Zëdhënësi i BE-së për Çështjet e Jashtme, Peter Stano, ka konfirmuar sot se pas takimit në Shtëpinë e Bardhë, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian më 5, 6 dhe 7 shtator.
Sipas tij, të hënën do të zhvillohet takimi i nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçic, ndërsa gjatë kësaj fundjave do të zhvillohen bisedime në nivel ekspertësh.
Ai ka thënë se liderët politikë të hënën do të priten nga Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Josep Borrell dhe Përfaqësuesi i Posaçëm për dialog, Mirosllav Lajçak.
Zëdhënësi i BE-së ka paralajmëruar se në takimin e së hënës, do të diskutohen çështjet që kanë të bëjnë me “komunitetet etnike dhe çështjet e kërkesave financiare dhe të pronësisë nga ana palëve”.
I pyetur se a do të diskutohet edhe për dëmet e luftës, një çështje që është përmendur shpesh nga ana e zyrtarëve të Kosovës, Peter Stano ka thënë se vet ideja e takimit është që të diskutohet për të gjitha çështjet e hapura mes palëve.
Stano po ashtu ka refuzuar që të saktësojë se a kanë të drejtë apo jo palët në interpretimet e tyre për dialogun, me palën shqiptare thotë se po angazhohet për dialog politik që do të rezultojë me njohje, dhe Serbinë që thotë se nuk diskutohet për njohjen.
“Ky është një dialog që do të rezultojë me një normalizim të raporteve mes palëve dhe që do të përmbyllej me një marrëveshje ligjërisht obliguese”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, duke shtuar se interpretimet dhe qëndrimet shpesh të ndryshme të palëve janë pjesë përbërëse e këtij procesi.
“Ne jemi lehtësues e jo komentues të dialogut”, ka thënë ai në një konferencë për media.
Burimet e BE-së kanë paralajmëruar se gjatë fundjavës, të shtunën dhe të dielën, në Bruksel do të ketë takime mes ekspertësh, të cilët do të merren me çështjet e të zhvendosurve dhe bashkëpunimit ekonomik, tema këto të cilat ishin në rend ditë në dy takimet e fundit.
Qëllimi është që palët të afrohen sa më shumë për këto tema dhe mundësisht edhe të bien dakord, thonë burimet e BE-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




