Komuniteti i Energjisë ka çelur procedurat e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me Shqipërinë për mosrespektimin e Traktatit të krijimit të Komunitetit të Energjisë dhe veçanërisht për nenet 5, 6 dhe 8 të saj lidhur me projektet e hidrocentraleve në Vjosë.
Me anë të një letre të hapur drejtuar qeverisë shqiptare, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë adreson shqetësimin e tij në lidhje me vlerësimin e ndikimit në mjedis dhe konsultimin me publikun për hidrocentralin e Poçemit. Gjithashtu njofton edhe hapjen e procedurës paraprake, për ti dhënë mundësi qeverisë (për një afat kohor prej 2 muajsh) të informojë Komisariatin në lidhje me proceduat e ndjekura për konçesionin e hidrocentralit të Poçemit.
Letër vjen në vijimësi të ankesës së paraqitur më 29 shkurt 2019, nga tre organizatat EcoAlbania, RiverWatch dhe EuroNatur, të cilat drejtojnë fushatën për mbrojtjen e lumit Vjosa në Shqipëri.
“Ky është një tjetër hap i rëndësishëm në betejën kundër hidrocnetraleve në lumin Vjosa. Qeveria Shqiptare jo vetëm ka shkelur ligjet shqiptare me projektin e Poçemit por edhe rregullat e Komunitetit të Energjisë. Ne besojmë se Komuniteti i Energjisë do të ndjekë me interes edhe pocesin e projektit të Kalivaçit i cili është në fazë vlerësimi nga Ministria e Mjedisit.”, tha Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv i EcoAlbania.
Lumenjtë shqiptarë janë identifikuar si “Zemra e blu e Evropës” dhe si të tillë përfaqësojnë një trashëgimi natyrore për të gjithë kontinentin. Lumi Vjosa në Shqipëri është “kurora” e këtyre lumenjve. Ajo është lumi i fundit në Evropë që ende rrjedh i lirë.
Shqipëria është pjesë e Komunitetit të Energjisë që nga viti 2006. KE është një organizatë ndërkombëtare e përbërë nga BE, e përfaqësuar nga Komisioni Europian dhe vendet e Europës Juglindore. Ajo synon të zgjerojë tregun e brendshëm të energjisë në Europën juglindore dhe në rajonin e Detit të Zi. Si anëtare e Traktatit, Shqipëria është e detyruar të përmbushë disa kërkesa në aspektin e politikës energjetike duke përfshirë këtu Direktivën për VNM-në.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




