Pas suksesit që ka pasur vënia në skenë nga trupa e Teatrit Kombëtar, vepra “Tag” e shkrimtarit dhe skenaristit Bashkim Hoxha, premierë në vitin 2018 në Arturbina, së fundmi është vendosur që të përkthehet në gjuhën angleze dhe gjithashtu të botohet në Antologjinë e Dramaturgjisë bashkëkohore.
Lajmin e ka bërë me dije vetë shkrimtari, i cili ka falënderuar institucionin që mori këtë vendim dhe Teatrin Kombëtar që vuri në skenë veprën e tij dy sezone artistike më parë, duke hapur edhe sezonin e aktiviteteve artistike në 2018.
“Sot mora lajmin e mirë se komedia ime ‘TAG’ është përzgjedhur e përkthyer në anglisht dhe rumanisht për t’u botuar në Antologjinë e Dramaturgjisë bashkëkohore dhe do t’i bëhet leximi skenik nga aktorët rumunë në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Sibiut, Rumani. Ndaj kënaqësinë time me miqtë dhe ata që duartrokitën versionin e vënies në skenë të kësaj komedie me dashuri nga Teatri Kombëtar në Tiranë dhe ata që në Kosovë duartrokitën trupën profesioniste të Teatrit të Podujevës”, shkruan ai.
Vepra “Tag” ka qenë pjesë edhe e disa festivaleve teatrore në Shqipëri dhe Kosovë.
Publiku shqiptar e ka mirëpritur dhe pëlqyer këtë vepër, ndërsa tani kjo vepër do njihet edhe nga publiku ndërkombëtar.
Kohët e fundit vepra është përkthyer edhe në gjuhën rumune dhe do të bëhet edhe pjesë e leximeve skenike nga aktorët e njërit prej teatrove më në zë të Rumanisë në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të teatrit në Sibiu të Rumanisë.
“Tag” është një vepër e shkruar për realitetin tonë. Është një fshat i dhënë pas “Facebook”-ut, i cili ka punët dhe angazhimet e veta, por përpiqet që të gjejë veten diku larg, duke kërkuar profile të ndryshme për komunikim me të gjithë botën, duke harruar në të njëjtën kohë gjërat që ka shumë pranë.
Në mënyrë ironike, autori i ka vendosur ngjarjet në një fshat, ku gjithçka mund të presë, edhe mbjellja dhe korrja e arave, edhe lopa e lidhur në haur, por jo komunikimi me miqtë virtualë. Mund të derdhet qumështi në sobë, por nuk mund të harrohet një “tag” shokut apo shoqes, një “share” të një fotografie dalë mes jonxhës. I vendosur në kontekstin e fshatit, ky diskurs teknologjik krijon një “rrjet” ngatërresash dhe situata qesharake mes personazheve që komunikojnë virtualisht, edhe pse jetojnë fare pranë njëri-tjetrit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



