fizike, duke larguar një tjetër, duket shumë e rrezikshme.
Pau gjithsesi beson dhe po punon për t’i bindur Lejkërsat dhe për t’u bashkuar sërish me vëllanë e tij. “Natyrisht, Lejkërsat kanë një vend special në zemrën time, – thotë Pau Gasol për Espn. – Jam i sinqertë dhe do të ishte speciale të firmosja për këtë klub tani që ka ardhur edhe vëllai im Mark”.

Kampionët në fuqi të NBA-së kanë bërë një merkato të mirë, ndërsa ribashkimi i vëllezërve Gasol, që për ironi të fatit janë shkëmbyer në 2007-ën, kur nisi rilindja e Lejkërsave “made in Kobe”, do të ishte një ëndërr e realizuar për ta. Pau pohon se nëse firmos me një skuadër, ajo duhet t’i japë minuta dhe ta ketë në konsideratë.
“Dua të jap kontributin tim, – vazhdon vëllai i madh Gasol, – nuk më mjafton thjesht të jem pjesë e një grupi, dua të argëtohem dhe për këtë duhet të luaj”. Pista Barcelona, për të cilën Pau Gasol ka thënë gjithmonë se dëshiron të mbyllë karrierën, dukej më e pranueshmja, por me Lejkërsat spanjolli ka fituar dy unaza dhe dëshiron të mos largohet nga Amerika.
Ai kërkon një shans në NBA për të qenë në gjendjen më të mirë të mundshme në Olimpiadën japoneze. “Të marrësh pjesë në 5 Olimpiada, – përfundon spanjolli, – do të ishte e jashtëzakonshme”. Epilogu më i mirë i një historie të mbushur plot me suksese, si ajo e Pau Gasol.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje