Politike

Letra e Trump/ Rama kundër 5G dhe ambasadës në Jeruzalem, por s’ka qëndrim për nismën e Pekinit

Kryeministri Edi Rama e kishte të qartë qëndrimin e Shqipërisë kur publikoi që me mëngjes letrën e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Me pak fjalë, ky i fundit falenderonte rreshtimin e Shqipërisë kundër teknologjisë 5G kineze, por në të njëjtën kohë i kërkonte kryeministrit Rama që të dalë nga nisma 17+1 e Pekinit dhe të zhvendoste ambasadën shqiptare në Jeruzalem.

Për teknologjinë 5G kineze, Rama foli dy herë gjatë ditës së premte. Një herë në fillim të mbledhjes së përbashkët të qeverive Kosovë-Shqipëri. ‘Vendet e rajonit tonë duhet të shohin perspektivën e një zhvillimi të teknologjisë 5 G të bazuar në një rrjet të sigurt në çdo aspekt dhe sigurisht duhet të synojnë alternativën e duhur të ofertës dhe që përsa na takon si Shqipëri është një ofertë e dyshimtë…”, tha ai. E përforcoi qëndrimin e tij në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti.

“Letra ime për gjithë drejtuesit e qeverive në rajon as më është kërkuar dhe aq më pak të më jetë imponuar nga Shtëpia e Bardhë. Është bindje, ashtu sikundër janë bindje që marrëveshjet e Abrahamit janë diçka e jashtëzakonshme për Lindjen e Mesme…”.

Kryeministri Rama dha përgjigje konkrete edhe për hapjen ose jo të ambasadës shqiptare në Jeruzalem, duke dhënë një shpjegim shterues.    

“Shqipëria është vendi që ka pasur më shumë hebrenj pas luftës se para luftës, është vendi i vetëm në Europë ku hebrenjtë kanë gjetur strehë mbrojtje dhe siguri aq të madhe sa asnjë hebre nuk i është dorëzuar nazistëve madje edhe vendi ku shqiptarët janë dorëzuar tek nazistët duke u paraqitur sikur janë ata hebrenj që kishin marrë në Shqipëri

Shqipëria është vendi që ka një lidhje të vjetër me Izraelin por edhe respekt të madh, por Shqipëria në politikën e jashtme është komplet e linjëzuar me BE-në”, u përgjigj Rama

Kryeministri sqaroi se me SHBA-në, Shqipëria është aleat strategjik, porse në politikën e jashtme, qyshse Shqipëria ka hyrë në rrugën e integrimit të BE-së, do të mbetet në një linjë me Europën. Të paktën deri tani.   

“Ne jemi aleatë strategjik të SHBA dhe BE dhe në politikën e jashtme, ne jemi të linjëzuar me BE-në. Shqipëria deri tani që po flasim qyshse se ka hyrë në proceset që lidhet me integrimin europian mbetet i vetmi vend që nuk ka lëvizur në asnjë rast nga vija e dakodërsuar e BE-së në politikën e jashtme, mund të vijë dita që ne të gjykojmë se mund të lëvizim, por kjo ditë nuk ka ardhur akoma”, tha Rama.

Kryeministri ishte konkret për 5G dhe ambasadën në Jeruzalem, por nuk përcolli qëndrim për kërkesën tjetër të Presidentit amerikan për tu shkëputur nga nisma 17+1 e Pekinit.

Rama iu shmang me delikatesë përgjigjes. Duke shfrytëzuar praninë e kryeministrit të Kosovës, gjatë konferencë për shtyp, Rama u përgjigj: “I qëndroj besnik asaj që kam thënë qysh në krye të herës se në prani të miqve nuk flas për punët e brendshme të shtëpisë… Ka kohë për të diskutuar për këto…”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë