Komunitet

Një autostradë edhe për biçikletat

“Më kujtohet se kur isha i vogël, vite më parë, para ’90-ës shkoja gjithnjë me biçikletë te tezja ime, në dalje të Tiranës. Tirana atëherë ishte më e vogël, më e përmbledhur, por kishte një kodër të gjelbër përreth, një lloj unaze të gjelbër në dalje të saj, që ishte një çlodhje më vete dhe ku mund të ecje shumë lehtësisht me biçikletë”.

Këtë sjell ndërmend B.M, një burrë rreth të 50-ave.

Ai shton se Tirana sot ka nevojë për një unazë të gjelbër edhe jashtë saj, e mundësisht një unazë ndërurbane për biçikletat, që të lidhë Tiranën edhe me qytete të tjerë afër saj.

“Në atë kohë ishte një segment unaze i gjelbër në kodrat nga Kombinati i tekstileve në Sauk. Tirana rrethohet me kodra në perëndim,  jugperëndim, jug e juglindje. Tarracat në këto kodra ishin mbjellë me pemë frutore, ndërsa gjatë rrugëve që lidhnin qytetet kishte plepa në dy anë të rrugëve.”, kujton B.M.





Pikturë e kohës së socializmit me mbjelljen e pemëve. Autor: Edi Hila

Ndërkaq, sot, kur ka shumë vite që flitet për projektin e autostradës “së kaltër”, ajo për të cilën ngjan se shqiptarët kanë nevojë është një autostradë e gjelbër, që të lidhë përmes biçikletave qytete si Durrësi, Tirana dhe Elbasani.

Por çfarë mund të themi realisht për këtë autostradë të gjelbër?

Sipas ing. Artur Sulçe, ekspert për sigurinë rrugore, do të ishte mirë, që në planin e biçikletave të ishte përcaktuar edhe korridori i biçikletave në rrugë të ndryshme të vendit.

Artur Sulce

“Shembujt e tipologjive të infrastrukturës së zhvilluar në qytetin e Tiranës kanë të bëjnë me shndërrimin e një rruge të rregullt në hapësirë të përbashkët për qytetin, ndërtimin e një rruge biçikletash në qytetin e Tiranës dhe pa menduar aspak, në korridorin e "autostradave" të biçikletave Tiranë- Durrës, zhvillimin e "autostradave" të biçikletave në disa korridore në vendin tonë.”,- shprehet Sulçe për gazetën “Si”.

Për inxhinierin e gjelbërimit Andi Papastefani pasja e një unaze të gjelbër për Tiranën është e nevojshme dhe diçka, që në vend të përmirësohet me kalimin e viteve, ka dështuar.

“Dikur, qytetet shqiptare lidheshin me njëri- tjetrin me rrugë të gjelbëruara, që shërbenin si korridore të gjelbra. Pemët ishin plepa, jo aq të mira për alergjikët, por bënin hije dhe ulnin temperaturën”, vëren Papastefani, ndërsa shton se pas ’90-tës, ky gjelbërim ndërqytetas u eliminua.

“Tirana rrethohej nga vreshta në veri, verilindje,  në veriperëndim, Kamëz dhe kishte pemë frutore. Në juglindje, ferma “Gjergj Dimitrov” kishte vreshta e pemë frutore. Kurora e Gjelbër, pemë frutore në tarraca filluan të mbilleshin nga Kombinati i Tekstilit në lindje deri në Sauk, në juglindje, në kodrat që rrethonin Tiranën në këtë drejtim. Gjithë ky investim pati një fund të hidhur dhe nuk ekziston më.”, pohon Papastefani.

Papastefani thekson se: “Në atë kohë, përdorimi i biçikletës ishte masiv, se ishte i vetmi mjet privat udhëtimi. Por biçikletat ndanin rrugën me automjetet (më të pakta se sot), ndërsa rrugët ishin të mbushura me pemë frutore, ndërsa shumë pemë mbilleshin me punë vullnetare.”

Papastefani përmend “Emerald Necklace” apo varësja e gjelbër- një koncept të projektuesit të gjelbërimit, Olmsted në Boston në fund të 1800-ës.

“Kjo varëse ishte e përbërë nga parqe në vazhdim të njëri- tjetrit. Ideja fillestare akoma nuk është plotësuar komplet. Megjithatë, ky sistem  gjelbërimi është shumë efektiv”,- vëren ai.

Papastefani pohon se, shpresa e Tiranës është për një park në veri, në Paskuqan, që ashtu siç i shërben Parku i Liqenit Artificial, pjesës juglindore dhe jugperëndimore, t’i shërbejë pjesës verilindore dhe veri perëndimore, duke përmirësuar përqindjen e gjelbërimit aq të dëshiruar të kryeqytetit.

Ndërsa eksperti i sigurisë, Artur Sulçe vijon se, “Plani i Biçikletave në qytetin e Tiranës do të ishte i plotë dhe i mirëstudiuar, duke u bërë në mbarë infrastrukturën rrugore të qytetit tonë dhe nëse do të përcaktoheshin  tre rrjete biçikletash: një rrjet në nivelin e qytetit, një rrjet në nivel rrethi, një rrjet në nivel lagjeje.”

Sipas tij, “Çdo rrjet duhet të plotësojë disa kërkesa të cilësisë dhe objektivi i planit të biçikletave ishte të azhurnojë dhe zgjerojë rrjetin ekzistues, në mënyrë që të arrihet një rrjet që plotëson kërkesat.”

 “Pjesa më e madhe e projekteve që duhej të ishin parashikuar në mënyrë të plotë duhej të implementoheshin me faza dhe jo të anashkaloheshin”, vijon ai, ndërsa shton se “çdo investim në infrastrukturën rrugore kur nuk i paraprin zhvillimit social është një investim i dështuar.”

Sulçe i referohet modelit holandez përsa i përket ndërtimit të “autostradave” të biçikletave.

Autostrade biçikletash ne Gjermani

“Koncepti “autostradë” i biçikletave është zhvilluar kohët e fundit në Hollandë me qëllim të promovimit të çiklizmit ndërurban si një mjet për lehtësimin e bllokimeve në autostrada. Autostradat e biçikletave sigurojnë rrugë me cilësi të lartë në korridoret ndërurbane deri në 20 km.”,- vëren Sulçe.

Ndërkohë, në shumë vende evropiane, ku njerëzit përdorin në masë biçikletat është diçka e zakonshme lëvizja me biçikletë në rrugët interurbane. Autostrada e biçikletave apo biçistrada është mbase trendi më i ri (pavarësisht se ka vende ku këto ekzistojnë prej më tepër se një dekadë).

Në disa zona në vendet e ulëta, rrugët lidhëse nga një qytet te tjetri janë bërë “zona 60”. Në to, makinat nuk mund ta kalojnë shpejtësinë 60 kilometra në orë dhe dy korsitë tradicionale janë shndërruar në një korsi të përbërë prej dy pistave me asfalt të kuq, ku lëvizin biçikletat.

“Në vitin 2020 qeveria qendrore inicioi një numër të madh projektesh dhe studimesh në kuadër të "Biçikletë Master Plan". Kërkimet dhe politika aktive vazhdojnë në shekullin e ri. Bashkia harton koncepte të reja, që synojnë të humanizojnë trafikun dhe promovojnë mënyra aktive të transportit siç është çiklizmi; ato përfshijnë "rrugët e biçikletave", "hapësirën e përbashkët", "ngarjen ngadalë shkon më shpejt" dhe "autostradat e biçikletave". Këto koncepte nuk do t’i ndryshojnë  qytetet shqiptare  brenda natës, por i ndihmuan ata për t'i bërë më miqësorë me biçikleta dhe kështu të ruajnë nivelet ekzistuese të çiklizmit.”, vëren eksperti Sulçe.

E vërteta është se në një kohë kur i kushtohet shumë vëmendje autostradës së kaltër, akoma dhe më e rëndësishme po bëhet përditë e më tepër një autostradë e gjelbër, që mund të lidhë Tiranën me qendrat rreth saj. Kjo autostradë për çiklistët, jo vetëm që do të lehtësonte shumë trafikun, por do të inkurajonte aktivitetin sportiv dhe do të ndikonte pozitivisht në shëndet. Një nismë e tillë do t’i jepte po ashtu edhe një bum turizmit të rrethinave mes Tiranës dhe qyteteve rrotull saj. Kushdo që ka parë rrugën e vjetër të Krujës, rrugën e Dibrës, kodrat mes Tiranës dhe Elbasanit, apo mes Tiranës dhe Durrësit mund të dëshmojë jo vetëm për bukurinë e natyrës, por edhe për mundësinë e zhvillimit të rrugëve për çiklistë pa shumë shpenzime.

B.Goce


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë