Diskutimet Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë përkundër nga sa u tha paraprakisht se do të kishin vetëm natyrë ekonomike, janë thelbësisht politike.
Ky është pretendimi i palës serbe që ka dalë me një deklaratë për mediat në përfundim të raundit të parë të tryezës.
Sipas Zërit të Amerikës, ministri serb i Financave ka deklaruar se ShBA ka hedhur në tryezë një plan me 12 pika, ku në pikën e dhjetë parashikohet njohja reciproke.
Delegacioni serb thotë se do t'i qëndrojë vendimit për të mos njohur Kosovën, vlerësoi si të papritur propozimin amerikan dhe bisedimet si mjaft të vështira.
Megjithatë, pretendimi i palës serbe është hedhur poshtë nga i dërguari i posaçëm i Presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai i cilësoi si të pavërteta lajmet se SHBA ka shtruar në tryezë dokumentin sipas të cilit Serbia duhet të njohë Kosovën.
Ministri serb i Financave, Sinisha Mali tha se po ushtrohet trysni mbi Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili kishte paralajmëruar se mund të ketë “befasi gjatë takimit”.
Ndërkohë, Këshilli për Siguri Kombëtare shkroi se “udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës tashmë po shënojnë përparim. Bisedat tona këtë mëngjes u përqendruan në forcimin e lidhjeve ekonomike dhe normalizimin ekonomik. Presim të diskutojmë më tej këtë pasdite”.
Kosova dhe Serbia bisedojnë sot në Shtëpinë e Bardhë, për herë të parë në një nivel të lartë të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Para takimit ishte thënë se bisedimet do të përqendrohen tek çështjet ekonomike dhe se Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë plan sekret për zgjidhjen politike.
Më herët, Ambasadori Grenell, shkroi se populli i Kosovës dhe i Serbisë meritojnë normalizimin ekonomik dhe shansin për të krijuar një ekonomi të zhvilluar. Në një postim në rrjetin tëitter ai tha se “sot është i përqendruar te të rinjtë që duan një karrierë, një punë të mirë dhe një lidhje me perëndimin. Le ta lëmë mënjanë politikën”, shkroi ai.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha para se të fillonte takimi se me Serbinë do të bisedohet vetëm për njohjen e ndërsjellë, ndërsa presidenti serb, tha se pret takim të vështirë, por “dorëzimi nuk është një opsion”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.