Nga Meri Lika- Kryeministri Edi Rama deklaroi se para zgjedhjeve (pikërisht para zgjedhjeve) niveli i pagës minimale do të rritet nga 26.000 leke në 30.000 lekë. Pra ndryshimi parashikohet të jetë rreth 15,4% më shumë se paga aktuale minimale.
Nëse do ta shohim nga pikëpamja njerëzore, kjo pagë përcakton një kërkesë minimale të dinjitetit për punëtorët, duke u përpjekur të shmangin situatat e shfrytëzimit, të cilat dëmtojnë të drejtat e njeriut, pasi përcakton një shumë minimale për të cilën është e nevojshme të paguhet çdolloj pune.
Personalisht, unë jam partizane e faktit që paga minimale duhet të ketë një nivel të kënaqshëm, ashtu siç duhet ta kenë dhe pensionet, sepse kjo u jep një jetë më dinjitoze të punësuarve dhe pensionistëve. Por kjo ëndërr duhet të realizohet në koherencë me realitetin e disponueshmërisë që ka biznesi dhe me realitetin e fondeve që shteti ka për sigurimet shoqërore.
Në një shtet normal, rritja e pagave duhet të jetë në të njëjtën përqindje me rritjen e pensioneve, por në fakt nuk ndodh kështu, ndërkohë që paga minimale do të rritet me 15.4%, pensionet do të rriten vetëm me 1.6% pra, shteti kërkon më shumë para nga biznesi dhe i punësuari, por jep shumë më pak nga paratë e tij (tonat në fakt).
Nisur nga fakti i problemeve financiare që ka shkaktuar deri tani, por dhe të atyre që akoma nuk dimë se sa do shkaktojë pandemia, mendoj se paga minimale duhet të rritet në ato nivele, të cilat nuk rrezikojnë qëndrueshmërinë e biznesit.
Përveç të gjitha këtyre, më tërheqin vëmendjen dy nga pasojat (njëra prej tyre shumë e dukshme) që do të prodhohen nga kjo rritje, pasoja të cilat do të rriten paralelisht me masën e rritjes së nivelit minimal të pagës. E para më e dukshmja; tundimi për të rritur pagesat e pagave në dorë, ose me fjalë të tjera, që punëdhënës dhe punëtorë të shkojnë në “anën e errët” të sistemit.
E dyta është më komplekse dhe më tërheq shumë vëmendjen. Nëse ka një rritje, të themi, të 15.4% të pagës minimale, punëdhënësi do të duhet ta kalojë këtë rritje në një rritje të çmimit të produktit që ai shet ose shërbimit që ai ofron, në mënyrë që të ruajë fitimin e tij. Po marr një shembull shumë të thjeshtë (shifrat nuk po i marr reale), nëse një kamerier i punësuar e ka pagën 1.000 lekë dhe me rritje i shkon deri në 1,150 lekë, pronari i lokalit, për të ruajtur fitimin e tij të biznesit, duhet të rrisë çmimin e kafesë, duke shkuar nga 1 lekë deri në 1.15 lekë. Klienti do të jetë ai që do ta paguajë këtë rritje, por përveç kësaj, ka shumë mundësi që këtij klienti të mos i jetë rritur paga (mund të mos e ketë pasur pagën minimale) sepse mund të jetë nga shumica e punonjësve që e kanë pagën më të madhe se paga minimale më shumë se paga minimale (73% e të punësuarve). Kjo do të thotë, si përfundim, se ata që nuk e kanë pagën minimale, do të përfundojnë duke humbur fuqinë blerëse, pasi ata duhet të paguajnë për kafenë pak më shtrenjtë.
Por le të vazhdojmë me shembullin e barit. Pronari i barit jo vetëm që do të duhet të kërkojë kompensimin e rritjes së shpenzimit nga paga minimale, por me shumë mundësi do t’i rritet edhe çmimi i blerjeve të materialeve (si kafe, sheqer etj) sepse edhe furnitorët e tij, po për të njëjtën arsye, kanë rritur çmimet e tyre. Kështu pra, pronari i barit do të duhet të rrisë përsëri çmimin e një filxhani kafe për ta vendosur atë në 1.30 lekë më shumë, një rritje që ka shumë të ngjarë të bjerë në xhepin e punonjësit, paga e të cilit nuk është rritur.
E gjithë kjo do të thotë se një masë e dëshirueshme shoqërore mund të ketë pasoja të komplikuara, duke gjeneruar një rritje të padëshiruar të çmimit dhe duke zvogëluar fuqinë blerëse të një pjese të rëndësishme të popullsisë, domethënë efekte të padëshiruara, shtuar kësaj edhe vështirësitë ekonomike që po kalojmë në pandemi.
A do të thotë kjo se paga minimale nuk duhet të rritet? Sigurisht që jo, por duhet të kombinohen formula të tjera, gjë që nuk është aspak e lehtë, por është e domosdoshme në kohën që po kalojmë.
Nëse do flasim këtu për efektin që kjo rritje do të ketë në industrinë prodhuese apo në shoqëritë fason, të cilat aktivitetin e tyre e kanë të lidhur me eksportin, efekti i rritjes së pagës do të pasqyrohet në rritjen e çmimit të produktit ose shërbimit që ofrojnë dhe në kushtet kur kjo industri nuk ka asgjë të sigurt, kur rikthimi i valës së dytë të pandemisë po troket, kjo do të thotë që këto biznese të dënohen me vdekje, ose biznesi do të gjej rrugë të tjera në mënyrë që të ngelet tërheqës në tregun e vështirë që është krijuar: do të pushoj punëtorët nga puna dhe do përpiqet me të gjitha forcat të qëndrojë në parametrat që ka por me më pak punëtor.
Gjithashtu kjo rritje, pa dyshim, nënkupton kosto për ne si shoqëri, pasi shkakton pushime nga puna në sektorët më pak produktivë, pikërisht ata që synon të mbrojë. Rezultati është që rritja e pagës minimale rrezikon të lë një pjesë të popullsisë pa punë dhe ndërkohë që mbrojtja sociale në Shqipëri pothuajse nuk ekziston kapërcimi i kësaj situate do të jetë shumë i vështirë. Asnjëherë në Shqipëri pas një rritje të nivelit të pagës nuk bëhen analiza për impaktin që kanë pasur duke krahasuar punëtorët që kanë përfituar dhe ata që kanë humbur vendin e punës.
Nëse do ta shohim nga këndvështrimi i të punësuarit, nga njëra anë, ajo përmirëson dinjitetin e tyre, si dhe rrit mirëqenien por, nga ana tjetër, frika e pushimit nga puna rritet, pasi rritjet në kufirin e pagës minimale krijojnë gjithmonë pasiguri për punësimin.
Decio Coviello, Erika Deserranno dhe Nicola Persico, studiues nga HEC Montreal dhe Universiteti Northwest, në Çikago, analizuan ndikimin e rritjes së pagës minimale te bizneset e vogla në Shtetet e Bashkuara.
Rezultati i studimit ishte se frika për humbjen e vendit të punës është më e madhe se sa fitimet e rritjes së produktivitetit tek biznesi i vogël, kështu që përgjigjja e punëtorit ishte se ndihej më mirë nëse i ruhej niveli i mirëqenies që ai kishte se sa t’i rrezikohej vendi i punës. Dhe duhet thënë se ky studim është kryer jo në kushte pandemie.
Kompanitë më të mëdha mund të jenë në gjendje të zhvillojnë strategji adaptuese, ndërsa ato më të voglat, të cilat karakterizohen dhe nga një menaxhim joprofesional, në pamundësi për të menaxhuar këtë ndryshim, zgjedhin dy rrugë: pushojnë njerëz nga puna, ose mbyllin aktivitetin.
Në kushtet kur ekonomia jonë ka pësuar goditjen më të madhe të këtyre 20 vjetëve të fundit, a është koha për “aksione” të tilla të populizmit elektoral?
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.