Në fillim ishte Boris Johnson. Kryeministri britanik besonte fort tek imuniteti i tufës, por shpejt do ta kuptonte se derisa 60 përqind e popullsisë të infektohej me koronavirusin e ri për t’u bërë më pas imunë, do të thoshte kolaps të sistemit shëndetësor. Kështu 56- vjeçari me qasjet e tij ndryshe si “Boris që është Boris” e çoi vendin në lockdown, por duke mos ia imponuar vetes rregullat e reja që kishte prezantuar. Kështu vijoi të takonte njerëz në mjedise të mbyllura, në grupe të mëdha e duke shtrënguar duart me ta…derisa ai u bë i pari lideri i infektuar me Covid-19.
Presidenti brazilian, i ekstremit të djathtë, Jair Bolsonaro rezultoi pozitiv në korrik, pasi për muaj i kishte minimizuar rreziqet e virusit dhe e kishte cilësuar si “grip i vogël”, edhe pse Brazili shënonte qindra mijëra të vdekur.Pasi e cilësoi koronavirusin si psikozë të masave, presidenti bjellorus Alexander Lukashenko pranoi se ishte infektuar nga virusi.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump fillimisht do t’i zotohej bashkëqytetarëve se koronavirusi i ri, i mbërritur nga Kina, nuk qe asfare më i rrezikshëm sesa gripi që godiste çdo stinë. Retorika e tij mosbesuese, duke e marrë lehtë virusin që kishte nisur t’i godiste amerikanët ashpër në pranverë, me mbi 200 mijë të vdekur, arriti deri aty ku presidenti do ta quante një “mashtrim” të demokratëve koronavirusin e ri e do të tallte rivalin e tij, Joe Biden, se mbante maskë. Madje edhe familja e tij i sfidoi rregulloret që kërkonin maska në debate. Disa nga zyrtarët e tij, rezultuan pozitivë, ndërsa virusi preku edhe vetë presidentin dhe zonjën e parë.
Mjekët e presidentit 74-vjeçar, i cili u shtrua në Qendrën Mjekësore Kombëtare Ushtarake, “Walter Reed”, do të thoshin se ai po trajtohej me kurë eksperimentale jo në përdorim të gjerë me remdesivir, dexamethasone dhe regeneron, ndërsa shumë nisën të shkruanin duke ngritur shqetësimin nëse steroidi dexamethasone do të kishte shkaktuar ndonjë çrregullim të shëndetit mendor tek Trump, i cili garonte për një mandat të dytë presidencial.
Mjekët zbulonin se ky medikament shkaktonte efekte anësore që preknin shëndetin mendor, nga agresiviteti, shqetësimi, ankth e deri tek depresioni. “Mund të shkaktojë psikoza, mund të shkaktojë delir, mund të shkaktojë mani”, pohonin mjekët.
Ndërsa presidenti i sapozgjedhur Joe Biden ka në plan ta bëjë maskën të detyrueshme në të 50 shtetet e ShBA-së, ka ende politikanë përtej oqeanit, në juglindje të Europës – ku thuajse i gjithë kontinenti i vjetër e ka bërë të detyrueshme maskën edhe në mjedise të hapura – nuk pranojnë ta mbajnë.
Pas hyrjes në fuqi të aktit normativ për mbajtjen e maskave edhe në mjedise të hapura, duke prezantuar bashkë me të edhe gjobat në rast shkeljeje, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi jo vetëm që do të pranonte publikisht se vetë nuk do ta mbante maskën, por u bëntë thirrje edhe shqiptarëve të bënin njësoj. “Maska mbahet aty ku është e domosdoshme për ta mbajtur”, thoshte Kryemadhi, duke ironizuar me faktin se brenda lokaleve, shpesh të populluara, nuk mbahej maskë dhe ajo vihej në rrugë.
Kryetarja e LSI-së e çonte diskurin e saj politik gjetkë, duke akuzuar mbi koncesionet e dhëna në shëndetësi, që u kishin kushtuar xhepave të shqiptarëve miliona euro dhe se kreu i qeverisë nuk kishte merak shëndetin e shqiptarëve.
Në media u transmetuan edhe debate të zonjës Kryemadhi me punonjës të policisë, të cilët i njoftuan se do të gjobitej për mosmbajtjen e maskës. Kryemadhi i vijon takimet me njerëzit pa mbajtur maskë e shpesh as distancat sociale, ndërsa nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili u shtrua në spital pasi u infektua me koronavirus.
Ndonëse siç do të zbulonte vetë Vasili, se kishte pasur simptoma të lehta, ai pranoi se nuk e kishte mbajtur maskën. Sipas mjekut dhe ish-ministrit të Shëndetësisë, Vasili, maska është një mjet , nuk është i mjeti i parë. “…por pa testim, në rast se nuk ka dezinfektim, nuk krijohet distancimi a na mbron maska?’, do të shprehej Vasili.
Sipas sugjerimeve të Organizatës Botërore të Shëndetit, maskat duhen përdorur si pjesë e strategjisë gjithëpërfshirëse të masave për të shtypur transmetimin e virusit dhe për të shpëtuar jetë, megjithëse e thekson se vetëm maska nuk është e mjaftueshme për të siguruar nivelin e duhur të mbrojtjes, por duhet kombinuar me larjen e shpeshtë ose dezinfektimin e duarve dhe ruajtjen e distancës sociale.
Edhe ndaj atyre që kanë frikë se mbajtja e maskës për orë të gjata bën marrjen e nivelit t ulët të oksigjenit apo shumë dioksid karboni, OBSh thotë se kur mbahen si duhet, nuk shkaktojnë probleme me marrjen e oksigjenit.
Pas muajsh rezistence, Trump do të shfaqej me maskën mbrojtëse e ndonëse do ta etiketonte gjithfarësoj virusin e ri, nga një mikrob e grip, deri tek “mashtrimi” i demokratëve para zgjedhjeve, do të deklaronte dje se zbulimi i vaksinës nga kompania farmaceutike Pfizer, e cila pretendohet të jetë 90 përqind efektive ndaj koronavirusit, ishte publikuar pas zgjedhjeve për të mos ia dhënë atij fitoren, duke e pohuar më në fund vërtetësinë e virusit që gjunjëzoi botën dhe vijon të jetë rrezik për shëndetin e njerëzimit.
Për muaj me radhë, debati ndaj koronavirusit e kaloi sferën e shëndetësisë duke u bërë kështu një ndarje e madhe politike, me populistët që nuk e besonin (derisa infektoheshin me të) dhe liderëve të tjerë që e kuptuan rrezikun dhe ndërmorën masa, edhe të ashpra, për të parandaluar një katastrofë të shkaktuar nga pandemia. Por edhe nëse maska do të ishte e pamjaftueshme për të shmangur infektimin me koronavirus, ndërsa numrat vijojnë të rriten edhe pas prezantimit të masës për mbajtjen me detyrim të tyre, të paktën do të evitojë përhapjen e stërkalave tek qytetarët, që dalin nga gojët e politikanëve bashkë me premtimet elektorale./ Gazeta Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.