Gjatë dy viteve të kaluara, Rusia ka dorëzuar në Serbi, tanke, sistemin rus të raketave anti-ajrore “Pancir S1” dhe automjetet e blinduara BRDM-2. Këto armatime, janë sjellë të gjitha përmes vendeve të BE-së dhe NATO-s.
Për dhënien ose jo të lejes së transportimit të armëve ruse në Serbi i është lënë secilit shtet anëtar të vendosë vetë, por deri më tani, të paktat kanë qënë rastet kur shtetet europiane kanë ngritur zërin kundër armatosjes së Serbisë.
Bullgaria madje raportohet se ka rënë dakort për lehtësimin e dërgesave të armëve ruse në Serbi,
Sipas të dhënave dhe deklaratave të zyrtarëve, armët dhe pajisjet ushtarake u sollën në Serbi nga Federata Ruse përmes rrugëve ajrore dhe lumenjve. Të dhënat mbi fluturimet dhe transportin tregojnë se armët ruse arritën në Serbi, pjesërisht përmes territoreve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) dhe të NATO-s. Reagimi i vetëm, deri më tani ka arritur nga Rumania, e cila në vitin 2019, bllokoi dërgimin e tankeve dhe transportuesve të blinduar rusë përgjatë Danubit.
Megjithatë, sipas Ted Galen Carpenter, bashëpunëtor i lartë për studime të mrojtjes dhe politikës së jashtme në Institutit Cato në Uashington, qëndrimi i Bullgarisë mund të shkaktojnë mospajtime domethënëse brenda NATO-s.
“Teorikisht, të gjithë anëtarët e Aleancës kanë të drejtën sovrane për të marrë vendime të tilla. Por, realiteti është se anëtarët janë nën presion që të mos lëshohen në sjellje të pazakonshme në çështjet kryesore politike ose ushtarake”, tha Carpenter, duke shtuar se kjo ështe veçanërisht e vërtetë në rast se Shtetet e Bashkuara (SHBA), si udhëheqëse e NATO-s, kanë një qëndrim të fortë lidhur me këtë çështje.
Transporti i armëve ruse nga Rusia në Serbi tërhoqi vëmendjen e publikut në korrik të vitit 2019, kur Ministria e Punëve të Jashtme e Rumanisë, e cila është gjithashtu anëtare e BE-së dhe NATO-s, refuzoi të lëshojë një leje tranziti për dhjetë automjete të blinduara ruse BRDM-2, të cilat Rusia ia dhuroi Sebisë, duke arsyetuar vendimin me atë që sanksionet që Bashkimi Evropian i vendosi ndaj Rusisë në vitin 2014, për shkak të aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë, janë ende në fuqi.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kishte dekaruar në atë kohë që automjetet ishin sjellë përmes rrugës ajrore “përkundër kundërshtimeve të disave”, duke mos dhënë detaje më të shumta lidhur me atë se në çfarë mënyre është realizuar transporti.
Qeveria e Hungarisë, në shtator të vitit 2019, ka konfirmuar se, përkundër sanksioneve të BE-së, ka lejuar transportin e automjeteve të blinduara nga Rusia në Serbi, duke thënë se transport është kryer me aeroplan civil, për të cilin nuk është e domosdoshme leja.
Faqja e internetit, FlightRadar24, e specalizuar për ndjekjen e fluturimeve, në bazë të të dhënave të disponueshme, paraqiti fotot e fluturimit nga data 26 korrik 2019, kur një avion civil nga Federata Ruse dorëzoi automjete të blinduara në Serbi.

Në fotografitë e dërguara shihet qartë që aeroplani nga Rusia, ka kaluar Detin e Zi dhe hapësirën ajrore të Bullgarisë, ndërsa për t’u kthyer, ai përdori hapësirën ajrore të Hungarisë, Sllovakisë, Polonisë dhe Bjellorusisë.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar institucioneve kompetente në Sllovaki dhe Poloni.
Në një përgjigje me shkrim nga Drejtoria e aviacionit civil e Polonisë, kanë theksuar që nuk mund të konfirmojnë që ndonjë aeroplan transportues ushtarak rus ka hyrë nëpër hapësirën ajrore të Polonisë në korrik të vitit 2019.
Në anën tjetër, Ministria sllovake e Transportit, deklaroi se kishin marrë një kërkesë për një fluturim nga një operator i aviacionit civil rus, i cili përdorë hapësirën ajrore të Sllovakisë, në përputhje me rregullat e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO).
Në fillim të marsit 2020, me dërgesën e katërt të pjesëve të sistemit kundërajror rus “Pancir”, Serbia është bvrë vendi i parë në Ballkan që është pajisur me një sistem raketash.
Sipas të dhënave të faqes së specializuar flightradar 24.com, aeroplani rus Antonov 24 “Ruslan”, ka nisur fluturimin nga aeroporti i Moskës “Vnukovo”, më 3 mars dhe në orën 12:59 të pasditës, për të zbritur në aeroportin ushtarak në Batajnica, pas më shumë se katër orës fluturim. Ashtu si në rastin e automjeteve të blinduara, itinerari kaloi përsëri nëpër territorin e Bullgarisë.

Por kësaj radhe, marrja e sistemit raketor rus, ka shkaktuar reagime nga Brukseli dhe Uashingtoni zyrtar.
Në një deklaratë për Zërin e Amerikës, më 25 shkurt, zëdhënësi i Përfaqësuesit të lartë për politikë të jashtme dhe siguri të BE-së, Peter Stano ka deklaruar që është e nevojshme që Serbia ta harmonizojë politikën e saj të jashtme me politikën e Bashkimit Evropian.
Departamenti Amerikan i Shtetit ndërkohë i ka bërë thirrje Serbisë që të heqë dorë nga blerja e armëve nga Rusia, si dhe që kjo mund të rezultojë me sanksione kundër Serbisë.
“U bëmë thirrje të gjithë aleatëve dhe partnerëve tanë që të heqin dorë nga transaksionet me Rusinë, të clat do të mund të sjellin deri te vendosja e sanksioneve”, ka thënë Departamenti i Shtetit, duke komentuar dërgesën e pjesës së parë të sistemit rus “Pancir 1” në Serbi, tre ditë më herët.
Komisioni Evropian thotë që shtete anëtare, një herë në vit raportojnë për lejet e tyre për eksportin e armëve konvencionale, por që të dhënat specifike për lejet për transit nuk janë të përfshira në bazën e të dhënave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




