Koordinimi i përgjigjes ndaj pandemisë dhe vaksinimit kundër koronavirusit, synimet klimatike dhe një plan për t’i dhënë fund një bllokade buxhetore nga Polonia dhe Hungaria janë të gjitha në agjendën e udhëheqësve të BE ndërsa ata mblidhen të enjten për një samit dy-ditor në Bruksel.
Krerët europiane do të marrin gjithashtu një informim mbi bisedimet tregtare mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Presidentes së Komisionit Europian Ursula von der Leyen. Në këtë samit, pritej të miratohej më në fund kuadri negociues për mbajtjen e konferencë së parë qeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por vetoja e Bullgarisë kundër kësaj të fundit, duket se e ka shtyrë nisjen e procesit të integrimit për në samitin tjetër në mars.
Me pushimet e fund vitit që janë vetëm disa ditë larg, koordinimi për përballimin e krizës shëndetësore do të jetë i pari në diskutimet midis udhëheqësve sot, tha Presidenti francez Emmanuel Macron. Ai gjithashtu tha se “një kompromis mbi miratimin e buxhetit europian po arrihet dhe ne shpresojmë që të mund ta finalizojmë këtë kompromis në orët e ardhshme”.
Duke iu referuar bllokimit të buxhetit afatgjatë por edhe fondeve të rimëkëmbjes nga pandemia nga Hungaria dhe Polonia për shkak të një mekanizmi të ri të sundimit të ligjit, Presidenti tha se ai është “me të vërtetë i lumtur” me marrëveshjen në tryezë.
Pas tre javësh vetoje, qëndrimi politik dhe kërcënimesh për përjashtimit nga paketa stimuluese për përballimin e pandemisë, Hungaria dhe Polonia sinjalizuan se ishin të gatshëm të zhbllokojnë miratimin e kornizës financiare shumëvjeçare të BE për 2021-2027 dhe fondin e rimëkëmbjes që arrin një total prej 1,8 trilionë eurosh.
Në kthim, ata arritën të merrnin disa përjashtime në mekanizmin e Sundimit të Ligjit, i cili do të duhet të miratohet nga udhëheqësit e BE gjatë takimit të së enjtes.
Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se ajo dhe stafi i saj kanë punuar “shumë fort” në ditët e fundit “për të kapërcyer vështirësitë dhe gjithashtu për të gjetur një zgjidhje për shqetësimet e Hungarisë dhe Polonisë, duke ruajtur në të njëjtën kohë mekanizmin e sundimit të ligjit, sipas të cilit, Hungaria dhe Polonia duhet të respektojnë sundimin e ligjit nëse duan të marrin fondet e BE-së.

“Ne do të shohim sot nëse mund të gjejmë unanimitet për këtë në Këshillin Europian”, tha ajo. “Sigurisht, do të ishte një shenjë shumë e rëndësishme e aftësisë së Bashkimit Europian për të kapërcyer vështirësitë”.
Kryeministri polak Mateusz Morawiecki tha se BE kishte nevojë për fondin e buxhetit dhe rimëkëmbjes për t’u miratuar, por gjithashtu kërkoi respektimin e sovranitetit të vendeve anëtare. “Dhe për ta ruajtur, ne jemi përpjekur të shmangim një vendim arbitrar dhe të motivuar politikisht” në lidhje me lidhjen midis sundimit të ligjit dhe fondeve të BE, tha Moraëiecki. Ai shtoi se konkluzionet e kompromisit që Polonia ra dakord së bashku me Hungarinë dhe presidencën gjermane të Këshillit të BE-së përcaktonin një “vijë të demarkacionit” midis kontrollit buxhetor dhe rregulloreve anti-korrupsion,
“Përzierja e këtyre të dyjave krijon një situatë shumë të rrezikshme pasi çdo vend anëtar mund ta përdorë këtë mekanizëm për të na sulmuar ose bllokuar,” tha Morawiecki.
Koronavirusi
Përveç buxhetit, klimës dhe sanksioneve ndaj Turqisë, pandemia është gjithashtu në krye të agjendës për seancën e sotme. Presidenti i Këshillit Charles Michel kujtoi udhëheqësit e BE-së në ftesë zyrtare të samitit se ndërsa lajmi i mirë për vaksinat është i mirëpritur, “megjithatë nuk do të thotë që pandemia ka mbaruar”.
Këshilli Europian do të diskutojë menaxhimin e përgjithshëm të përgjigjes ndaj Covid-19 në të gjithë kontinentin, duke përfshirë punën për vaksinat dhe testimin dhe heqjen graduale të kufizimeve. Shtetet anëtare kuptohet që duan një koordinim më të mirë për heqjen e kufizimeve të lëvizjes në të gjithë kontinentin për të ndihmuar në rikuperimin e turizmit.
Udhëheqësit mund të arrijnë një marrëveshje gjatë samiti për fillimin e një programi të koordinuar të vaksinimit në javët e ardhshme. Ata gjithashtu pritet të bien dakord mbi një strategji për vaksinimin në vendet e treta si Ballkani.
Rastet e reja të përditshme në BE kanë filluar të ulen, por rreziku i rritjes së rasteve të shkaktuara nga udhëtimet dhe tubimet e lidhura me pushimet është real. Ndërkohë, me miratimin e Agjencisë Europiane të Barnave për vaksinën e kompanisë Pfizer që pritet në fund të muajit, vendet do të duan të diskutojnë se si të koordinojnë shpërndarjen e vaksinave në të gjithë bllokun, diçka që ka të ngjarë të ndodhë në fillim të janarit.
Në Mbretërinë e Bashkuar, e cila mundi Evropën në “garën” për të miratuar vaksinën e saj të parë, shpërndarja tashmë ka filluar.

Ndryshimet klimatike
Pesë vjet nga Marrëveshja e Parisit, udhëheqësit europianë do të vendosin nëse do të vendosin një objektiv të ri për uljen e emetimevetë karbonit prej të paktën 55% deri në 2030.
“Puna për të arritur në këtë objektiv ambicioz është duke u planifikuar,” tha Michel. “Kjo do të ishte një arritje e madhe dhe do të mbështeste pretendimin tonë për të luajtur një rol kryesor në luftimin e ndryshimit të klimës.”
Sidoqoftë, pritet një debat i gjatë pasi disa shtete anëtare dyshojnë për mbështetjen financiare dhe teknike të nevojshme për të arritur këtë qëllim.
Pas fitores së Joe Biden, SHBA. do të kthehen në Marrëveshjen e Parisit. Por BE-ja duhet të marrë të gjitha vendet anëtare në bord në mënyrë që të shmangë rrezikimin e pozitës së saj gjeopolitike. Suedia, Britania e Madhe dhe Danimarka renditen si vendet kryesore për veprimet klimatike.
Këshilli do të diskutojë po ashtu për të ardhmen e marrëdhënieve BE-SHBA pas fitores së Joe Biden në zgjedhjet e nëntorit.
Siguria
Pas një numri sulmesh të fundit terroriste në kontinent, Këshilli Europian do të përqendrohet kryesisht edhe tek luftimi i terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
“Sulmet terroriste të javëve të fundit vetëm sa e forcuan vendosmërinë tonë për të punuar së bashku kundër terrorizmit, radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm”, tha Michel. “Ne do të përqendrohemi në veçanti në masat operacionale që forcojnë më tej bashkëpunimin tonë.”
Ministrat e punëve të jashtme të BE do të japin po ashtu një deklaratë të përbashkët në lidhje me sulmet e nëntorit në Evropë. Brukseli dëshiron t’i japë Europolit më shumë kompetenca në përpjekje për të trajtuar terrorizmin.
Burimet: Euractiv”, “Politico.Eu”/ Përgatiti: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




