‘Pushime në kinema’ e kanë titulluar ciklin e projektimit të filmave këtë sezon veror klubi i Kinemasë së Institutit italian të Kulturës, ndërsa për mbrëmjen e 8 gushtit propozojnë për publikun kryeqytetas dhe dashamirësit e kinemasë italiane filmin “Vdekje në Venecia” të regjisorit Luchino Visconti, film që do të projektohet në Tarracën e Pallatit të Kulturës.
Ky film, është cilësuar si një prej 14 filmave më të mirë artistikë të të gjithë kohërave, një përshtatje që regjisori i njohur italian e bëri nga novela me të njëjtin titull e shkrimtarit gjerman, Thomas Mann mbi dëshirën homoseksuale. Mann e botoi novelën titulluar në origjinal Der Tod in Venedig, në vitin 1912, ndwrsa Visconi e rimorri subjektin dhe më 1971 realizoi filmin dramatik italo-francez ku interpretojnë Dirk Bogarde dhe Björn Andrésen.
Kompozitori i nderuar Gustav von Aschenbach, interpretuar nga aktori Dirk Bogarde, me fytyrën e njollosur prej grimit të shprishur, ulet në një plazh në Lido, Venecia, duke kundruar objektin e dëshirës së tij. Në notat melankolike të adaggietto-s nga simfonia e pestë e Mahlerit, Aschenbach sheh djalin e bukur polak, Tadzio-n, tek rrihet nga një djalë më i madh, përpara se ai vetë të transportohet nga një dëshirë Vagneriane për vdekjen.
Në novelën e Mann-it, Aschenbach është romancier. Vendimi i Visconti-it për ta bërë atë kompozitor, hapi dyert e thesareve të simfonive 3 dhe 5 të Mahlerit.
Përndryshe filmi është besnik ndaj burimit: Aschenbach ka ardhur në Venecia për të marrë veten nga strese personale dhe artistike. Aty do të fiksohet me bukurinë magjepsëse të adoleshentit polak ,Tadzio, i cili po qëndron me familjen në të njëjtën Grand Hôtel des Bains, në Lido,si Aschenbach-u.
I mbërthyer nga pasioni i pakërkuar për djalin e paarritshëm, ai josh vdekjen duke mos u vënë veshin paralajmërimeve se kolera kish mbërritur në qytet. Autoritetet vendase nuk i njoftojnë pushuesit rreth problemit nga frika se mund të largohen. Ndërsa Aschenbach-u dhe të ftuarit e tjerë vizitojnë qendrën e qytetit, nisin të kuptojnë se ka diçka që nuk shkon.
Aschenbach vendos të ikë, por në një impuls të momentit vendos të qëndrojë. Megjithatë, ai po vdes nga një sëmundje në zemër. I rinuar nga prania e Tadzio-s, megjithëse kurrë nuk bisedon me të, viziton një berber, i cili i uron “ T’u ktheftë ajo çka të ka humbur!” ndërsa ia lyen flokët e thinjura me të zezë, i zbardh fytyrën e i përskuq buzët , për ta bërë të duket më i ri. Ndërsa largohet nga berberi, ai i thotë “Dhe tani zotëria është gati të bjerë në dashuri kur të dëshirojë”.
Ka diçka thuajse qesharake rreth qëndrimit të Aschenbach –ut, një qeshje që thjesht thellohet kur dikush mëson nga kujtimet e Bogarde-s se regjisori i vendosi krem fytyrës së tij protagoniste nga një shishe me etiketën “Të mos bjerë në kontakt me lëkurën”. Kështu, Bogarde ishte në agoni ndërsa shtirej i vdekur për kamerat.
Në fund, mbushur me gëzim dhe mizori të paqëllimtë rinie, Tadzio dhe grimi i tij tallës ecin pranë Aschenbach-ut në karrige, pa e vënë re se artisti i madh ka vdekur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.