Libra

Shkrimtari i dashur i fëmijëve antisemit? Familja e Roald Dahl kërkon falje

Roald Dahl në 1971. Fotografi: Ronald Dumont / Getty Images

Familja e Roald Dahl ka kërkuar falje për antisemitizmin e tij në një deklaratë, në faqen zyrtare të autorit. Dahl, i cili vdiq 30 vjet më parë, përshkruhet në uebsajt si “rrëfimtari numër 1 i botës”, librat e të cilit – përfshirë “Çarli dhe Fabrika e Çokollatës”, “Matilda” dhe “Gjiganti i Madh i Mirë”, kanë magjepsur fëmijët që nga vitet 1960. Shumë prej librave për fëmijë të Dahl, janë të përkthyera e të botuara edhe në gjuhën shqipe.

Por Dahl ishte gjithashtu një antisemit. Në një intervistë me “New Statesman” më 1983-shin, ai shprehej: “Ekziston një tipar në karakterin hebre që provokon armiqësi, mbase është një lloj mungese bujarie ndaj jo-hebrenjve. Dua të them, ka gjithmonë një arsye pse anti-gjithçkaja  mbin ngado”. Ai shtonte: “Edhe një qelbësirë si Hitleri nuk i zgjodhi thjesht,  pa ndonjë arsye”.

Tani familja ka lëshuar në heshtje një falje për komentet e tij. Deklarata e tyre thotë: “Familja Dahl dhe Kompania e Tregimeve Roald Dahl kërkojnë ndjesë thellë për lëndimin e qëndrueshëm dhe të kuptueshëm të shkaktuar nga disa prej deklaratave të Roald Dahl.

“Këto vërejtje paragjykuese janë të pakuptueshme për ne dhe qëndrojnë në kontrast të dukshëm me njeriun që kemi njohur dhe me vlerat në zemër të tregimeve të Roald Dahl, të cilat kanë ndikuar pozitivisht tek të rinjtë për breza të tërë. Ne shpresojmë që, ashtu si bëri në të mirën e tij, në rastin më të keq të tij, Roald Dahl mund të na ndihmojë të na kujtojë ndikimin e qëndrueshëm të fjalëve”.

Asnjë përmendje nuk bëhet për pikëpamjet antisemitike të Dahl në biografinë zyrtare të autorit në uebsajt. Falja e familjes nuk u dërgua në organizatat hebraike.

Dahl lindi në vitin 1916 në Uells nga prindër norvegjezë. Gjatë shërbimit të tij të luftës në Forcat Ajrore Abretërore, ai u plagos rëndë kur Gladiatori i tij, u rrëzua në Libi. Libri i tij i parë për fëmijë, “Kukudhët”, u botua më 1943-shin, pasuar nga “Xhejmsi dhe Pjeshka gjigante” në 1961, Çarli dhe Fabrika e Çokollatave,  në 1964 dhe “Fantastiku Zotëria Dhelpër”, më 1970.

Ai gjithashtu bashkë-shkroi skenarë për filmin e James Bond, “Jetoni vetëm dy herë”  dhe “Chitty Chitty Bang Bang”, si dhe shkroi romane për të rritur.

Shumë nga librat e fëmijëve të tij u adaptuan si filma, për televizion dhe në skenë. Në vitin 2018, periudha e fundit për të cilën ekzistojnë të dhëna, pasuria e Dahl postoi fitime vjetore para taksave prej 12.7 milion nga marrëveshjet e televizionit dhe kinemasë, honorarët, kostumet e veshjeve dhe një linjë të tualeteve për fëmijë.

Në fillim të këtij viti, Netflix njoftoi se regjisori fitues i Oskarit Taika Waititi po bënte një seri të animuar të “Çarli dhe Fabrika e Çokollatave” dhe një film të dytë për “Oompa-Loompas”, punëtorët e fabrikës në libër. Në tetor, Warner Bros prezantoi “The Witches” (Shtrigat), një film i bazuar në librin e Dahl me të njëjtin titull, me protagoniste Anne Hathaway.

Ashtu si edhe  në intervistën e tij famëkeqe me “Neë Statesman”, Dahl më vonë e pranoi antisemitizmin e tij në një artikull në “Independent” në  vitin 1990. Ai tha: “Unë sigurisht që jam anti-izraelit dhe jam bërë antisemit për aq sa kuptoni  një person hebre në një vend tjetër si Anglia, që mbështet  me forcë Zionizmin. Unë mendoj se ata duhet të shohin të dy palët.

Është e njëjta gjë e vjetër: të gjithë ne dimë për hebrenjtë dhe pjesën tjetër të saj. Nuk ka asnjë botues jo-hebrenj askund, ata kontrollojnë mediat – gjë e zgjuar – kjo është arsyeja pse presidenti i Shteteve të Bashkuara duhet t’ia shesë të gjitha këto gjëra Izraelit. “

Pak para vdekjes së tij, Dahl mori një letër nga dy fëmijë nga  San Francisko, ku shkruhej: “I dashur Z. Dahl, Ne i duam librat tuaj, por kemi një problem… ne jemi Hebrenj ! Ne i duam librat tuaj por ju nuk na pëlqeni,  sepse jemi hebrenj. Kjo na ofendon! A mund të ndryshoni mendim për ato që thatë për hebrenjtë? Me  dashuri, Aliza dhe Tamar. ”

Dy vjet më parë, Fabrika  Mbretërore  e monedhave rrëzoi planet për të kremtuar jetën e Dahl me një monedhë përkujtimore,  për shkak të shqetësimeve në lidhje me pikëpamjet e tij antisemitike. Dokumentet zyrtare të marra nga Guardian zbuluan se Fabrika e Monedhave arriti në përfundimin se ai “nuk konsiderohej si një autor me reputacionin më të lartë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë