Ndërsa kryebashkiaku vijon fushatën elektorale në Tiranë dhe fshatrat përreth, i shoqëruar nga figura publike edhe nga fusha e artit, Presidenti i Republikës nga ana tjetër ka hapur institucionin duke u dhënë artistëve një hapësirë performuese, në një kohë kur brenda sallave koncertore apo të teatrove ende nuk kanë rinisur veprimtaritë.
Nisma e Presidentit, që hap institucionin për artin nuk është e re – ishte kryeministri Edi Rama që përuroi Qendrën për Hapje dhe Dialog brenda godinës qeveritare më 2015 – megjithatë nuk kaloi pa ngjallur debat, kur u shndërrua në skenë teatri.
“Profeti i Kokoshkave” ishte monodrama satirike e aktorit Edmond Budina, një prej figurave qendrore të rezistencës më shumë se dyvjeçare kundër shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, që erdhi si premierë në institucionin e Presidencës, në fund të shtatorit.

Shfaqja e lindur si shenjë proteste kundër shembjes së Teatrit, siç e komentonte vetë kreu i shtetit do të komentohej edhe si teatër politik apo kundërpërgjigje e Metës në vazhdën e betejës së gjatë me shumicën qeverisëse , që kulmonte me nismën për shkarkim të Presidentit, çështje që shkoi deri në Komisionin e Venecias. Aq më tepër kur protagonist dhe autor i monodramës ishte aktori Edmond Budina, i cili bashkë me të vëllain regjisor Robert Budina dhe një grup aktivistësh nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit organizuan një sërë tubimesh në qytete të ndryshme pas shembjes së godinës, duke kulmuar edhe me përpilimin e një liste kërkesash, që tingëllonin qartë politike.
Veç thirrjeve të aktorit Budina për shpërndarje të Parlamentit, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kërkonte rrëzimin e qeverisë Rama, ndryshim të Kodit Zgjedhor, shfuqizimin e amendamenteve të Kushtetutës para ’98 dhe hartimin e një të reje, kërkesa që nuk ishin aq larg përpjekjeve të presidentit për Referendum në mbrojtje të Kushtetutës.
Me qëllimin e ironizimit të aksh diktatori apo pretenduesi për diktator, siç e shihte aktori Budina subjektin e satirës së tij e që e mbështeste edhe vetë Meta, kjo ishte forma që u zgjodh për të protestuar nga Aleanca që i ndali tubimet në rrugë, ndërsa emrat e disa prej tyre nisën të përfliteshin se ishin tashmë pjesë e listave elektorale për zgjedhjet e 25 prillit , 2021.

Titullin e monodramës, Meta do ta përdorte politikisht duke iu referuar kryeministrit, por afrimin e artit brenda institucionit drejtuar prej tij do të përpiqej ta nxirrte edhe përtej atij episodi, që jo vetëm e lidhte me kauzën e godinës së Teatrit – mbrojtur edhe nga vetë Meta me rrëzimin dy herë të projektligjit për shembjen e godinës së vjetër dhe ndërtimin e së resë -, por e bënte të dukej si përdorim politik.
Kështu, kreu i shtetit vijoi me veprimtari të tjera në kuadër të nismës “Artistët Shqiptarë në Presidencë”, e cila sipas tij shërben për të vlerësuar dhe lartësuar punën dhe kontributin e jashtëzakonshëm të artistëve tanë në fushën e artit dhe të kulturës.

Përtej dekoratave dhe vlerësimeve për artistë pas vdekjes e për të gjallë, ku së fundi nderoi me titullin “Mjeshtër i Madh” poeten Zhuliana Jorganxhi, në presidencë u organizua edhe një mbrëmje koncertale me muzikë operistike.
Tenori Armaldo Kllogjeri, sopranoja Mariana Leka, baritoni Solen Alla, shoqëruar në piano nga Ardita Bufaj dhe harpë Aida Kasmi, interpretuan disa nga kryeveprat operistike botërore nga Mozart, Beethoven, Verdi e Puccini, duke e shndërruar presidencën në sallë koncertesh.
“Artistët shqiptarë do të jenë gjithmonë të mirëpritur në Institucionin e Presidentit, simbol në mbrojtjen dhe promovimin e artit, kulturës dhe trashëgimisë sonë kombëtare”, zotohej Meta pasi ndante përshtypjet për mbrëmjen kulturore. Por ndryshe nga betejat në mbrojtje të Kushtetutës, ku ofronte argumente sesi sipas tij ishte përçudnuar ajo prej 1998-s, kur qe miratuar përmes votës referendare, artet në përgjithësi këto kohë kanë një rrezik të përbashkët në të gjithë botën: pandeminë e koronavirusit. Dhe ndaj kësaj, qeveritë kudo janë detyruar t’i bëjnë hapjet e teatrove, kinemave apo galerive me doza të matura dhe protokolle të shtuara.

Por tenori Kllogjeri, e shihte koncertin përtej një mbrëmjeje ndryshe në institucionin e Presidentit. “Arti do të jetojë në çdo kohë. Ai është mjeti që shëron sëmundje, bashkon popuj dhe gëzon zemra. Falënderoj Presidentin e Republikës së Shqipërisë, që ktheu sytë nga Arti Lirik në këto kohë të vështira”, shkruante Kllogjeri.
Në fjalët e tij, kreu i shtetit tingëllonte si një lloj patroni i arteve, në ato kohë historike ku në Europë mbretër, papë ofronin patronazh për artet dhe artistët, ndërkohë që në oborret e fisnikëve zhvilloheshin ato që sot njihen si kryevepra të botës në muzikë, pikturë apo skulpturë.

Por sot, përtej atyre individëve të pasur apo bizneseve që duan të sponsorizojnë për artin, ky i fundit rregullohet përmes institucioneve përkatëse dhe jo nga mbrojtja, qoftë kjo edhe nga Presidenti që i ka të përcaktuara mirë me Kushtetutë detyrat e tij.
Ndërsa institucionet janë me dyer të kyçura apo gjysmë të çelura për shkak të pandemisë, Kryeministria përmes hapësira të COD dhe Presidenca me nismën e ndërmarrë, duket se duan të krijojnë përshtypjen se vetëm aty ofrohet siguri. Dhe, gjithçka mund të ndodhë në kohë fushate, ku artistët i sheh të shoqëruar me politikën, qoftë në një mbrëmje koncerti apo gjetiu në takime me elektoratin./ S. Balliu
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




