Nga Shkëlzen Gashi* - Themeluesit e OJQ-së “Center for Democracy and Reconciliation in Southeast Europe” (CDRSEE) me seli në Selanik, më 1999 konsideruan se pajtimi afatgjatë në Ballkan është i mundshëm vetëm nëse do të ndryshonte mënyra se si lënda shkollore e historisë mësohet në rajonin tonë. Për këtë qëllim, atë vit inicuan projektin e tyre më të rëndësishëm, të titulluar “Joint History Project” (Projekti i Historisë së Përbashkët), në mënyrë që mësimdhënësve të historisë në Ballkan t’u ofronin materiale që përmbanin shumë këndvështrime për të njëjtën ngjarje.
Projekti synonte jo vetëm të rishikonte mësimdhënien etnocentrike të historisë, por edhe t’i nxiste mendimin kritik e debatin, ta promovonte diversitetin e t’i pranonte si vuajtjet ashtu edhe arritjet e përbashkëta të popujve ballkanikë.
CDRSEE angazhoi historianë nga i gjithë rajoni dhe projekti rezultoi me hartimin e gjashtë vëllimeve, duke nisur me historinë mesjetare të Ballkanit për të ardhë në ditët e sotme. Vëllimet titullohen: Perandoria Osmane; Kombet dhe Shtetet në Europën Juglindore; Luftërat Ballkanike; Lufta e Dytë Botërore; Lufta e Ftohtë, si dhe Luftërat, Ndarjet dhe Integrimi.
Gjatë hartimit të këtyre teksteve, CDRSEE mbajti marrëdhënie të afërta pune me të gjitha ministritë e arsimit në rajon dhe gëzoi mbështetjen nga gjithsej 25 donatorë ndërkombëtarë, duke përfshirë BE-në. Të gjashtë vëllimet u përkthyen nga origjinali anglisht në dhjetë gjuhë (nëntë ballkanike dhe japonisht) dhe u promovuan në shumë prej kryeqyteteve rajonale, përfshirë edhe Prishtinën në vitin 2018.
Kjo seri shkrimesh vë nën objektiv mënyrën si paraqiten shqiptarët në përgjithësi në tri vëllimet e para të këtij projekti, dhe si paraqiten në veçanti shqiptarët në Kosovë në tri vëllimet e fundit. Seria e shkrimeve shqyrton si janë paraqitur ngjarjet e rëndësishme historike të shqiptarëve dhe cilat nga ngjarjet e rëndësishme nuk janë paraqitur fare. Po ashtu, diskuton si është dashur të paraqiteshin, duke marrë për bazë autorë ndërkombëtarë si Noel Malcolm, Oliver Schmitt, Peter Bartl, e të tjerë që trajtojnë zhvillimet dhe ngjarjet në Kosovë në periudha të ndryshme historike.
Kritikë vëllimit “Perandoria Osmane”
Periudha osmane në vendet e rajonit ballkanik u mësohet nxënësve kryesisht nga këndvështrimi etnocentrik, me informata të pasistemuara e paragjykime, dhe me vlerësime për vetë perandorinë si faktor “prapambeturie” ose “përparimi”. Në hyrjen e vëllimit që ngërthen këtë periudhë, botuesit shprehen se synojnë t’i përfshijnë bashkë përplasjet dhe bashkëjetesat, ngaqë sundimi osman kishte njohur konflikte e mizori, por edhe negociata e bashkëpunime të të nënshtruarve me sundimtarët për privilegje kolektive e individuale.
Ky vëllim prej pesë kapitujsh hapet me shekullin 14 dhe përfundon me shekullin 19, i cili nuk e shënon fundin e kësaj perandorie, por fillet e lëvizjeve kombëtare që çuan në krijimin e shteteve të pavarura ballkanike në shekujt 19 dhe 20, tema këto që trajtohen në vëllimin vijues.
Kapitulli i parë “Zgjerimi territorial osman në Europën Juglindore” flet për fazat e para të shtetit osman, për rënien dhe pushtimin e Konstantinopojës (dikur kryeqyteti i perandorisë romake e mandej i asaj bizantine), për pushtimin osman të gadishullit ballkanik dhe për ndryshimet e popullsisë dhe të fesë. Faqet kushtuar fazave të para të shtetit osman dhe pushtimit të Konstantinopojës kuptohet se nuk përmbajnë asgjë për shqiptarët, por çuditërisht nuk ka asgjë për shqiptarët as në faqet për ndryshimet e popullsisë e të fesë.
Është krejt e habitshme që pjesa kushtuar pushtimit osman të gadishullit ballkanik nuk jep asgjë mbi Betejën e Kosovës, që u zhvillua më 28 qershor 1389 në Fushë Kosovë, afër Prishtinës, ku u ndeshën ushtria osmane, e udhëhequr nga Sulltan Murati, dhe koalicioni ballkanik i udhëhequr nga Mbreti Lazar. Ajo figuron krejt telegrafikisht vetëm te tabela kronologjike 12-faqëshe në fillim të këtij libri, në të cilën paraqiten ngjarjet më të rëndësishme të Perandorisë Osmane në periudhën 1300-1800, ku shkruhet: “1389 – beteja e parë e Kosovës; Osmanët mposhtin koalicionin ballkanik të udhëhequr nga Princi sërb Lazar; Serbia bëhet haraçpagues i Shtetit Osman”. Pra, askund në gjithë vëllimin nuk vihet në pah pjesëmarrja e shqiptarëve në këtë betejë përkrah popujve të tjerë ballkanikë, e as mundësia – duke marrë parasysh ndikimin e vendosur osman në disa pjesë të Shqipërisë – që disa shqiptarë, e madje disa serbë, të kenë qenë të përfshirë në betejë në anën e osmanëve.
Te pushtimi osman i gadishullit ballkanik figuron vetëm një sqarim i shkurtër për pronarët e krishterë të timareve në Shqipëri, ku thuhet se “…osmanët për ta siguruar bashkëpunimin me fisnikët vendas, i bënë ata vasalë, ndonjëherë duke u kërkuar që t’i dërgonin bijtë si pengje në oborrin e Sulltanit (siç ishte rasti i të famshmit Skënderbe, i njohur me emrin Gjergj Kastrioti, bir i Gjon Kastriotit, prijës i Shqipërisë së Mesme)”. Në gjithë vëllimin, Skënderbeu përmendet vetëm edhe një herë tjetër, në tabelën kronologjike, ku shkruhet: “1443 – fillon fushata hungareze në Ballkan; shqiptarët, të udhëhequr nga Skënderbeu, organizojnë kryengritje të suksesshme”, por nuk specifikohet kundër kujt.
Paraqitja kaq e përciptë ta krijon përshtypjen se shqiptarët, përkatësisht fisnikët e tyre, ishin vetëm vasalë të osmanëve. Përshtypjen ta përforcon sidomos mosparaqitja e kryengritjeve të shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane në periudhën 1443-1468, të cilat nuk ishin të vetmet, por që falë figurës karizmatike të udhëheqësit të tyre, Skënderbeut, ishin më të fortat e krishterëve të Ballkanit.
Këto kryengritje, megjithëse zhvilloheshin në një territor të vogël dhe kryesisht malor, ishin të jashtëzakonshme në përmasa, ngaqë kishin përballë perandorinë më të madhe të kohës, por edhe për shkak të vasalitetit të Skënderbeut karshi shteteve italiane. Ky vëllim do të duhej madje t’i jepte motivet e vërteta të kryengritjeve të udhëhequra nga Skënderbeu, që kryesisht ishin fetare dhe pronësore, ndërsa pas vrasjes së babait të tij me urdhër të Sulltanit, edhe hakmarrëse.
Në vijim të kësaj, vëllimi nuk e paraqet fare as besëlidhjen ushtarake të njohur si Kuvendi i Lezhës (i krijuar në Lezhë më 2 mars 1444 me qëllim për të kundërshtuar Perandorinë Osmane), me pjesëmarrje sundimtarësh edhe prej etnive të tjera (siç ishte familja Crnojević), ku secili pjesëtar i saj ruante mëvetësinë e plotë, e Skënderbeu ishte vetëm i pari në mesin e të parëve dhe jo sundimtar i ndonjë shteti shqiptar. Po ashtu, për të treguar bashkëpunimin në mes të popujve të Ballkanit, në vëllim do të ishte mirë që mes tjerash të figuronin telegrafikisht edhe të dhëna që i ofron historiani Oliver Jens Schmitt, se flamuri që ngriti Skënderbeu kishte shqiponjën e Bizantit ose se babai i Skënderbeut ishte martuar me Vojsavën nga familja e madhe fisnike Branković.
Duhet shtuar se kapitulli i parë mes pushtimeve osmane të gadishullit jep edhe shkoqitje rreth shkatërrimeve në Slloveni, banorëve të Beogradit të zënë robër, robërve të krishterë në Bosnjë, por asgjë rreth shqiptarëve. Ç’është e drejta, figuron një fragment për rënien e Novobërdës së Kosovës më 1455, nga libri me memoare “Historia ose kronika turke” i autorit nga Novobërda, Konstantin Mihailović, por në të flitet për deportime, vrasje, përdhunime e rrëmbime të të rinjve sërbë, por asgjë për shqiptarët.
Kapitulli i dytë “Institucionet e Perandorisë Osmane”, përmban një fragment nga historiani turk Halil Inalcik, të titulluar “Lutfi Pasha kujton karrierën që nga koha kur u rekrutua me anë të sistemit të devshirmes”, me të dhëna biografike për këtë vezir të madh, ku për shqiptarët jepet vetëm fraza “ishte lindur në Shqipëri”.
Devshirme ishte një metodë sistematike e rekrutimit me forcë të djemve të vegjël, e zhvilluar gjatë shekujve 15-16: zakonisht merrnin nga një fëmijë në çdo dyzet shtëpi, e dërgonin në Stamboll, ku ia ndërronin fenë, i mësonin turqishten dhe e stërvisnin për ushtar. Në fshatrat e krishtera devshirme nuk ishte popullore, prandaj më 1565 në Shqipëri kishte shpërthyer një kryengritje kundër saj, që nuk përmendet në këtë vëllim, e as e dhëna se kishte vise, si Novobërda, të liruara nga detyra për devshirme, çka konsiderohej privilegj i posaçëm.
Vëllimi nuk shënon kurrkund as se shqiptarët çmoheshin veçanërisht nga mbledhësit e devshirmes për shkak të qëndrueshmërisë fizike dhe zotësive luftarake, as se shumë shqiptarë arrinin të bëheshin pushtetarë në pozitat më të larta shtetërore, në shpërputhje me numrin e tyre si popullsi. Nuk përmendet askund se dy kryevezirë të shekullit 15, Ahmet Pasha e Daut Pasha, ishin me prejardhje shqiptare, e numri i përgjithshëm i kryevezirëve shqiptarë në historinë e Perandorisë Osmane, duke përfshirë edhe shumë shqiptarë të Kosovës, arrinte në 42; ndërkaq nga 92 vezirët e mëdhenj që qeverisën nga shekulli 15 e deri në shekullin 17, me prejardhje shqiptare ishin 25, e me prejardhje turke 19.
Kapitulli i tretë “Institucionet, bashkësitë dhe ritet fetare” nuk jep asgjë për shqiptarët. Këtu, e madje edhe në kaptullin e parë, do të mund të paraqitej përhapja e islamit ndër shqiptarë, duke i theksuar faktorët që e ndikuan, si presioni nëpërmjet taksës për tokë, që e paguanin vetëm të krishterët, pastaj marrja e dërgimi i djemve të krishterë në Stamboll, por edhe arsyet e tjera si: interesi ekonomik, ngaqë lehtësoheshin taksat; mundësitë e karrierës; statusi, përkatësisht prestigji, që rezultoi me vrull më të hovshëm të islamizimit në qytete; pastaj numri më i ulët i priftërinjve katolikë shqiptarë sesa gjatë sundimit mesjetar sërb.
Ndryshe nga ç’bëhet me vendet e tjera të prezentuara në këtë vëllim, nuk figuron as edhe një objektet i ndërtuar në hapësirat e banuara me shqiptarë gjatë periudhës së sundimit gati pesëshekullor osman, siç janë: objektet për ritet fetare (xhamitë, mesxhidet, tyrbet, teqetë); objektet arsimore (medresetë e bibliotekat); dhe objektet e tjera (hamamet, urat e gurit, krojet publike, shtëpitë e banimit, kullat e sahatit, shatërvanet, hanet, çarshitë, etj.).
Mangësi në përfaqësimet shoqërore e kulturore shqiptare
Kapitulli i katërt “Ndarjet shoqërore dhe jeta e përditshme”, fillon me nënkapitullin e titulluar “Elitat dhe populli i thjeshtë”, ku përmes fotografive portretohen tipat shoqërorë osmanë. Nga 20 fotografi dhe piktura, shqiptarët prezantohen me dy.
E para, pikturë nga Jean-Baptiste Hilaire (1809) titullohet “Ushtarë në Shqipëri” dhe shoqërohet me një tekst që i shpjegon levendët, ushtarët me pagesë të Perandorisë Osmane, të cilët, siç thuhet aty, ndonjëherë bashkoheshin me ushtritë armike dhe i plaçkisnin provincat osmane. E dyta është piktura “Një ajan i shquar – Ali Pasha i Janinës” nga Louis Dupre (1819), teksti përfundi të cilës flet për ajanët, njerëzit e pasur që nëpërmjet fajdeve dhe tregtisë grumbullonin pasuri të mëdha, krijonin ushtri private dhe fitonin kontrollin politik në provinca. Pra, shqiptarët këtu paraqiten vetëm si ushtarë me pagesë që u bashkoheshin edhe ushtrive armike për t’i plaçkitur provincat osmane, si dhe si njerëz të pasuruar përmes fajdeve, që krijonin ushtri private për kontroll politik në provinca.
Nuk jepet asgjë për familjen Janina që e themeloi Pashallëkun e Janinës, e as për familjet feudale shqiptare si ajo Bushati, që e themeloi Pashallëkun e Shkodrës. Po ashtu, nuk përmenden familjet sikur familja feudale Begolli në Pejë, Kryeziu në Gjakovë, Rrotlla në Prizren (që e kishte sunduar Prizrenin prej vitit 1770 e deri më 1836 dhe kishte ndërtuar e rindërtuar një mori ndërtesash publike: xhami, medrese, hamame, postë, e me radhë), dhe Gjinolli në Prishtinë e Gjilan, (që ishte aq e fuqishme në fillim të shekullit 19, sa pjesëtarët e saj ishin quajtur “sundimtarë të dytë” të Kosovës pas Sulltanit).
Duhet pasur parasysh se pushtimi osman i hapësirave shqiptare nuk mund të krahasohet me pasojat e pushtimit të vendeve të tjera të Ballkanit, sidomos të Bullgarisë e të Sërbisë. Kjo ngaqë shqiptarët para pushtimit osman nuk kishin organizim kishtar, as traditë shtetërore, as art e letërsi që do të mund të quhej shqiptare. Dinastët shqiptarë para pushtimit osman lëshonin dokumente në gjuhët greke, latine e sllave, dhe asnjë dokument të vetëm në shqip.
E vetmja e dhënë lidhur me kulturën e shqiptarëve jepet në tabelën kronologjike në fillim të vëllimit: “1555 -Libri i parë i botuar në gjuhën shqipe: Meshari (Libri i Shërbesave), nga Dom Gjon Buzuku (botuar në Itali)”, por nuk ka asgjë për shkrimtarët e pastajmë, si Pjetër Budi, Frang Bardhi e Pjetër Bogdani. Po ashtu, nuk paraqiten askund shkrimtarët me prejardhje shqiptare që shkruanin në gjuhë orientale, si Suzi nga Prizreni, Mesihi nga Prishtina, Jahja Dukagjini, Koçi Beu, e me radhë.
“Jeta në fshat”, nënkapitulli i dytë i kapitullit katër, përmban një pasazh korrekt nga libri “Travels in Albania and other provinces of Turkey in 1809 and 1810” (Udhëtime në Shqipëri dhe provinca të tjera të Turqisë më 1809 dhe 1810) të autorit Lord Broughton mbi ushqimin dhe pijet në Shqipëri, një fotografi me enterier dhome të kohës në Arbanas, si dhe disa pasazhe tjera nga vepra “Pictures from the Balkans” (Fotografi nga Ballkani) të autorit John Fraser, për rrugët që ishin siç i kishte lënë natyra dhe romakët, e që turqit nuk kishin bërë asgjë për t’i përmirësuar ato, si dhe për vështirësitë e letërkëmbimit në Shqipëri. Nënkapitulli i tretë “Jeta në qytet” paraqet fragmente të autorëve të ndryshëm mbi jetën në disa prej qyteteve të rajonit. Dominon paraqitja e jetës në qytetin e Beogradit, sipas përshkrimeve të autorit Evliya Çelebi, por nuk ka asgjë për jetën e shqiptarëve në qytete.
Te nënkapitulli i fundit “Vështrime nga jeta e grave” është një fragment i shkurtër e skandaloz për gratë shqiptare, marrë nga libri i njejtë i Broughton i viteve 1809-1810, ku ato paraqiten të paarsimuara, e që nuk flasin gjuhë tjetër përveç amtares. Për më shumë, sipas këtij teksti shqiptarët lëre që nuk kanë ndjeshmëri pasionante ndaj grave, por edhe ndjejnë përbuzjeje e neveri ndaj tyre, i konsiderojnë dhe i përdorin ato si bagëti, i detyrojnë të punojnë dhe shpesh i ndëshkojnë me goditje. Është e çuditshme që autorët e këtij vëllimi vendosin ta përfshijnë një fragment të tillë denigrues dhe vetëm për shqiptarët e jo edhe për popujt e tjerë të Ballkanit, duke krijuar kështu përshtypjen se kjo mënyrë e trajtimit të grave ishte ekskluzivisht shqiptare. Ndoshta ia vlen ta sjellim të plotë këtë fragment:
“Nuk ma ka qejfi fort të flas për moralin e shqiptarëve. Gratë e tyre, që janë pothuajse të gjitha të paarsimuara dhe nuk flasin gjuhë tjetër përveç amtares, konsiderohen si bagëtia e tyre dhe përdoren si të tilla (por duke qenë të llojit më sipëror), detyrohen të punojnë dhe shpesh ndëshkohen me goditje. Ç’është e drejta, ata ndjejnë njëfarë përbuzjeje e madje neverie ndaj femrave të veta dhe në asnjërën nga prirjet e rralla që shfaqin nuk ka asgjë që të mund t’i ngjasonte asaj që e quajmë ndjeshmëri pasionante.
Megjithatë, të gjithë ata që munden, martohen, meqë martesa është tregues i kamjes dhe meqë duan të kenë skllave në shtëpi. Për më tej, mbasi në shumicën e viseve të vendit femrat nuk janë as për së afërmi në numër sa gjinia tjetër, nusja shpeshherë nuk i sjell hise burrit, por mashkulli i sjell gruas së vet dhe detyrohet t’i tubojë paraprakisht rreth një mijë grosh në dashtë që të martohet”.
Kryengritjet që mungojnë
Kapitulli i pestë dhe i fundit “Aspekte të krizës” ngërthen gjithsej tre nënkapituj. Dy të parët, “Fatkeqësitë natyrore” dhe “Kriza politike në Stamboll”, nuk japin asgjë për shqiptarët. Nënkapitulli i tretë “Luftërat, kryengritjet dhe trazirat në popull”, përmend kryengritje të disa popujve të tjerë ballkanikë, por asnjë të shqiptarëve, për të cilët figuron vetëm një fragment i titulluar “Mungesa e sigurisë gjatë udhëtimit në Shqipëri”.
Çuditërisht, askund nuk përmendet as përleshja mes forcave osmane dhe atyre austriake në vjeshtë të vitit 1689, në të cilën shqiptarë pati nga të dyja anët; në forcat austriake, të udhëhequra nga Enea Piccolomini, shqiptarëve u printe argjipeshkvi katolik shqiptar Pjetër Bogdani, ndërkaq te forcat osmane u printe shqiptari Mahmut Mahmutbegolli, pashai i Pejës që numëronte rreth 10 mijë ushtarë shqiptarë e sërbë. Në këtë kohë, kryevezir osman ishte Mehmet Kypryly, pjesëtar i një dinastie të fuqishme shqiptare në shërbimet publike të Perandorisë Osmane, i cili nuk përmendet askund në këtë vëllim.
Në të vërtetë, në këtë vëllim nuk anashkalohet tërësisht kjo përleshje mes forcave austriake e osmane, sepse jepet një pasazh i titulluar “Sërbët largohen nga frika e përndjekjeve osmane (1690) – dëshmia e Atanasije Djakon Srbin-it”, i cili flet për masakrat e forcave osmane ndaj sërbëve në Beograd e rrethinë. Për më shumë, poshtë këtij pasazhi jepen sqarime nga redaksia mbi bashkëpunimin e sërbëve me austriakët në vitet 1688-89, ripushtimin osman të Beogradit dhe arratisjen e sërbëve për në territoret e kontrolluara nga austriakët. Madje edhe te kronologjia e botuar në fillim, thuhet se ripushtimin osman më 1690 e pason një shkallë e lartë e shpërnguljeve të sërbëve nga Sërbia dhe Kosova.
Në gjysmën e parë të shekullit 19 Perandoria Osmane filloi zbatimin e një morie reformash në ushtri (pezullimi i njësive të jeniçerëve, pezullimi i sistemit të vjetruar të timareve, dërgimi i oficerëve për stërvitje në Francë, mbajtja e uniformave të stilit perëndimor, e me radhë), të cilat u shoqëruan me reforma në arsim, duke zhvilluar sistem shkollor shtetëror e duke shpallë të drejta të barabarta për jomyslimanët. Për shkak të këtyre reformave shpërthyen një sërë kryengritjesh të shqiptarëve, të cilat nuk ishin për autonomi e çlirim kombëtar, por kundër rekrutimit, uniformave të stilit perëndimor, taksave të reja, çarmatosjes së popullatës, e me radhë. Por, në këtë vëllim mungojnë këto kryengritje.
Për fund, në këtë vëllim “Perandoria Osmane”, që ndonëse synon t’i përfshijë si përplasjet ashtu edhe bashkëjetesat e të nënshtruarve me sundimtarët osmanë për shkak të privilegjeve individuale e kolektive, nuk paraqiten fare as kryengritjet e as bashkëpunimet e shqiptarëve me Perandorinë Osmane përgjatë pesë shekujve të sundimit të saj në hapësirat e banuara me shqiptarë. Po ashtu, nuk përmenden askund qëllimet politike të shqiptarëve, e madje as rrymat politike të tyre nën Perandorinë Osmane.
Duhet thënë edhe se nuk vihet në pah asnjë krim i forcave osmane ndaj shqiptarëve dhe, ç’është më e keqja, ky vëllim shqiptarët i portretizon edhe negativisht: mercenarë, plaçkitës, fajdexhinj, përbuzës të grave, të paarsimuar, e me radhë. /kosovo2.0
PËRMBLEDHJE E PËRJASHTIMEVE
- Vëllimi nuk i paraqet konfliktet e përplasjet e shqiptarëve me Perandorinë Osmane. Fjala vjen, nuk vihet në pah askund pjesëmarrja e shqiptarëve në Betejën e Kosovës të vitit 1389 përkrah popujve të tjerë ballkanikë, e as mundësia që disa shqiptarë të kenë marrë pjesë në anën e osmanëve.
- Nuk figurojnë asnjëra prej kryengritjeve shqiptare kundër Perandorisë Osmane në periudhën 1443-1468, të udhëhequra nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu, as Kuvendi i Lezhës, as të dhëna të tjera të rëndësishme nga historia shqiptare.
- Ndonëse përmendet metoda sistematike e rekrutimit me dhunë të djemve të vegjël, e njohur si devshirme, nuk thuhet askund se më 1565 në Shqipëri kishte shpërthyer një kryengritje kundër saj. Dhe, megjithëse paraqiten disa kryengritje të disa popujve ballkanikë, nuk jepet asnjë e shqiptarëve, e as përleshja mes forcave osmane dhe atyre austriake më 1689, në të cilën shqiptarë kishte në të dy taborët: të forcave austriake nën udhëheqjen e Pjetër Bogdanit, dhe të forcave osmane nën udhëheqjen e Mahmut Mahmutbegollit. Për më shumë, për këtë përleshje jepet një pasazh për mizoritë e forcave osmane, por ndaj serbëve, përfshirë emigrimin e serbëve nga Kosova, por nuk ka asgjë për krimet osmane ndaj shqiptarëve.
- Kur trajtohet detyrimi i devshirmes nuk përmendet se shqiptarët çmoheshin shumë nga mbledhësit e devshirmes për shkak të qëndrueshmërisë fizike dhe zotësive luftarake, e as se shumë shqiptarë arritën të bëheshin pushtetarë në pozitat më të larta shtetërore, në shpërputhje me numrin e tyre si popullsi: vetëm kryevezirë shqiptarë në historinë e Perandorisë Osmane ishin 42.
- Më tej, nuk prezantohet fare përhapja e islamit ndër shqiptarë dhe, ndryshe nga ç’veprohet me vendet e tjera, nuk figuron asnjë objekt fetar i ndërtuar gjatë periudhës së sundimit gati pesëshekullor osman. Nuk ka asgjë për familjet feudale shqiptare në Shqipëri e në Kosovë dhe nuk paraqiten askund shkrimtarët me prejardhje shqiptare që shkruanin në gjuhë orientale.
- Ç’është më e keqja, ky vëllim shqiptarët i portreton vetëm si ushtarë me pagesë që u bashkoheshin ushtrive armike për t’i plaçkitur provincat osmane, si njerëz që bënin pasuri përmes fajdeve, që kishin krijuar ushtri private për kontroll politik në provinca, që nuk dinin ç’ishte dashuria dhe i përbuznin e madje neveriteshin nga gratë, dhe martoheshin sa për ta pasur një skllave në shtëpi. Gratë e shqiptarëve paraqiten si të paarsimuara, që nuk flisnin asnjë gjuhë përveç të tyres, që përdoreshin si bagëti, të detyruara të punonin, e që ndëshkoheshin shpesh me goditje.
*Shkëlzen Gashi ka studiuar Shkencat Politike në Universitetin e Prishtinës, kurse magjistraturën për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut në programin e përbashkët studimor të Universiteteve të Bolonjës dhe të Sarajevës. Është autor i shumë botimeve (librave dhe artikujve). Në vitin 2010 ka botuar biografinë e paautorizuar të Adem Demaçit, i cili ka kaluar 28 vjet nëpër burgjet jugosllave. Kohët e fundit, ka botu shumë artikuj brenda e jashtë vendit rreth historisë së Kosovës në tekstet mësimore të historisë në Kosovë dhe në vendet përreth Kosovës – Shqipëri, Sërbi, Mal të Zi dhe Maqedoni. Po ashtu, tani është duke shkruar biografinë e Ibrahim Rugovës, udhëheqësit të shqiptarëve të Kosovës 1989-2006.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.