Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i kërkoi më herët kryeministrit Avdullah Hoti, që të mos nënshkruajë marrëveshjen me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë, pasi sipas tij, aty përfshihej edhe Liqeni i Ujmanit.
Në fakt liqeni i Ujmanit u përfshi si çështje.
“Të dyja vendet janë pajtuar të punojnë me Departamentin amerikan për Energji, për studim fizibiliteti në mundësinë e përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si burim për ujë dhe furnizim me energji”, thuhet në marrëveshjen Kosovë-Serbi të firmosur në Shtëpinë e Barfdhë, një pikë që Haradinaj thotë se është modifikuar, duke ndikuar për pasojë edhe në qëndrimin e tij në raport me qeverinë.
“E përshëndes Marrëveshjen e nënshkruar sot në Shtëpinë e Bardhë! Miqtë e vërtetë gjithmonë e kuptojnë shqetësimin e drejtë. I lumtur që shqetësimet tona në pikën kontestuese për Ujmanin, kanë reflektuar në Marrëveshjen e nënshkruar. Besimi ynë në rolin dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjithmonë ka qenë i paluhatshëm dhe i tillë mbetet!
Faleminderit President Trump! Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!”, shkruan Haradinaj në Facebook.
Më herët, para firmosjes së marrëveshjes, ai u shpreh:
“Ujmani është një liqen që ka 9.2 kilometra në territorin e Kosovës, dhe ka 2.7 në territorin e Serbisë. Pra, është një kufi ujor në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ka edhe një hidrocentral në brendi të Kosovës. Ne nuk e vlerësojmë që duhet të jetë në një marrëveshje trelaterale ku është edhe Serbia palë e ardhmja e Ujmanit. Jemi të hapur me Departamentin e Energjisë të Amerikës për të ardhmen e Ujmanit, por jo për një marrëveshje trepalëshe ku edhe Serbia është palë, lidhur me të ardhmen e Ujmanit”.
Haradinaj tha se për heqjen e kësaj pike nga marrëveshja ka folur me të gjitha autoritetet relevante, pasi sipas tij, përfshirja e Ujmanit në marrëveshjen e paralajmëruar, “është e papranueshme”.
“Nuk e ka përkrahjen time dhe të Aleancës. Nuk e di si do të jetë fati i kësaj marrëveshjeje. Unë apeloj te kryeministri Hoti që të mos e nënshkruajë. Pra, një marrëveshje ku Ujmani është çështje e çfarëdo marrëdhënieje trepalëshe të mos e nënshkruajë, ku është edhe Serbia palë”, tha Haradinaj më herët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.