Më 27 Prill 2020, tek rruga e tregut të makinave në Durrës, mbetën të vrarë në një atentat dy vëllezërit Besmir dhe Viktor Haxhia. Viktimat po udhëtonin me një automjet kur u qëlluan për vdekje me breshëri arme.
Kur kanë kaluar gati 3 muaj nga kjo ngjarje e rëndë, pak ditë më parë policia shpalli në kërkim për këtë ngjarje Talo Çelën, i cili ka qenë gjithashtu i kërkuar për grabitjet e parave në aeroportin e Rinasit.
Për kapjen e 49-vjeçarit, është vënë në dispozicion edhe një shpërblim prej 10 mijë Eurosh për këdo që jep informacion.
Talo Çela ka folur ekskluzivisht për emisionin “Uniko” në Klan Plus. Përballë gazetarit Spartak Koka, 49-vjeçari nga Bradasheshi i Elbasanit ka treguar variantin e tij, se ku ndodhej momentin kur u vranë në atentat vëllezërit Haxhia.
Ai thotë se për një kohë të gjatë u strehua në shtëpinë e Besmir dhe Viktor Haxhia, teksa ishte në kërkim për grabitjen e parave të Rinasit në vitin 2019. Për këtë arsye, shprehet Talo Çela, nuk ka patur motiv që t’i vriste vëllezërit Haxhia pasi i kishte njohje personale.
49-vjeçari tregon me detaje momentin kur mësoi se viktimat në Durrës ishin Besmiri dhe Viktori. Gjatë kësaj kohe, ai qëndronte në banesën e dy të ndjerëve së bashku me familjarët e tyre. Këta të fundit, tregon Çela, e ndihmuar për t’u larguar më pas nga kjo shtëpi në drejtim të Plepave, ku prej andej shkoi dikush tjetër për ta marrë dhe për ta strehuar.
Në 7 Korrik të këtij viti, policia ka vendosur një shpërblim për këdo person që jep informacion të vlefshëm për vendndodhjen tuaj, Talo Jonuz Çela 49 vjeç, duke ju akuzuar drejtpërdrejt përveç grabitjes së Rinasit, si të përfshirë edhe në vrasjen e 27 Prillit të këtij viti, kur u ekzekutuan te tregu i automjeteve dy vëllezërit, Viktor dhe Besmir Haxhia. Për këtë ngjarje janë arrestuar Altin Ndoci dhe Klevis Alla. Çfarë njohje keni ju me Viktor dhe Besmir Haxhiaj? Dhe versioni që ka dalë është që nuk ju kanë kthyer lekët e grabitjes të cilat ju i kishit lënë atje për t’i ruajtur. Çfarë njohje keni ju me ta?
Jo fare. Të thuash këtë akuzë, këto janë skandale. Tani këtu është mos me u dorëzu me gjithë mend. Sepse unë kam ndejtur në shtëpinë e këtyre. Në momentin që ka ndodhur kjo vrasje më 27 Prill, Besmiri ka qenë në Gramsh, ka marrë nusen me djalin. Dhe kur erdhi i thashë hajde lart. Që ishte e ëma, i ati prezent, edhe halla. Ky më tha do vij nuk vonoj. Iku. Iku, ndodhi vrasja atje, e dha televizori, doli e ëma duke bërtitur. I thashë unë merr çunat në telefon. Isha në banesë me ata. Nuk e hap asnjëri tha. Nga aty pastaj, i thashë çfarë të bëj unë? Tha ik këtu te xhaja, te xhaja i tyre. I thashë po thuaji ti se unë s’kam muhabet. I tha ajo të vijë ky aty njëherë se nuk e di çfarë ka ndodhur. OK tha hajde. Hyj aty, që aty ishte xhaja i djemve, nusja e xhajës, dy vajzat e tyre që qenë në moshë të madhe, edhe e ëma e këtij, i ati i këtij edhe halla, 7 veta në shtëpi që unë isha me këta kur ka ndodh kjo ngjarje. Dhe një rob i këtyre pastaj, pasi doli emri se kush ishin që ishin vrarë, i thashë aman më hiqni nga këtu se u mblodh mileti i madh te shtëpia. Ata thanë dil nga dritarja, hapa rrjetën aty, hipa në makinë më përcollën deri në Plepla. Atje lajmërova rob të tjerë dhe erdhën më morën. Edhe ika. Ata më kanë përcjellë vetë mua. Shtatë pjesëtarë të familjes qenë dhe personi i tetë që më mori edhe më çoi deri në Plepa, janë 8 vetë të familjes së viktimës. Unë tek ata isha. Te ata kam ndejtur.
Sipas asaj që është bërë publike në media, Klevis Alla ju ka akuzuar se keni qenë ju një prej pjesëmarrësve, organizatorëve të kësaj ngjarje. E njihni ju Klevis Allën?
Nuk e kam haberin kush është ky! Nuk e kam haberin fare se kush është ky. Unë s’e kam parë kurrë si fytyrë këtë.
Pra, kë nga këta dy vëllezër keni shok?
Mirin, Besmirin.
Në ç’rrethana e njihni Besmirin?
Do them dhe dy detaje të vogla, sepse Besmiri ka pasur Western Union edhe makinë që i jepte me qira bashkë me Viktorin. Edhe Viktori ka marrë 40 mijë Euro kredi në bankë mesa kam dëgjuar unë që ka hapur atë biznes. Hapi biznesin, jepte makina me qira dhe hapi Ëestern Union. Patën ecur mirë. I pastruan ato makina, i shisnin edhe i zëvendësonin me të mira, edhe qe marrë shumë me tregti makinash kohët e fundit.
Thuhet që ju është vjedhur biznesi?
Nuk kam dëgjuar të jetë vjedhur biznesi i tyre…
Versioni që po qarkullon në media është që nuk ju kanë kthyer lekët e Rinasit?
Nuk më janë borxhli mua këta për të më dhënë lekë.
Po Altin Ndocin?
Po e njoh Altin Ndocin.
Është një nga të arrestuarit, i cili nuk pranon që të jetë përfshirë në vrasje, por Klevis Alla dhe disa prova që policia thotë, e implikojnë atë në këtë ngjarje.
Nuk e di. Unë nuk besoj ta ketë bërë Ndoci atë punë.
Po kush mund t’i vriste vëllezërit Haxhia?
Nuk e di. Unë jam në një shtëpi jam mbyllur këtu. Di gjë ç’a bëni jashtë ju? Nuk e kam haberin.
Meqë i ke pasur miq dhe shok, kishin ndonjë problem ata?
Nuk ma kanë thënë se ç’a kanë pasur. Nuk mund ta di se ç’a kanë pasur. Se po ta dija do ta thosha.
I shpallur në kërkim siç jeni ju aktualisht është dhe Nuredin Dumani. Çfarë lidhje keni ju me Nuredin Dumanin.
Këtë e njoh unë. Unë Nuredin Dumanin e njoh si shtëpi, se këtij i thonë Luli për shkurt. Po ky nuk ka qenë në Shqipëri. Ka qenë në Francë, edhe u kthye kohët e fundit. Po unë shtëpinë e këtij e njoh komplet si shtëpi, edhe kalamajtë. Sepse kam shkuar me vëllain e tij, me Dashin.
Edhe ky nuk po i dorëzohet drejtësisë. Çfarë lidhje ka ky me këtë ngjarje?
Nuk e di këtë unë, sepse këtu është një diçka tani. Këtë Klevis Allën nuk e kam takuar kurrë. Përsa i përket Nuredin Dumanit, u habita kur e pashë dhe këtë çne ky. Sepse vëllai i tij Dashi, ka vajtur tek puna e Mirit, ka marrë makinë me qira dhe kur ka hyrë te dera e Ëestern Union, ka qenë nusja e këtij Vjola. Aty ka qenë një çun i një polici, që e ka shtëpinë mbrapa shtëpisë së Mirit, dhe ai çuni policit di që qe në burg vrau një rob në aksident me makinë, edhe ai çuni e pa Dashin që hyri atje edhe mendoi i vajti atje tha ç’a do. Ai thotë dua Mirin. Prit këtu thotë, se e marr unë. E mori në telefon çuni i atij policit, vjen Miri edhe ky njihej me Mirin. Dashi, ëvllai i Nuredinit, njihej me Mirin. Miri i dha makinë për 4 ditë, ka qenë dhe gruaja prezent.
Sa ditë përpara ngjarjes?
Jo ditë, muaj përpara ngjarjes, ka qenë verë. Ja dha 4 ditë edhe në mënyrë shoqërore nuk i ka marrë edhe lekë më duket. Ngaqë e kishte shok. Prandaj po më vjen habi me këtë Nuredinin tani mua.
Jeni të sqaruar me familjen e vëllezërve Haxhia që s’keni lidhje me këtë ngjarje?
Po isha në shtëpi me ato unë. Edhe këtu të më akuzojnë mua ata kur janë 8 rob në shtëpi? Si mund të më akuzosh mua kur janë 8 rob të familjes në shtëpi.
Po për këtë ngjarje, kur u arrestuan Klevis Alla dhe Altin Ndoci, policia tha se zbardhi dhe një ngjarje tjetër, atë të 2 Marsit të këtij viti kur u vranë 24-vjeçari Anxhelo Avdia dhe 35-vjeçari Dorian Shkoza. I njihni këta dy persona?
Po, Dorian Shkozën e njoh unë. Sepse ky Dashi dhe ky Luli e kanë pasur komshi aty. Ka qenë bojaxhi makinash. Njoh dhe babën e atij unë. I njoh dhe vëllain e tij që punon po me makina.
Po përse mund të jenë vrarë ata. Kush i ka vrarë?
Ky Dorian Shkoza në momentin që është vrarë, Viktori ka qenë te vëllai i këtij Dorian Shkozës. Ka qenë rastësisht, kanë qenë të dy. Mos, tha, i gjuajtën Dorit. Edhe ma tha ky. Domethënë edhe vëllai i Dorianit tani është në dijeni që Viktori ka qenë aty.
Po ju ku keni qenë kur është vrarë Dorian Shkoza?
Në shtëpi isha. Me atë atin e këtyre, me Kolën, po luaja domino.
Pra juve ju kanë strehuar për disa kohë.
Po. Unë kam qenë në shtëpi të këtyre. Ky Klevis Alla, unë nuk e njoh kush është, por nga ky Viktori kam dëgjuar që ka pasur njëherë një debat ky me një çun që punonte mekanik, një çun i vogël, gjoja quhej Millaxhi siç i thonin. Po s’e di kush është, a është ky apo të jetë dikush tjetër. Këtë punë do ta ndajë policia. Ky i kishte marrë njëherë këtij ca lekë borxh, ky gjoja si Millaxhiu, Viktorit, e nuk ja jepte. Ky i bën presion bjer lekët se të vrava. Bjer lekët shpejt. Kur i bëri presion kështu, i dha lekët ai. Ky mekaniku, po se a është ky a është tjetër nuk e di. Po ky personi që ky i kishte bërë presion punë lekësh, i vjen prapë këtij Viktorit. I thotë ku është Miri? Një ditë para se të qëllohej. Thotë nuk e di. I thotë kam një Golf për të shitur, po më duhen ca lekë. Po ik i thotë s’kemi lekë, s’duam të ngatërrohemi me ty. Po dua ta shes. Po ik i tha, s’është Miri. Po mirë, merre në telefon thuaji ku është. Ik i thotë, nuk e marr fare. Edhe vjen më thotë mua. Tani, sekreti tjetër që mendoj unë. Po ky person, i thotë Mirit, e takon atje te lokali, i thotë çkemi ç’a bën, mirë… Mora vesh që ishin kapur ato dy vëllezërit Çala. Është edhe shoku juaj më duket atje. Nuk di gjë thotë ky, nuk di gjë për shokun tim. Më duket se po ndjekin dhe atë mbrapa, i tha, po do çuar haber që të ruhet. Ky i thotë që më duket se është nga Korça. Ai Pepa më duket se është nga Korça. Opa, thashë unë. Ai çuni i vogël, ai mekaniku, thashë paska spiunuar atje. Se ai Pepa në Korçë… Të njëjtën parrullë u fol edhe për Çalat kur u kapën, jo do kapnin Pepën, kapën Çalat. E njëjta parrullë u luajt për mua. I thashë unë, hap sytë se ai çudi do të të bëjë gropën. Nuk e di kush e shtyn atë, i thashë, të na nxijë kaq shumë. Se këta duhet t’i shtyjë dikush.
Në ç’rrethana je njohur me Viktor Haxhinë?
Unë Viktor Haxhinë e kam njohur nga Ndoci, edhe nga Dashi, vëllai i Nuredinit.
Prej sa vitesh?
Po ky ka qenë në Francë, ky Saimir. Unë 1 vit kisha që e njihja Mirin. Nuk e kam njohur përpara.
Pra, ju s’keni asnjë lidhje me vrasjen?
Po ç’punë kam me vrasjen unë? Kam qenë në shtëpi të këtyre.
Po vrasjen e Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdia?
Unë kam qenë në shtëpi të këtyre, kam qenë brenda në shtëpi të këtyre. Më fal, kam qenë duke luajtur domino. Kur vjen ky Viktori dhe tregon për këtë, unë kam qenë duke luajtur domino.
Z.Çela, akuzat për ju publikisht janë që mund të jeni të implikuar në 8 apo në 9 vrasje.
Po kjo është katastrofë. Ku hyn 9 vrasjet këtu?
Dhe tani është pak e vështirë dhe për ne se po ballafaqohemi me një person i cili ka akuza publike.
Unë jam në shtëpi të këtyre. Si mund të bëj unë këtë punë. Përsa i përket këtyre gjërave, unë do t’i bëj thirrje familjes Haxhia që të thotë të vërtetën që unë kam qenë në shtëpi dhe personi, Alla, të tregojë personat e vërtetë, që edhe shtëpia të jetë në qetësinë e vetë. Po familja duhet të deklarojë të vërtetën që unë kam qenë në shtëpi të atyre dhe nga aty kam kaluar te xhaja i atyre. Nga xhaja, kam dalë nga dritarja siç më thanë, më priti po një rob i tyre më solli deri në Plepa. Unë kam qenë në familje të atyre. Të më akuzojnë dhe për këtë, që unë kam qenë në familjen e tyre, kjo është katastrofë. Përsa i përket Alibej, unë jam paraqitur. Më kanë ardh më kanë marrë te lokali.
Pra, me vrasjet e Durrësit ju s’keni lidhje?
Po ç’punë kam në Durrës unë. Unë kam qenë mbyllur në shtëpi. Viktori ka qenë te vëllai i Dorianit kur ka ndodhur vrasja.
Pra, ju jeni i qetë në raport me familjen e tyre?
Unë jam shumë i qetë me familjen e tyre. Mua më vjen turp për opinionin publik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.