Analize

Greqia mbledh aleatët kundër Turqisë, Erdogan paralajmëron

Greqia po mbledh të gjithë aleatët kundër Turqisë, duke u takuar me liderët e Mesdheut, ndërkohë që Ankaraja duket e vendosur për të vazhduar kërkimet për naftë.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka kërcënuar sërish Greqinë, duke e paralajmëruar të largojë luftanijet në zonën përreth ishullit Kastellorizo.

Duke folur në një konferencë, presidenti tha se anija e kërkimit të naftës Oruc Reis do të lëvizë drejt ishullit grek në javët e ardhshme, pavarësisht kundërshtimeve të Athinës.

Në komentet që erdhën vetëm disa ditë pasi Erdogan foli me Kancelaren gjermane Angela Merkel, e cila po kërkon përsëri të ndërmjetësojë në krizën, presidenti turk tha se do të luftonte kundër “planeve të atyre që përpiqen të bllokojnë kërkimet për naftë në Mesdhe.

“Ata që po na pengojnë, kur të vijë koha, shpresoj të mos paguajnë një çmim të rëndë,” tha Erdogan në komente pas një takimi kabineti, duke sulmuar gjithashtu Francën, e cila ka vendosusr të mbajë anën e Greqisë.

Gjithashtu të hënën gazeta pro-qeveritare Yeni Safak e Turqisë njoftoi se “ndalesa” e ardhshme e anijes kërkimore Oruc Reis do të jetë në brigjet e Kastellorizo ​​dhe Rodosit, që për Greqinë, nënkupton ndalesën në shelfin kontinental të Greqisë.

Kreu i Këshillit Europian, Charles Michel gjithashtu foli të hënën me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis dhe i siguroi Greqisë se Bashkimit Europian do të bëjë të pamundurën për uljen e tensioneve, përmes një vizite të planifikuar në Athinë në 15 shtator.

Agresioni turk në Lindjen e Mesme do të jetë një fokus kryesor i bisedimeve kur Mitsotakis  të takohet me Presidentin francez Emmanuel Macron në ishullin francez të Korsikës të enjten përpara një takimi të nivelit të lartë me udhëheqësit nga Portugalia, Spanja, Italia, Qipro dhe Malta.

Mitsotakis dhe Macron do të flasin gjithashtu për blerjen e 20 aeroplanëve luftarakë Rafale. Përveç avionëve, Greqia po planifikon të blejë gjithashtu fregata të reja. Mitsotakis pritet të njoftojë detajet e programit të prokurimit të qeverisë këtë fundjavë.

Ministri i jashtëm i Rusisë thotë se Moska është e gatshme të ndihmojë në lehtësimin e tensioneve. Sergej Lavrov thotë se Moska po monitoron situatën në rajon dhe do të ndihmonte fillimin e një “dialogu të mirëfilltë” me të gjitha palët që do të gjeneronin “zgjidhje të pranueshme nga Athina dhe Ankaraja”.

Lavrov ishte duke folur të martën pas një takimi me Presidentin Qipriot, Nicos Anastasiades gjatë një vizite zyrtare në vendin ishull.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë