Në një debat që ishte ekuivalenti politik i një dueli me shpata, fituesi ishte njeriu që doli më pak i lënduar,
Të martën në mbrëmje, ai ishte Joe Biden, sepse qëllimi i tij kryesor ishte t'u provonte amerikanëve se ai mund të qëndronte nën presionin e Donald Trump dhe se nuk kishte humbur mprehtësinë për të moshës së tij. Ai duhej të tregonte se mund të arrinte të ruante qetësinë përballë një luftëtari të kalitur si Donald Trump.
Biden e arriti këtë qëllim, edhe pse merita ishte pjesërisht e presidentit Trump, për shkak të shpërthimeve dhe ndërprerjeve të tij të vazhdueshme, të cilat rrallë i jepnin ish-nënkryetarit një shans për të thënë diçka me të vërtetë të dëmshme për kauzën e tij.
Edhe pse disa shpresonin të shihnin një president më të përmbajtur, Trump u shfaq si gjithmonë, me deklarata bombastike, fyese dhe nxitëse. Megjithatë presidenti shënoi një fitore të rëndësishme, duke qënë në ekran gjatë gjithë debatit. Ai madje hyri live në të gjitha llogaritë e tij në rrjetet sociale përgjatë gjithë debatit 1 orë e gjysmë. Fatkeqësisht për presidentin, shumë amerikanë, madje edhe mbështetësit e tij, e cilësojnë prezencën e tij në rrjetet sociale aspak tërheqëse.
Trump kishte nevojë për këtë debat që të ndryshonte drejtimin e garës presidenciale, pasi kundërshtari i tij ka fituar përparësi, duke udhëhequr me shtatë pikë. Por kjo nuk ndodhi, pasi siç edhe zbuluan sondazhet, Biden ishte në përparësi edhe pas debatit.
Asnjë nga përplasjet e egra mes Biden dhe Trump për pandeminë, trazirat sociale apo komunitetet afrikano-amerikane, asgjë duket se nuk e ka ndryshuar mendjen e një në 10 votuesve amerikanë që thonë se janë ende të pavendosur.
Që në fjalinë e parë të presidentit, u bë e qartë se çfarë lloj "debati" do të shpalosej në vazhdim. Objektivi i Donald Trump ishte të trondiste Joe Biden dhe për këtë kishte planifikuar ta ndërpriste vazhdimisht ish-zëvendës presidentin.
Sipas mediave amerikane, Trump preu Biden gjithsej 73 herë. Kjo çoi në një sërë përplasjesh kaotike, me Trump që vuri disa herë në pikëpyetje inteligjencën e Biden dhe kandidati demokrat që e quajti Trump kloun. Përplasjet u bënë kaq të ashpra sa në një moment Biden u dëgjua për të ngrinte si rrallëherë zërin në publik, duke e pyetur i indinjuar Trump: "A do të heshtësh, more burrë?"
Kohë pas kohe, Trump do të ofendonte Biden, duke e bërë demokratin të qeshte me ironi.
Ndërsa moderatori Chris Wallace njoftoi se koronavirusi ishte tema tjetër dhe se të dy kandidatët do të kishin dy minuta e gjysmë të pandërprera për t'u përgjigjur, Biden pëshpëriti: "Më në fund do të mund të flas".
Koronavirusi dihej që do të ishte një terren i vështirë për presidentin dhe tema ishte ndër të parat në debat. Trump duhej të mbronte qasjen e administratës së tij ndaj pandemisë ka rezultuar në më shumë se 200,000 vdekje. Ai tha se e kishte menaxhuar krizën në mënyrën më të mirë të mundshme duke thënë hapat që ai ndërmori parandaluan vdekjen më shumë qytetarëve dhe duke sugjeruar që Biden do t'i kishte bërë gjërat edhe më keq.
Përgjigja e Biden ishte të fliste drejtpërdrejt në kamera, duke pyetur shikuesit nëse mund ta besonin Trump (sondazhet tregojnë se shumica e amerikanëve nuk e miratojnë qasjen e Trump ndaj pandemisë.
Nëse ka një mesazh që fushata Trump donte që amerikanët të merrni nga ky debat është që Joe Biden kishte gati gjysmë shekulli në poste publike për të zgjidhur problemet vendin, dhe nuk kishte bërë asnjë ndryshim.
"Në 47 muaj, unë kam bërë më shumë sesa ke bërë në 47 vjet," i tha Trump zëvëndespresidentit.
Përgjigja e Biden erdhi më vonë gjatë debatit. "Nën udhëheqjen e këtij president jemi bërë më të dobët, më të sëmurë, më të varfër, më të përçarë dhe më të dhunshëm," tha ai.
Në vitin 2016, Trump kandidoi me sukses kundër gjithë estabilishmentit të Uashingtonit dhe status quo-së. Kandidimi më të njëjtën moto ndërkohë që ishte ulur në Zyrën Ovale për tre vjet e gjysmë do të ishte gjithmonë një sfidë.
Një nga qëllimet e Trump gjatë këtij debati dhe gjatë gjithë fushatës ka qenë paraqiste Biden si ekstremin më të majtë të partisë së tij.
Një nga temat hapëse për debatin e mbrëmjes e së martës ishte kujdesi shëndetësor.
Trump u përpoq të akuzonte Biden për mbështetjen e "mjekësisë së sociale" dhe se kishte një strategji për të hequr sigurimin privat.
Taktika u rishfaq më vonë, gjatë një shkëmbimi mbi ndryshimin e klimës, kur Trump u përpoq ta lidhte Biden me shpenzimet masive për ndryshimet klimaterike, të përqafuara nga shumë në të majtët, duke e detyruar Biden të thoshte se nuk ishte pro fondeve të mëdha për të adresuar këto probleme, pasi për momenti bota gjendej në mesin e jë krize shëndetësore. Kjo deklaratë ishte një tërheqje e madhe për kandidatin demokrat, partia e të cilit e ka kthyer cështjen e klimës në një nga armët kryesore kundër Trump.
Megjthatë, sipas analistëve ky nuk ishte gabimi më i madh i Biden gjatë debatit, pasi ai nuk arrin t’i kërkonte llogari Trump për mos pagimin e taksave federale.
Gazeta New York Times zbuloi se Trump nuk kishte paguar taksa prej dy dekadash dhe publiku mezi priste të kishte më shumë informacione për këtë çështje.
Analistët politikë dhe parashikuesit menduan se Biden do ta trajtonte çështje këtë gjatë debatit.
Sidoqoftë, kur tema u shfaq, Trump ofroi një mbrojtje të ngjashme me atë që dha në vitin 2016, kur ai mburrej se e dinte kodin e taksave më mirë se çdo kandidat i mëparshëm dhe aftësia e tij për të shmangur një faturë më të madhe tatimore kishte ardhur për shkak të avantazheve që ofron vetë ligji.
Biden, nga ana e tij, u përpoq ta kthente vëmendjen tek reforma e taksave e miratuar nga Republikanët. Ndërsa ai vuri në dukje se Trump paguan më pak në taksa federale sesa mësuesit e shkollës, ai mesazh, i cili edhe mund të ketë qenë një sulm i fuqishëm, u harrua në një përleshje pasuese me presidentin.
Nëse Trump do të përballet me ndonjë ndonjë problem në këtë fushatë për shkak të taksave, nuk do të jetë për shkak të këtij debati.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.