Libra

Një letër e fshehur në kopertinën e një libri të vjetër

Kopertina, e punuar me mjeshtëri, mbështjell faqet e zverdhura nga koha. Me lëvizje delikate dhe të kujdesshme, Sofia çik lëkurën dhe letrën, për të restauruar librin dhe për t'i kthyer atij shkëlqimin e dikurshëm.

Libërlidhja është pasioni i saj. Vetëm kështu ia del të mos mendojë për jetën, që dita-ditës po i rrëshqet duarsh. Kur i vjen radha astarit të kopertinës, Sofia ngel pa frymë: brenda tij diç fshihet. Një letër e shkruar me dorë: është historia e një gruaje, Klarisës, e pasionuar pas artit dhe librave.

Një libralidhëse e zonja, që ka jetuar në fillim të shekullit XIX, atëherë kur grave nuk u lejohej ta ushtronin atë profesion. Një grua që luftoi për të qenë e pavarur. Nën dritën e zbehtë të qiririt, ajo i ka besuar librit një mesazh, hedhur në detin e kohës, dhe një sfidë që mund ta çojë drejt një zbulimi të jashtëzakonshëm atë që do ta pranojë.Sofia nuk arrin ta besojë se çfarë thesari ka shtënë në dorë! Ajo grua duket sikur i flet zemrës, dëshirave të saj të tradhtuara. Ndaj është e vendosur ta zbulojë kush ishte dhe çfarë sekreti fshihte.

Tomazo Leoni, gjahtar i njohur librash antikë dhe ekspert grafolog, do ta ndihmojë të hedhë dritë mbi këtë mister. Së bashku ndjekin të dhënat që gjejnë faqe pas faqeje, rresht pas rreshti, qytet pas qyteti. Librat na zgjedhin dhe ai libër zgjodhi Sofinë. Pas më shumë se dyqind vjetësh, vetëm ajo mund t'i japë zë Klarisës. Dhe vetëm historia e Klarisës mund t’i kthejë Sofisë shpresën e humbur. Sepse rruga drejt lirisë për një grua, është e mbushur me pengesa, por kurrë nuk duhet të ndalesh së synuari horizontin....

Cristina Caboni, të shkruash për të ata që e konsiderojnë librin qëllim dhe jo mjet

Pas suksesit me “Shtegu i parfumeve” dhe me “Kopshti i Luleve sekrete” Cristina Caboni kthehet me një roman të ri mbi fuqinë e librave. “Libralidhësja e historive të humbura” , përkthyer nga Agim Doksani, nën logon e shtëpisë botuese "DITURIA".   Falë librave, dy gra të guximshme, larg në kohë, takohen duke u bërë njëra forcë e tjetrës, në kërkimin e lirisë dhe të një të ardhmeje më të mirë.

Tituj të tjerë nga autorja, botuar nga Sh.B. DITURIA

Titulli është nga ata që tërheq: sa magji ka në idenë e rilidhjes së historive të humbura? Në të qepurit të asaj që një ndodhi e pafat e së shkuarës e ka grisur, ndarë ( faqet e një libri, fillimi dhe fundi i një historie, gjurmët e një romani policesk, personazhet e një historie dashurie) e që duket i destinuar  të zhduket, të humbasë në kohë? Nuk bëhet fjalë vetëm për të plotësuar, për të vendosur në vendin e vet copën e fundit të enigmës, por të kujtosh.

Në “Libralidhësja e historive të humbura” romani i katërt i Cristina Caboni-it, ajo që i bën bashkë copëzat e një historie të harruar është Sofia Bauer, bibliotekare nga Roma, e cila ndërsa përjeton problemet që shoqërojnë ndarjen nga i shoqi, Albertoja, ndeshet në një botim të vjetër të një shkrimtari romantik dhe vendos ta restaurojë. Por libralidhëset janë dy: është edhe Klarisa, fisnikja që ka jetuar në fillim të viteve ‘800 mes Vjenës dhe Romës, që shpërndau artin e rilidhjes në mënyrë sekrete.

Mes dy grave ka një ngjashmëri të jashtëzakonshme: pasioni i ngjashëm për librat, shpesh e përdorur për t’i shmangur realitetit, një martesë e gabuar, nevoja për t’u arratisur dhe rifilluar. Ajo që i lidh  është padyshim libri,  që Sofia po restauron, që fsheh faqe sekrete të shkruara nga Klarisa. Kërkimi i së vërtetës e çon Sofinë të takojë Tomazo Leonin, grafologjist i ndrojtur dhe magjepsës, i vetmi njeri me të cilin Sofia nuk ndien nevojën për të “negociuar një vazhdim, një gjetje kompromisesh”, i vetmi me të cilin do të kthehet “të jetë vetja plotësisht”.

Ka padyshim shumë magjepse, në idenë e të gjeturit një libër antik, një histori, të futesh e të hetosh mbi gjurmët e një të shkuare të panjohur. Çdo kapitull i librit nis me një citim -Gëte, Dikens, Heminguej, Shelli, Ostin, etj.,- si një mënyrë për të shprehur dashurinë për leximin dhe vullnetin e autores për të shkruar për të pasionuarit, për ata që e konsiderojnë librin një qëllim dhe jo një mjet. Ky është edhe fakti që janë librat ata që shpëtojnë dy protagonistet, në një rast duke u ofruar një strehë, në një tjetër një shtysë për të rivënë në lëvizje jetën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë