Rend dhe Ligj

Fatet Covid-iane të të burgosurve të moshuar

Çaush Banaj vuante dënimin me 25 vite heqje lirie, në burgun e Drenovës, ndërsa ndërroi jetë si pasojë e komplikimeve të shkaktuara nga Covid-19 në Spitalin “Shefqet Ndroqi”. Ai ishte 74 vjeç dhe kishte hyrë prapa kangjellave në vitin 2000, pasi Gjykata e Fierit dha sentencën për akuzën vrasje me dashje. Bëhej fjalë për një ngjarje në 1997-n, në Mallakastër, ku Banaj dhe i biri u akuzuan si autorë të vrasjes së tre personave.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, ai vuante edhe nga sëmundje të tjera bashkëshoqëruese. Me të, u infektua  i biri- edhe ai i dënuar me 23 vite burg për vrasje – dhe dhjetë të burgosur të tjerë.

Dy syresh ndërkohë marrin trajtim më të specializuar në spitalet Covid, në Tiranë, ndërsa tetë të tjerë janë transferuar në burgun e Shën Kollit në Lezhe, i përshtatur në një lloj faciliteti mjekësor Covid, për ata që vuajnë dënimin në 24 institucionet peniticiare të vendit.

Kur gjendja shëndetësore përkeqësohet, të burgosurit nisen drejt Spitalit të  Burgut në Tiranë dhe në raste intubimi dhe reanimacioni, trajtohen në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Sipas të dhënave, të dënuarit e prekur me Covid-19  janë mbi 55 vjeç.

Që prej muajit mars kur edhe nisi pandemia, janë konfirmuar me Covid  67 të burgosur, 47 prej janë shëruar sipas drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve Agim Isamili. Koronavirusi nuk ka kursyer as stafin e burgjeve. 60 punonjës kanë rezultuar pozitiv, 15 janë shëruar.

Gjetkë, mijëra kilometra larg, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Patricia Wright  priste të kalonte jetën e saj në burgun e Kalifornisë, pasi kishte  porositur një vrasës për të vrarë burrin e saj. Njëzet e katër vjet më vonë, ndërsa pandemia covid-19 bën kërdi në të gjithë Amerikën, ajo është liruar, në moshën 69- vjeçare, e sëmurë me kancer terminal.

Kjo ishte një fitore e vogël për grupet humanitare që kanë lobuar në qeveri për të liruar të burgosurit e moshuar. Ata janë veçanërisht të prekshëm nga infektimi me covid-19, nga pak kushtet e  jetesës në izolim  dhe nga vuajtja e efekteve serioze ose fatale prej kësaj, për shkak të moshës së tyre të shkuar. Megjithatë, siç shprehet Bethany Broën e  Human Rights Watch, një grup lobesh me bazë në Nju Jork: “Këtyre burrave dhe grave u është dhënë një dënim me burg, jo një dënim me vdekje.”

Zonja Wright është një prej numrit  në rritje, por ende shumë i vogël që lirohet për shkak të pandemisë, thotë HRW. Nga 21,000 të burgosur të liruar në Filipine në katër muajt deri në korrik, vetëm 409 ishin  të moshuar. Britania ka lëshuar vetëm 275 të burgosur të të gjitha moshave (disa dokumente qeveritare për lirimet përmendin gratë shtatzëna,  por jo të moshuarat). Deri në maj, Bolivia kishte liruar vetëm dy të burgosur në total . Megjithatë, ende nuk po  i kushtohet vëmendje zogjve flokargjendë të burgut.

Globalisht, numri i të moshuarve pas hekurave po rritet me një ritëm fenomenal. Në Britani, numri i moshës mbi 60 vjeç është rritur me 243% që nga viti 2002, në 5,176 në Mars 2020; ata përbëjnë 6% të popullsisë së burgjeve. Sot 20% e të burgosurve në Japoni janë 60 vjeç ose më të vjetër, dyfishi i proporcionit në 2002. Unioni Amerikan i Lirive Civile (ACLU), një grup advokimi, vlerëson se deri në vitin 2030,  një e treta e të gjithë të burgosurve në Amerikë do të jenë më të vjetër se 55. Ata tashmë përbëjnë një pjesë më të madhe të popullsisë së burgjeve të shtetit, sesa njerëzit e moshës 18-24 vjeç.

Shqipëria mban rekordin në Ballkanin Perëndimor, duke u renditur  ndër vendet me numrin më të lartë me  të dënuar për veprat penale.  Në Shqipëri kishte 197 të burgosur për çdo 100 mijë banorë që jetojnë këtu, duke u renditur e katërta në Europë, pas Lituanisë, Çekisë dhe Estonisë.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, në vitin 1017 kishte  3.083 të dënuar me burg, më 2018-n  regjistroheshin 3.096 të dënuar dhe më 2019, 2.781. Gjendja e burgosurve në IEVP në 31 dhjetor 2019 është 2.781 të dënuar me burg dhe 2.264 të paraburgosur, ndaj të cilëve është marrë masë sigurimi “arrest në burg’’.

Ndonëse e kontaktuar nga Gazeta “Si”, ministrja  Gjonaj nuk pranoi t’i përgjigjej pyetjeve nëse nga Ministria do të ketë amnisti për të burgosurit e moshës së tretë, që janë edhe më të prekshëm nga covid-19, ndërsa komuniteti i mjekëve dhe kërkuesve shkencorë nga e gjithë bota thekson se ende nuk është fituar beteja me virusin dhe po ashtu ende nuk ka një vaksinë ndaj tij. Nga Ministria nuk morëm përgjigje as për ndonjë tjetër masë të shtuar, ndërsa në burgje po rriten të infektuarit dhe po shënohen edhe viktimat e para. Para 74 vjeçarit, i cili ndërroi jetë në spitalin Covid-2, me virusin e humbi betejën edhe një 47 vjeçar, shtetas maqedonas, i cili vdiq në një prej qelive të burgut të Drenovës, 20 ditë para se të lirohej.

Megjithatë, më 24 mars qeveria miratoi  aktin normativ për lirimin me qëndrim të përkohshëm në shtëpi, të të dënuarve me rrezikshmëri të ulët dhe që vuajnë nga një sëmundje që krijojnë terren ndaj Covid-19. Bëhej fjalë për  600 të burgosur, të cilët sipas Ministrisë së Drejtësisë, do të karantinoheshin  në shtëpitë e tyre për një periudhë 3 mujore. Kategoria e përfshirë në këtë akt normativ ishin  të gjithë ata të dënuar me vendim të formës së prerë, që prej datës e hyrjes në fuqi të këtij akti normativ, u ka mbetur pa vuajtur nga dënimi deri në 3 vjet burg dhe të gjithë ata të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë që me datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji u ka mbetur pa vuajtur 5 vjet dënim. Përfituesit, që do të linin qelitë për shtëpitë e tyre duhet të ishin mbi 60 vjeç dhe  me ndonjë sëmundje kronike, e cila i bën më vulnerabël ndaj virusit Covid-19, të vërtetuar me dokumentet mjekësore përkatëse.

Ministrja Gjonaj, inspektim në burgun e Rrogozhinës, 8 shtator 2020

Por vjeshta, së cilës disa i referoheshin si një valë e dytë e virusit, ndërsa të tjerë ngulmoni se ende nuk kemi dalë nga e para, i ka bërë të gjithë të rikthehen me masa të shtuara  me distancim social dhe mbajtjen e detyrueshme të maskave dhe të liruarve të pëëkohshëm do t’u duhet të rikthehen në qeli, të pasigurt për çfarë gjejnë brenda, por edhe dyshues se mund të jenë infektuar në kontaktet me të afërmit e familjarët.

Popullatat në botën e pasur po plaken. Por nuk llogaritet për numrin në rritje  të të moshuarve prapa hekurave. Politikat më të ashpra për krimin në Amerikë dhe Britani që nga vitet 1970 kanë çuar në dënime më të gjata, kështu që njerëzit plaken brenda. Në Britani, njerëzit e moshuar po dënohen për vepra të kryera disa vjet më parë; shkelësit seksualë meshkuj përbëjnë pjesën më të madhe të të burgosurve për moshën e pensionit. Në Japoni, të moshuarit po kryejnë më shumë krim, shpesh shkelje të vogla si vjedhja e dyqaneve, sepse nuk kanë mundësi të jetojnë me pensionet e tyre. Disa thonë se në burg të paktën do të ushqehen.

Numri i krimeve seksuale në vend ka ardhur në rritje gjatë tre viteve të fundit., në Shqipëri.  Sipas të dhënave zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, nga viti 2017, numri i procedimeve penale për krime seksuale është rritur me 10.7 për qind, më 2018-n.  Ndërsa një vit më vonë, në 2019 rritja e numrit të hetimeve të nisura për krime seksuale është gati 40 për qind.

Në raportin vjetor të gjendjes së kriminalitetit për vitin e kaluar thuhet se janë regjistruar në total 158 çështje për krime me natyrë seksuale, nga të cilat 49 persona kanë përfunduar të dënuar me vendim gjyqësor.  Sa i përket të dhënave sociale dhe demografike rezulton se 99 për qind e të pandehurve janë meshkuj, mbi 18 vjeç për t’i lënë 1 për qind femrave të akuzuara për këto lloj krimesh.  Pjesa më e madhe e të pandehurve, gati 66 për qind e tyre janë me arsim deri në 9 vjeçar dhe banojnë në qytet.

Çështja bëhet më e zymtë, për shkak se ata që futen në burg shpesh janë me shëndet të dobët. Dhe disa studime sugjerojnë që të burgosurit plaken më shpejt sesa bashkëkohësit e tyre në komunitet. Problemet janë të shumta, duke filluar me sigurimin e akomodimit të përshtatshëm. Burgjet u ndërtuan për të rinj të shëndetshëm, jo për njerëzit që kanë nevojë për parmakë në dush, ngritëse shtrati ose shoqërues në tualet. Njerëzit e moshuar kanë më shumë probleme shëndetësore, shpesh kronike, siç është çmenduria, ose të pashërueshme, si disa kancere. Vendet e pasura kanë filluar të pranojnë se burgjet e tyre tani duhet të jenë azile dhe bujtina. Por rojet e burgut janë të trajnuar në disiplinë dhe siguri, jo për infermieri.

Ndërsa Italia u përfshi nga protesta, kaos dhe vdekje brenda burgjeve, me të dënuarit që ndiheshin të pasigurt për jetët, me numrat gjithnjë e në rritje të vdekjeve nga Covid, që nisën në Lombardi e më pas u shpërndanë në të gjithë vendin, një të tillë në Shqipëri drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili e mohoi muaj më parë. Në IEVP Reç, Shkodër, kishte  pasur pretendime për kushte jo të mira në institucion nga disa persona,  të cilët sipas Ismailt  nuk janë të dënuar me vendim gjykate, por në sektorin e paraburgimit dhe që po hetohen për vepra penale të krimit të organizuar.

Sipas drejtorit, ishin marrë masat e urdhëruara nga Ministria e Shëndetësisë dhe protokollet shtesë, ku të 24 institucionet penitenciare u dezinfektuan dhe në ambientet e brendshme ishte vendosur  një protokoll i rreptë lidhur me higjienizimin dhe higjienën personale të të dënuarve dhe të paraburgosurve.

“Pranë të gjitha institucioneve, psikologët dhe punonjësit social, po vazhdojnë të kryejnë seanca informuese me të gjithë të dënuarit dhe të paraburgosurit, me qëllim për t’i informuar rreth virusit “Covid 19” dhe masat që duhen të zbatohen nga secili prej tyre. Gjithashtu, broshura informuese, janë afishuar në çdo sektor të regjimit të brendshëm dhe në ambientet e banimit”, njoftonte drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve.

Njerëzit e moshuar kushtojnë shumë më tepër për t’u mbajtur. ACLU vlerëson se kushton 72,000 dollarë për të mbajtur një person të moshuar të mbyllur për një vit, trefishuar koston e një më të riu – dhe kjo është para se t’u sigurosh atyre shërbimet e duhura.Në Shqipëri, sipas Ministrisë së Financave, kostoja vjetore për një të burgosur shkon në 6469 euro në vit ose 539 euro në muaj. Më 2018, llogariteshin 5 miliardë lekë shpenzime për 5800 të burgosur.

Disa shtete në Amerikë, përfshirë Alabama, Kaliforni dhe Georgia, kanë ligje për lirimin e moshës geriatrike. Vende të tjera që nuk e përfshijnë Britaninë, mund të përdorin lirimin  e dhembshurisë. Këto dispozita janë “nënvlerësuar”, thotë Azrini Wahidin nga Universiteti Warwick; vetëm një ose dy persona lirohen  çdo vit në Britani. Disa njerëz të moshuar mbeten një rrezik për shoqërinë, por normat e recidivizmit për të moshuarit kanë tendencë të jenë shumë të ulëta, rreth 2-4%, shkruan The Economist.

Ata që lirohen, gjithashtu e kanë më të vështirë të riintegrohen në shoqëri sesa të burgosurit në moshë të re. Ata nuk mund të gjejnë një punë; familjet e tyre nuk i duan . Burgu Kasamatsu në qendër të ishullit kryesor të Japonisë zhvillon klasa ushtrimesh për të mbajtur të burgosurit në gjendje dhe shërbimet mbështetëse i ndihmojnë ata pasi të lirohen. Vendet nordike, të cilat favorizojnë burgjet e hapura, bëjnë më mirë në mbajtjen e njerëzve të shëndetshëm dhe të lidhur me shoqërinë duke mos shkëputur kurrë aksesin e tyre në shërbimet sociale dhe shëndetësore në komunitet.

Lirimi i të burgosurve të sëmurë ose në fazë terminale,  paraqet probleme të tjera. Lynn Saunders, guvernatori i HMP Whatton në Britani, një burg për shkelësit seksualë meshkuj që për nga natyra e dënimit të tyre kanë pak shpresa për t’u liruar para pleqërisë – për të mos thënë kurrë – thotë se dikush që ka qenë në burg mund të mos dëshirojë të shkojë në një bujtinë për të “vdekur vetëm”. Nëse ata kanë qenë të izoluar  për një kohë të gjatë, të gjithë miqtë e tyre janë aty brenda. Spitalet dhe shtëpitë e pleqve shpesh refuzojnë ish-të burgosurit. “A do të jetë gjyshja e lumtur që do të jetë në një shtëpi me një përdhunues me shumë dënime?”,  pyet zonja Saunders.


Si Britania, ashtu  edhe Amerika kanë pranuar numrin në rritje të të burgosurve të moshuar dhe problemet shoqëruese. Megjithatë, asnjë nga vendet nuk ka një strategji kombëtare për t’u marrë me shkelësit e moshuar. Kjo do të thotë që dispozitat për t’u marrë me to janë të improvizuara dhe shpesh varen nga burgu, me rezultate të ndryshme..

Burgjet gjithnjë e më shumë u drejtohen të burgosurve të tjerë për të ndihmuar në bartjen e barrës. Një ish e burgosur japoneze,  që shërbeu 30 vjet brenda për vrasje para se të lirohej në 2016 në moshën 61 vjeç, thotë se iu desh të ndihmonte të burgosurit e moshuar të laheshin dhe të shkonin në tualet. Disa burgje në Kaliforni trajnojnë dhe paguajnë të burgosurit me sjellje të mirë, të njohur si Veshjet e Arta, për t’u kujdesur për bashkëmoshatarët e tyre.

Pjesa e dukshme që mungon, thotë z. Aday, është “fundi”. Të zvogëlosh numrin e të burgosurve në një mënyrë të qëndrueshme do të thotë të vendosësh më pak njerëz në burg ose t’i burgosësh për periudha më të shkurtra, kur është e përshtatshme. Rusia, Ukraina dhe Rumania kufizojnë vendosjen e burgimit të përjetshëm për njerëzit mbi 65 vjeç. Zonja Wahidin sugjeron që mosha e një të burgosuri mund të merret parasysh gjatë dënimit. “Një dënim dhjetë vjeçar do të thotë diçka shumë ndryshe për një 20 vjeçar dhe një 70 vjeçar,” thotë ajo. Kjo qasje, vëren ajo, është “radikale”. Por situatat ekstreme kërkojnë zgjidhje ekstreme; pandemia dhe pagesa që po merr në buxhetet qeveritare mund të përqendrojë  mendjet.

Megjithëse vendimin për të liruar nga burgu përkohësisht 600 të dënuar, që sipas ministres Gjonaj do të krijonte kushtet për të shfrytëzuar burimet njerëzore, për menaxhimin sa më të mirë të situatës, pak ditë më parë ajo ka nisur vetë inspektimin në IEVP-të dhe burgjet, duke nisur nga Rrogozhina, pas rasteve të të infektuarve me Covid-19.

Ministrja e Drejtësisë ka kërkuar që pandemia dhe rastet e shfaqjes së saj në institucionet penitenciare absolutisht të mos shërbejnë si justifikim për uljen e vigjilencës nga trupat e shërbimit në lidhje me çështjet e sigurisë. Zero tolerancë ndaj çdo lloj abuzimi nga stafi i burgjeve, asnjë lëshim dhe  çdo rast abuzimi me detyrën, do të konsiderohet shkelje e rëndë.

Por përveçse ka premtuar rritje rroge për punonjësit e institucioneve peniteciare, ende nuk ka një zë nga Ministria e Drejtësisë se ç’do të ndodhë me të burgosurit e moshës së tretë, ku njëri syresh humbi jetën, ndoshta edhe se nuk plotësonte kriteret e aktit normativ për lirimin e përkohshëm nga burgu për tre muaj. Ç’do të ndodhë me ata të 600 që plotësonin kushtet  në fund të marsit, me të hyrë në fuqi akti normativ? A do të thotë kthimi më shumë shans për infektim, me pasoja ndoshta edhe fatale? / Përgatiti S.B


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë