Thuajse një vit më parë, në cilësinë e zyrtarit të lartë të LDK-së, Avdullah Hoti do të komentonte në Facebook se “mini-Shengeni Ballkanik” (që Kosova e kish refuzuar qysh në vitin 2017) nuk ish në interesin e saj dhe të shumicës së vendeve ne rajon.
Hoti radhiste gjashtë arsye (kryesisht politike) me argumentin kryesor se Serbia, përmes kësaj ideje, po tenton ta mbajë sa më gjatë rajonin e Ballkanit jashtë Bashkimit Europian, në pritje të krijimit të balancave të tjera gjeopolitike me rol të shtuar të Rusisë.
Ideja e “mini- Shengenit Ballkanit” u konkretizua në letër dhe me takime shtetarësh (Shqipëri-Serbi-Maqedoni e Veriut) këtu e një vit më parë, ndërsa Kosova humbi po aq kohë për të mos u përfshirë në asnjë prej proceseve që u drejtuan kryesisht nga kryeministri Edi Rama.
Kosova jo vetëm që nuk u përfshi në konsultimet paraprake, por u angazhua publikisht në deklarata të ethshme politike se pse mini-Shengeni Ballkanik nuk mund të pranohej.
Vetë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi do të shprehej në një nga daljet e tij publike se kjo iniciativë rajonale ishte e pakuptimtë aq kohë sa Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Por dje, në zyrën ovale të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Avdullah Hoti, në cilësinë e Kryeministrit të Kosovës vendosi firmën edhe për këtë pikë.
“Të dy palët do të bashkohen në zonën “mini-Shengen” të njoftuar nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor 2019 dhe do të shfrytëzojnë plotësisht përfitimet e saj”, thuhet në marrëveshjen Serbi- Kosovë.
“Mini Shengeni Ballkanik” ka si qëllim lehtësimin e lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave e shërbimeve në Ballkan. Brenda një harku kohor prej dy muajsh tetor-dhjetor të një viti me parë kryesisht me iniciativën e kryeministrit Edi Rama u mbajtën disa takime në kuadër të kësaj nisme ku morën pjesë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Tre liderët ballkanikë, kryeministri shqiptar Edi Rama e ai maqedonas Zoran Zaev dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç diskutuan mundësitë e lehtësimit të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve në Ballkanin Perëndimor.
Kryeministri Rama është shprehur se zbatimi i mini- Shengenit Ballkanik sjell dobi pasi sipas tij nuk do të ketë më dogana për njerëzit dhe se bizneset e kapitalet do të përfitojnë financiarisht.
Edhe pse ka modele ekzistuese që e rregullojnë këtë proces si Marrëveshja CEFTA, sipas njohësve të mirë të rajonit, koncepti i hapjes së tregjeve dhe kufijve sot po përkrahet nga vendet perëndimore dhe se në fund të gjithë kësaj nisme mund të prodhohet edhe një proces pozitiv. Sa kohë që këtij procesi tanimë i është bashkuar Mali i Zi dhe së fundmi edhe Kosova me firmën e saj. Së paku në letër… E ndoshta në të ardhmen me një draft material substantial, shoqëruar me një stabilitet të brendshëm rajonal.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




