Lojëra me Dore

Kriza e një vendimi të çuditshëm që karantinon volejbollin

Mendrit Shehu– Nëse në Shqipëri  i gjithë debati për bashkëjetesën midis sportit dhe virusit është i njëanshëm drejt futbollit, në diskutimin nëse do të rinisë apo jo kampionati dhe ndoshta si, të gjitha ligat e tjera sportive po përballen me probleme të ngjashme, por me përgjigje të ndryshme. Volejbolli dhe basketbolli mezi presin të zbresin në fushë, por këtë gjë ua ka ndaluar së fundi zyrtarisht Ministria e Shëndetësisë. Sipas kësaj të fundit, volejbolli dhe sportet e tjera në salla të mbyllura përbëjnë rrezik infektimi me Covid-19, kështu që nuk mund të ushtrojnë aktivitetin e tyre. Në fakt, në rajon dhe gjithë Europën, volejbolli po luhet.

Nga një takim në Ministrinë e Shëndetësisë i presidentit të FSHV-së, Erlind Pëllumbi.

Për FSHV-në, përgjigja e Ministrisë së Shëndetësisë është shabllon, pa një gjykim të thelluar dhe të bazuar në paaftësi. ”Është shqetësuese që Ministria e Shëndetësisë nuk thellohet, pavarësisht informacioneve që i kemi dërguar se si po menaxhohet ky sport në rajon e më gjerë. Kjo nënkupton se Komiteti i Ekspertëve nuk është thelluar fare në këto specifika, duke përcjellë një përgjigje shabllon. Është në kontrast të plotë me atë që në të gjithë Europën po luhet volejboll, duke filluar nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, Kroacia, etj., e për të kulmuar me Italinë, që është edhe epiqendra e Covid-19 në kontinent.

Janë hapur e funksionojnë palestrat, qendrat tregtare, transporti publik, baret, restorantet, shkollat, kinematë, etj., ndërsa Ministria e Shëndetësisë e konsideron volejbollin sport me rrezikshmëri të lartë në përhapjen e virusit Covid-19! Një gjë e tillë vjen, teksa ekspertët e mjekësisë dhe shëndetit anembanë botës e kanë ulur nivelin e perceptimit të rrezikut për shumicën e sporteve në përgjithësi dhe volejbollit në veçanti”, – shkruhet në deklaratë.

Madje dhe sallat e sportit janë hapur por vetëm për takime elektorale.

Erion Veliaj gjatë një takimi elektoral në një nga palestrat e shkollës

“Është një vendimi padrejtë, i pamenduar dhe i paargumentuar. Kam përshtypjen se nuk e kanë marrë në konsideratë specifikën e këtij lloj sporti. N.q.s. do të jetë përfundimtar vendimi për mbyllje, volejbolli do të shkojë drejt kolapsit total. Ne ishim në kufijtë e mbijetesës, imagjinoni një mbyllje totale.”- thotë për Gazetën Si, trajneri i femrave Barleti, Artan Pogoni.

Artan Pogoni

Trajneri i mirënjohur shprehet i habitur për zërat që qarkullojnë, për ta vazhduar aktivitetin në Kosovë, siç ishte ideja e  sekretarit të përgjithshëm të federatës. Pogoni  bën thirrje që komuniteti i volejbollit të reagojë bashkërisht. “ Transferimi i ndeshjeve ne Kosovë më duket thjeshtë një ide e dalë si reagim ndaj atyre qe nuk e lejojnë volejbollin të luhet. Kam përshtypjen se është thuajse e pamundur të realizohet për shkaqe teknike dhe më shume akoma për shkaqe financiare. Do të ishte skandal për shtetin Shqiptar dhe sidomos për Ministritë e linjës siç është ajo e Arsimit dhe Sportit dhe Ministrisë së Shëndetësisë n.q.s. kjo gjë do të ndodhë.

Ne si “Barlet” kemi marrë një nismë për të sensibilizuar të gjitha skuadrat e volejbollit duke bërë një letër qarkulluese ku i kërkojmë FSHV-së që të krijojë një grup pune me aktorët dhe faktorët e këtij sporti duke ja drejtuar kërkesën edhe Ministrisë së Shëndetësisë. Është momenti ku të gjithë të bëhemi bashkë dhe t’i mbushim mendjen këtyre burokratëve që të na lejojnë të luajmë ”, – shprehet Pogoni

Vendimi që solli polemika

“Aktivitetet sportive, përfshirë këtu edhe volejbollin, konsiderohen aktivitetet me rrezikshmëri të lartë për përhapjen e infeksionit COVID-19. Kërkesa juaj është shqyrtuar edhe në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve, i cili duke vlerësuar situatën epidemiologjike në vendin tonë, shtimin e rasteve të reja, vendosi se aktualisht nuk është e mundur hapja e aktivitetit sportiv të volejbollit për shkak të rrezikshmërisë që paraqet për përhapjen e infeksionit Covid-19”, thuhet mes të tjerash në Shkresën që Ministria e Shëndetësisë ia ka dërguar Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, si dhe Federatës Shqiptare të Volejbollit.

Në rrugë jozyrtare, gazeta ka mësuar se Ministria, sidomos Komiteti Teknik vendimin për të anuluar lojërat ne ambiente të mbyllura e ka bazuar në një studim të Komitetit Teknik Italian, që e rendiste sportin e volejbollit, në vendin e parë përse i përket rrezikshmërisë së përhapjes së virusit. Ky vendim që krijoi bujë në Itali, u tërhoq dhe u vendos lejimi i këtyre aktiviteteve.

“Ky vendim nuk ka mundësi të jetë i bazuar në ndonjë kërkim shkencor sepse vendet e rajonit dhe fqinjët tanë detarë siç është Italia po luajnë të gjithë volejboll dhe nuk besoj se ne kemi kapacitetet shkencore më të zhvilluara se këto vende”, shpjegon Pogoni.

E ardhmja

Dëmet për shkak të pandemisë janë të mëdha dhe kanë patur kosto jo vetëm financiare. Stivi është një nga të rinjtë e shumtë që vazhdojnë  të stërviten në salla apo palestra sportive, ndërkohe që pikërisht në sezonin ku pritej të aktivizohej me ekipin e parë të Tiranës, Ministria e ka detyruar të ndërpresë stërvitjen, pa ditur se kur dhe si do të rikthehet në parket. “Kemi 8 muaj që presim të fillojmë sot apo nesër, dhe akoma nuk kemi një përgjigje se kur do fillojë ky kampionat, që të përgatitemi. Mirë unë që jam i ri, por ka të tjerë që mbajnë familjen me këtë sport dhe mungesa e përgjigjes ju pret krahët”, – u shpreh ai.

Në sfond një e ardhme gjithnjë e më e pasigurt, me një sezon, i cili premton të jetë dramatik për shkak të një zvogëlimi të dukshëm të burimeve ekonomike me të cilat do të duhet të përballen të gjitha ekipet. Vendime që sjellin dëme psikologjike, sociale dhe rrjedhimisht dekurajojnë edhe aq pak biznes te afruar tek volejbolli. Shqipëria rrezikon të mbetet  i vetmi vend në Europë pa sport, sepse aty ku nuk ka pengesa, ato krijohen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë